Kushtet e presidentit Vladimir Putin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë përfshijnë kërkesën që liderët perëndimorë të zotohen me shkrim se do të ndalojnë zgjerimin e NATO-s drejt lindjes dhe të heqin një pjesë të sanksioneve ndaj Rusisë, sipas tre burimeve ruse të njohura me bisedimet.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar disa herë se dëshiron ta përfundojë konfliktin më vdekjeprurës në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe, ditët e fundit, është treguar gjithnjë e më i irrituar me Putinin, duke e paralajmëruar të martën se po “luan me zjarrin” duke refuzuar të hyjë në bisedime armëpushimi me Kievin, ndërkohë që trupat ruse po shënojnë përparime në terren.
Pas një bisede mbi dy orëshe me Trumpin javën e kaluar, Putin deklaroi se kishte rënë dakord të punonte me Ukrainën për një memorandum që do të përvijonte konturet e një marrëveshjeje paqeje, përfshirë edhe afatin kohor të një armëpushimi. Rusia thotë se aktualisht po harton versionin e saj të memorandumit dhe nuk mund të thotë se sa kohë do të zgjasë ky proces.
Kievi dhe qeveritë europiane e kanë akuzuar Moskën se po e zvarrit qëllimisht procesin ndërkohë që trupat e saj përparojnë në lindje të Ukrainës.
“Putin është i gatshëm të bëjë paqe, por jo me çdo çmim,” tha një burim i lartë rus, i njohur me qëndrimet e nivelit të lartë të Kremlinit, në kushte anonimiteti.
Sipas tre burimeve ruse, Putin kërkon një zotim me shkrim nga fuqitë kryesore perëndimore që të mos e zgjerojnë më aleancën e NATO-s drejt lindjes – në praktikë kjo do të nënkuptonte të përjashtohej mundësia e anëtarësimit për Ukrainën, Gjeorgjinë, Moldavinë dhe republika të tjera ish-sovjetike. Rusia gjithashtu kërkon që Ukraina të mbetet neutrale, të hiqen disa nga sanksionet perëndimore, të zgjidhet çështja e pasurive shtetërore ruse të ngrira në Perëndim, dhe të garantohen të drejtat e folësve rusë në Ukrainë.
Burimi i parë tha se, nëse Putini do të kuptonte se nuk mund të arrinte një marrëveshje paqeje sipas kushteve të tij, atëherë do të përpiqej t’u tregonte ukrainasve dhe europianëve me fitore ushtarake se “paqja e nesërme do të jetë edhe më e dhimbshme”.
Kremlini nuk u përgjigj ndaj kërkesës së agjencisë Reuters për koment lidhur me raportimin. Putin dhe zyrtarë të tjerë rusë kanë përsëritur shpesh se çdo marrëveshje paqeje duhet të trajtojë “shkaqet rrënjësore” të konfliktit – një shprehje që në diskursin rus i referohet zgjerimit të NATO-s dhe mbështetjes perëndimore për Ukrainën.
Nga ana tjetër, Kievi ka theksuar vazhdimisht se Rusia nuk duhet të ketë të drejtë vetoje mbi aspiratat e Ukrainës për anëtarësim në NATO. Ukraina kërkon nga Perëndimi një garanci të fortë sigurie për të parandaluar çdo sulm të ardhshëm nga Rusia. Administrata e presidentit Volodymyr Zelensky nuk komentoi mbi raportin.
Edhe NATO më parë ka deklaruar se nuk do ta ndryshojë politikën e saj të “dyerve të hapura” vetëm sepse e kërkon Moska. Një zëdhënës i aleancës 32-anëtarëshe nuk iu përgjigj pyetjeve të Reuters.
Putini urdhëroi dërgimin e dhjetëra mijëra trupave në Ukrainë në shkurt 2022, pas tetë vitesh luftimesh në lindje të vendit mes separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe ushtrisë ukrainase.
Aktualisht, Rusia kontrollon pak më pak se një të pestën e territorit të Ukrainës. Edhe pse përparimet ushtarake ruse janë përshpejtuar gjatë vitit të fundit, lufta po kushton shtrenjtë për të dyja palët – si në jetë njerëzish, ashtu edhe në shpenzime ushtarake.
Reuters raportoi në janar se Putini po bëhej gjithnjë e më i shqetësuar për shtrembërimet në ekonominë ruse të kohës së luftës, për shkak të mungesave të fuqisë punëtore dhe normave të larta të interesit për të frenuar inflacionin. Çmimi i naftës – themeli i ekonomisë ruse – ka rënë në mënyrë të qëndrueshme këtë vit.
Trump, i cili mburret me marrëdhëniet miqësore me Putinin dhe beson se lideri rus dëshiron paqe, ka paralajmëruar se Uashingtoni mund të vendosë sanksione të reja nëse Moska vonon përpjekjet për të arritur një zgjidhje. Të dielën, përmes rrjeteve sociale, Trump shkroi se Putin kishte “shkuar krejtësisht ÇMENDUR” pas një sulmi ajror masiv që Rusia ndërmori kundër Ukrainës javën e kaluar.
Burimi i parë shtoi se, nëse Putini shihte një mundësi taktike në fushëbetejë, ai do të shtynte përpara edhe më thellë në territorin ukrainas – dhe se Kremlini besonte se Rusia mund të vazhdonte luftën për vite të tëra, pavarësisht çdo sanksioni apo dhimbjeje ekonomike që do t’i shkaktonte Perëndimi.
Një burim i dytë tha se Putini tani është edhe më pak i gatshëm të bëjë kompromis për çështjen e territorit dhe po qëndron fort në pozicionin publik që kërkon të zotërojë të katër rajonet lindore të Ukrainës të pretenduara nga Rusia.
“Putini e ka ashpërsuar qëndrimin e tij,” tha burimi i dytë në lidhje me çështjen territoriale.
ZGJERIMI I NATO-s
Ndërkohë që Trump dhe Putin përplasen publikisht mbi perspektivën e paqes në Ukrainë, Reuters nuk mund të përcaktojë nëse përshkallëzimi i luftës dhe ashpërsimi i qëndrimeve po paralajmërojnë një përpjekje të vërtetë për marrëveshje apo kolaps të bisedimeve.
Në qershor të vitit të kaluar, Putin paraqiti kushtet e tij fillestare për një fund të menjëhershëm të luftës: Ukraina duhet të heqë dorë nga synimi për t’u anëtarësuar në NATO dhe të tërheqë të gjitha trupat nga territori i katër rajoneve ukrainase të pretenduara dhe kryesisht të kontrolluara nga Rusia.
Përveç Krimesë, e aneksuar në vitin 2014, Rusia aktualisht kontrollon pothuajse të gjithë Luhanskun, më shumë se 70% të Donetskut, si dhe pjesë të konsiderueshme të rajoneve Zaporizhia dhe Kherson. Po ashtu, ajo mban një pjesë të vogël të rajoneve Kharkiv dhe Sumy, dhe po kërcënon rajonin Dnipropetrovsk.
Ish-presidenti amerikan Joe Biden, liderët europianë perëndimorë dhe vetë Ukraina e kanë cilësuar pushtimin si një grabitje territori në stilin imperial, duke u zotuar disa herë se do ta mposhtin ushtrinë ruse.
Ndërsa Putini e paraqet luftën si një moment kyç në marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin, të cilat sipas tij e kanë poshtëruar vendin që pas rënies së Bashkimit Sovjetik në 1991, duke e zgjeruar NATO-n dhe duke ndërhyrë në sferën e ndikimit të Moskës.
Në samitin e Bukureshtit të vitit 2008, udhëheqësit e NATO-s ranë dakord se Ukraina dhe Gjeorgjia do të bëhen një ditë anëtare të aleancës. Ukraina, në vitin 2019, ndryshoi edhe kushtetutën, duke sanksionuar synimin për anëtarësim të plotë në NATO dhe BE.
Trump ka deklaruar se mbështetja e mëparshme amerikane për anëtarësimin e Ukrainës në NATO ishte një nga shkaqet e luftës, dhe ka lënë të kuptohet se Ukraina nuk do të marrë anëtarësim.
Departamenti i Shtetit i SHBA-së nuk komentoi për këtë artikull.
Putini, që erdhi në pushtet në vitin 1999, i është rikthyer vazhdimisht çështjes së zgjerimit të NATO-s, përfshirë edhe në deklaratat e tij më të hollësishme për një marrëveshje paqeje në vitin 2024.
Në vitin 2021, vetëm dy muaj para pushtimit rus, Moska propozoi një marrëveshje me vendet e NATO-s që, sipas nenit 6, do t’i detyronte aleatët të “përmbaheshin nga çdo zgjerim i mëtejshëm i NATO-s, përfshirë anëtarësimin e Ukrainës dhe shteteve të tjera”. Diplomatët amerikanë dhe të NATO-s në atë kohë deklaruan se Rusia nuk mund të ketë të drejtë vetoje mbi zgjerimin e aleancës.
Rusia kërkon një zotim të tillë me shkrim, sepse Putini beson se Moska është mashtruar nga SHBA-ja pas rënies së Murit të Berlinit në 1989, kur Sekretari amerikan i Shtetit James Baker i kishte premtuar verbalisht liderit sovjetik Mihail Gorbaçov në vitin 1990 se NATO nuk do të zgjerohej drejt lindjes, sipas dy burimeve.
Ka pasur një premtim të tillë verbal, ka shkruar edhe ish-drejtori i CIA-s William J. Burns në kujtimet e tij, por ai kurrë nuk u formalizua – dhe u bë në një kohë kur ende nuk kishte ndodhur shpërbërja e Bashkimit Sovjetik.
NATO, e themeluar në vitin 1949 për të garantuar sigurinë kundër Bashkimit Sovjetik, deklaron se nuk paraqet asnjë kërcënim për Rusinë – megjithatë, në vlerësimin e saj të vitit 2022 për paqen dhe sigurinë në zonën euro-atlantike, NATO e identifikoi Rusinë si “kërcënimin më të rëndësishëm dhe të drejtpërdrejtë”.
Pushtimi rus i Ukrainës atë vit shtyu Finlandën që të anëtarësohej në NATO në vitin 2023, ndjekur nga Suedia në vitin 2024.
Liderët perëndimorë kanë deklaruar disa herë se, nëse Rusia fiton luftën në Ukrainë, ajo mund të sulmojë një ditë edhe vetë NATO-n – një veprim që do të shkaktonte një luftë botërore. Rusia i ka hedhur poshtë këto deklarata si alarmizëm të pabazë, por njëkohësisht ka paralajmëruar se lufta në Ukrainë mund të përshkallëzohet në një konflikt më të gjerë./ Reuters
Komente








