Restaurimi i xhamive, agjencia turke jep katër milion dollarë
Pesë xhami, monumente të kategorisë së parë, do të përfshihen në procesin e konservimit dhe restaurimit nga Instituti i Monumenteve me mbështetjen e Ambasadës Turke.
TIRANE- Pesë xhami, monumente të kategorisë së parë, do të përfshihen në procesin e konservimit dhe restaurimit nga Instituti i Monumenteve me mbështetjen e Ambasadës Turke. Agjencia Ndërkombëtare Turke për Bashkëpunim e Zhvillim i ka akorduar Institutit të Monumenteve një fond prej 4 milionë dollarësh me të cilat do të restaurohet Xhamia e Kalasë së Prezës, ajo e Pazarit të Krujës, Xhamia e Nazireshës në Elbasan, Xhamia e Plumbit në Berat dhe ajo e Iljaz Bej Mihrahorit në Korçë. "Restaurimi i Xhamive është një nga projektet më të rëndësishme të agjencisë sonë. Ka përfunduar faza e parë e hartimit të projekteve dhe shumë shpejt do të nisë implementimi. Bashkëpunimi me Institutin e Monumenteve deri tani ka qenë shumë i mirë", tha Yahya Gulseven, drejtor i TIKA në Tiranë. Sipas drejtorit të Monumenteve Apollon Baçe këto pesë xhami janë përzgjedhur në bazë të rëndësisë si monument kulture, në bazë të funksionit për besimtarët dhe nevojës për restaurim. Restaurimi do të realizohet nga specialistë shqiptar, por edhe turq të cilët do të kryejnë procesin delikat të restaurimit të minareve. (sg/shqiptarja.com)