“Reuters” shkruan se Papa Françesku, ende pa ardhur në Shqipëri, i ka bërë asaj një mrekulli të vogël: Ka nxitur bashkëpunimin ndërmjet forcave politike kundërshtare që të bashkohen për të rikonstruktuar një nga sheshet kryesore të Tiranës, në të cilin Papa do të mbajë Meshën.
“Reuters” vë në dukje polarizimin e theksuar politik në vendin tonë, që kur komunizmi u shpërbë në vitin 1990.
Sipas saj demokratët dhe socialistët shqiptarë kanë penguar në mënyrë të përsëritur planet e njëri-tjetrit për t’i rikthyer lavdinë, sheshit “Nënë Tereza”.
Por që me sinjalin e parë të njoftimit të Papës për ta nisur vizitën në Evropë nga Shqipëria, qeveria e drejtuar nga socialistët dhe bashkia e kryeqytetit nga demokratët, kanë lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre për të ndërmarrë një rikonstruksion disa miliona dollarësh.
Rikonstruksioni i sheshit “Nënë Tereza” ka filluar prej disa javësh dhe tashmë ai është gati për të mirëpritur Atin e Shenjtë.
Javët e fundit, punëtorët hoqën disa lokale të improvizuara si kafene. Fasadat dhe kolonat e projektuara nga italianët të godinës së Universitetit, Institutit të Arkeologjisë dhe
Akademisë së Arteve, të nxira nga pluhuri dhe tymi i kohës, janë zbardhur si dhe qindra pllaka të thyera janë zëvendësuar.
Rai ndjek live meshën e shenjtë
Rrjeti Mediatik Rai ka ndjekur LIVE të gjithë vizitën e Papa Françeskut gjatë mbajtjes së meshës në Sheshin “Nënë Tereza” ku veçojnë mesazhin e dhënë prej tij se ekstremistët po keqpërdorin fenë, pasi askush nuk mund të përdorë zotin si një mburojë për të bërë luftë.
Telegrafi Britanik shkruan rreth vizitës së Papa Francesku
Telegrafi Britanik citon Papën teksa thotë se Shqipëria është një model universal i harmonisë fetare në botë, që duhet të merret shembull nga të gjithë. Ai krahasoi intolerancën fetare të vendeve të tjera si ato të Lindjes së Mesme që po sjellin vetëm konflikte dhe dhunë në botë.
La Reppublica: "Situata e tensinuar në Vatikan, nuk pengoi vizitën e Papës"
Ndërsa “La Reppublica” vë në dukje faktin se pavarësisht gjendjes tepër të tensionuar në Vatikan pas kërcënimeve të vazhdueshme nga ekstremistët islamikë, Papa sërisht nuk hoqi dorë nga vizita e tij për të treguar vlerësimin e tij për vendin me bashkëjetesën fetare më paqësore. “La Repubblica” citon papën të jetë shprehur se “bashkëjetesa fetare mes shqipatrëve është një shenjë dhe një mesazh i bukur për të gjithë botën.” Vizita e Papës konsiderohet si një bekim për vendin tonë, mrekullia e së cilit ndodhi që para ardhjes së tij, duke bashkuar palët politike kundërshtare sëbashku në rikonstruktimin e sheshit “Nënë Tereza”, i lënë prej vitesh në gjendje të shkatërruar.
Redaksia Online