SHKODËR-Xhamia e Plumbit pritet të jetë gati për besimtarët në muajin maj, ndërsa aktualisht po kryhen ndërhyrje me karakter restaurues dhe konservues në objekt. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja ishte këtë të mërkurë në Shkodër, për të inspektuar nga afër punimet.
Përmes një postimi në rrjetet sociale ai shkruan, se projekti për restaurimin e xhamisë synon që t’i rikthejë vlerat historike këtij monumenti.
‘Restaurimi i Xhamisë së Plumbit, Shkodër. Një projekt që synon të rikthejë plotësisht vlerat historike dhe arkitekturore të këtij monumenti unik, duke ruajtur identitetin dhe trashëgiminë tonë kulturore’, shkruan ai.
![]()
Ndërhyrjet restauruese në xhaminë e Plumbit konsistojnë në çlirimin e objektit nga ndërhyrjet e gabuara ndër vite, si: përdorimi pa kriter i suvasë së çimentos, hidroizolimi dhe realizimi i veshjes me plumb i kupolave dhe qemerëve.
Restaurimi pritet të përfshijë edhe elementët dekorativë si kolonat, minaren, projekti i të cilës duhet të plotësohet me elementë dhe studim konstruktiv përsa i përket qëndrueshmërisë së saj, si dhe përforcimi i themeleve dhe realizimi i sistemit të drenazhit.
E ndërtuar më 1773-1774, Xhamia e Plumbit është monument kulture i kategorisë së parë dhe është xhamia osmane më e madhe në të gjithë Shqipërinë.
Komente

