Revolta, regjimi po liron kriminelët
e luftës dhe mban në burgje tregtarët

Revolta, regjimi po liron kriminelët<br />e luftës dhe mban në burgje tregtarët
​Në dosierin e një ditë më parë, ku flitej për gjendjen e  burgjeve dhe e të burgosurve në vitet 1947-1948, dëshmohej se për regjimin komunist survejimi dhe informimi i imtësishëm dhe i përditshëm rreth aktivitetit të të burgosurve kryesisht ata politikë, ishte preokupimi kryesor. Kundërshtarët më të rreptë të regjimit ishin arrestuar e dënuar pothuajse të gjithë. Tashmë në burgjet ku ata vuanin dënimin vëzhgoheshin rreptësisht, që nga angazhimi i tyre në punët e detyruara, deri tek opinionet që ata ndanin mes tyre.
Në publikimin e djeshëm sollëm pjesën e parë të këtij raporti informative ku raportohej për gjendjen e disa prej burgjeve, si ai i Korçës, Gjirokastrës, Shkodrës, Durrësit dhe Burrelit. Po ashtu raportoheshin në imtësi nga bashkëpunëtorët e Sigurimit edhe opinionet e të burgosurve kryesisht për faje politike.

Duke parë mënyrën se si janë hartuar këto raporte dhe llojin e informacionit që raportohet, kuptojmë edhe vigjilencën e regjimit për të mos i shpëtuar asnjë informacion për këtë kategori, e vetmja që mund të rrezikonte të ardhmen e pushtetit që u mor me dhunë menjëherë pas Luftës.
Në pjesën e dytë të këtij raporti informativ të hartuar nga Ministria e Brendshme flitet për gjendjen e burgjeve në Berat, Peshkopi, Vlorë dhe Tiranë, sikurse raportohet edhe se çfarë komentesh bënin të burgosurit në qelitë e këtyre burgjeve për temat e ditës që e preokuponin regjimin.

Ndërsa raportojnë për të burgosurit e Vlorës, bashkëpunëtorët e sigurimit sjellin opinione të tilla: “Meçan Qazimi i ka thënë S. Çelës se “ti je spiuni dhe mos u bën dallaveraxhi se për ata që bëjnë këto punë nga neve i pret plumbi, pse neve sado që jemi brenda në burg kemi njerz që punojnë për neve jashtë”. Rushit Grabova i ka thënë S. Çelës se “neve e kemi hequr shpresën e lirimit nga Pushteti; vetëm se me punën tonë që do të bëjmë do të mund të lirohemi, por ti mos u trondit se neve aq më tepër forcohemi, dhe për këtë duhet të qëndrosh i fortë”.

Ndërsa nga opinionet mes të burgosurve të Tiranës mes të tjerave raportohen komentet rreth amnistisë së 1946. “…Zija Çausholli nuk e quan falje këtë. Ai thotë: “Në burgun e Tiranës janë 500 veta dhe po bëjnë nga 4-5 vjet dhe u falën vetëm 27 veta”. Sherif Maçi dhe Mikel Kilica faljen që u bë e quajnë si “të imponuar nga jashtë gjoja nga anglo-amerikanët, se qeveria e sotme nuk bënte falje por dhe ata që u liruan ishin të gjithë të hurit dhe të litarit…”.

Më tej vëzhgimi ndalej tek opinionet e njerëzve të fesë në burgun e Tiranës. “…Patër Meshkalla, para se të shpihej në Burrel u kish thënë: “Katolikë mbroni njëri-tjetrin, shtoni radhët tuaja se për së shpejti do të kemi një ndryshim situate”. Baballarët dhe hafëzllarët u thonë tarafit të tyre se “në Kuranin tonë thotë do të vijë një ditë një muharebe nga i madhi Allah, se Allahu nuk e thotë të bënën njësoj si i pasuri dhe evgjiti”, -shkruajnë bashkëpunëtorët e Sigurimit, duke vijuar më poshtë me opinionet e tregtarëve të burgosur, të cilët sipas bashkëpunëtorëve të sigurimit shprehen të pakënaqur me trajtimin që ju bë shtresës së të pasurve nga regjimi komunist. “Qeverija po mban mbrenda të gjithë intelektualët, tregtarët dhe bejlerët që janë dënuar me nga pak vjet, dhe lëshojnë fshatarët që janë dënuar me 30 vjet e 101 vjet, dhe tregtarët i quajnë kriminela lufte, dhe lirojnë ato që kanë qenë milica, kanë vjedhur dhe grabitur familjet dhe kanë luftuar kundra partizanve…”
Më poshtë sjellim të plotë pjesën e dytë të dokumentit të 24 janarit 1948.
 
Ad.Pe.
 
Pjesa e dytë e dokumentit
BERATI: Në punë gjatë këtyre ditëve kanë marrë pjesë 82 të burgosur për çdo ditë ndër vende pune të ndryshme.
Me rastin e faljes të një pjese të burgosurish disa të burgosur armiq populli si: Tefik Çepelja, Ali Rizai, Ceno Velmialte dhe Xhevahir Beshiri nuk e pritën mirë këtë falje. Ata thanë se lirohen vetëm të vdekurit, punëtorët dhe fshatarët e varfër. Në lidhje me gjyqin që po zhvillohet tani kohët e fundit thonë se këta nuk janë të drejtë dhe janë të pamëshirshëm etj.

Kurset kundra analfabetizmit vazhdojnë në rregull dhe mësuesit që dirigjojnë këto kanë ardhur rregullisht.
Gjatë këtyre ditëve në të dy burgjet është bërë nga një konferencë politike mbi situatën ndërkombëtare. Nga këto konferenca kanë dalë pyetje dhe diskutime nga të burgosurit. Shumë të burgosur kanë mbetur të kënaqur nga këto konferenca dhe kanë kërkuar që të tilla konferenca të bëhen më të shpeshta.
Qëndrimi i rojeve të burgjeve është shumë i mirë, dhe nga kontrollet që janë bërë nuk është konstatuar ndonjë neglizhencë në detyrë.
 
PESHKOPIA: Për arsye të motit të keq, nuk kemi pasur të burgosur në punë.
Falja e një pjese të burgosurish u prit shumë mirë, si nga ata që u falën dhe nga ata që mbetën në burg, këto e pritën faljen me duartrokitje të nxehta dhe duke hedhur parulla të ndryshme si “Rroftë Pushteti Popullor”, “Rrofshin udhëheqësit”, “Rroftë Partia” etj.
Kurset kundra analfabetizmit vazhdojnë në rregull. Me rastin e lirimit të një pjese të kursistëve, kurset janë përgjysmuar, jemi duke caktuar të burgosur të tjerë për të vazhduar kurset.
Biblioteka frekuentohet nga një pjesë e mirë e të burgosurve që dinë të këndojnë. Gazeta “Bashkimi” komentohet çdo mbrëmje nga të gjithë të burgosurit. Gazeta e murit ka dalë një herë.
Shërbimi rojeve gjatë këtyre ditëve ka qenë i mirë, çdo shërbim që u është ngarkuar e kanë kryer mirë. Kundrejt të burgosurve mbajnë qëndrimin e urrejtjes.
 
VLORA: Nga të burgosurit që punojnë në Llakatund: Hajredin Meta u ka thënë një ditë të burgosurve në punë e sipër që “punoni me ngadalë mbasi puna e shtetit nuk mbarohet kurrë”. Në lidhje me arratisjen e të burgosurve në muajin e kaluar ka thënë i burgosuri Gjolek Bala se në muajin shtator ka dëgjuar Besim Greshicën që i thoshte Safet Abazit se afër kufirit greko-shqiptar ishte një shtëpi ku regjistroheshin gjithë ata që donin të kalonin kufirin, këtë gjë ai thotë se ia ka njoftuar rreshter Ibrahimit, dhe ky nuk ka raportuar drejtorinë.

Përveç kësaj këto ditë i burgosuri Novruz Bulla, na dorëzoi një revolver me anën e gruas së tij, të cilin e kishte pasur të fshehur në shtëpi. Edhe ky thotë se i kishte pas thënë rreshter Ibrahimit që po të donte të shkonte ta merrte revolverin në shtëpinë e tij. edhe për këtë rreshteri nuk ka raportuar, mbasi gjatë kohës që ka qëndruar në Llakatund me të burgosurin Novruz Bullën, ka bërë miqësi duke i qethur fëmijën Novruzit, ku ka shkuar dhe në shtëpinë e tij sipas zakonit me dhurata dhe ka qëndruar 24 orë. Kur ka shkuar ka kërkuar leje se gjoja do të shkonte te një mik tjetër familjar. Nga ana tjetër kur rreshteri u arrestua, në kontrollin që iu bë në valixhe iu gjetën më se 60 tefter letër-cigare, afër 30 paketa cigare dhe 3-4 kg duhan të grirë. Siç kuptohet këto ishin nga ato që u jepte drejtoria e fermës për t’ua shpërndarë herë pas here të burgosurve, megjithëse ai deklaron që gjoja ka dërguar e i ka blerë në Tiranë me anën e personelit të fermës, por që nuk ka të ngjarë dhe nuk është e vërtetë. I burgosuri ordiner Adem Ceka ka biseduar me të burgosurin Skënder Çelo duke thënë se “Unë kur ishja në fermën e Mifolit kam patur qëllim që t’arratisesha, por n’ato ditë më ka ardhur vëllaj me gruan dhe më thanë mos ik, nga ana tjetër nuk gjej rast dhe nga rojet”.

Dhe i burgosuri Hekuran Bushi ka pasur qëllim për të ikur, dhe një ditë është bërë i sëmurë prej dhëmballës, ku me këtë rast i ka kërkuar tetarit që ta shpinte në Fier për të nxjerrë dhëmballën. Tetari me një polic e nisi për në Fier, porsa kaluar urën e Mifolit i burgosuri i ka thënë policit: “të shkojnë nga shtëpia ime dhe të hamë drekën”, mirëpo roja e kuptoi qëllimin e të burgosurit dhe e kthen prapë në fermë. Meçan Qazimi i ka thënë Skëndo Çelës se “ti je spiuni dhe mos u bën dallaveraxhi se për ata që bëjnë këto punë nga neve i pret plumbi, pse neve sado që jemi brenda në burg kemi njerz që punojnë për neve jashtë”. Rushit Grabova i ka thënë Skëndo Çelës se “neve e kemi hequr shpresën e lirimit nga Pushteti; vetëm se me punën tonë që do të bëjmë do të mund të lirohemi, por ti mos u trondit se neve aq më tepër forcohemi, dhe për këtë duhet të qëndrosh i fortë”.

Me rastin e faljes prifti Kozma Billa ka thënë që “u falën të gjithë muhamedanët, vetëm 4 kristianë u falën”. Nga shumica e të burgosurve është dëgjuar që të thonë se “kjo falje me të vërtetë na dha të kuptojmë se Pushteti paska mëshirë edhe për neve”. I burgosuri ordiner Ilia Papa i ka thënë Rushit Grabovës dhe Aristidh Ruçit se “unë pranoj të jem një xhandar i fashizmit se sa të jem nën kët regjim”, mirëpo kjo parullë është kundërshtuar nga vetë bashkëfolësit duke i thënë se “këta janë shqiptarë dhe nuk duhet t’i barazojmë me italianët”. Me rastin e lirimit është parë ndër të burgosurit në përgjithësi të përsërisin për disa të burgosur që u liruan, të cilët nuk mbanin qëndrim të mirë politik si p.sh. Rushid Grabova dhe Azis Sadedini të cilët janë demaskuar para të burgosurve për qëndrimin e keq që mbanin në burg. Lirimi i këtyre të burgosurve u ka bërë përshtypje të burgosurve, për arsye të qëndrimit të keq që këta kanë mbajtur në burg.
Kurset kundër analfabetizmit vazhdojnë në rregull. Konferenca gjatë kësaj jave nuk janë bërë. Rojet e burgjeve shikohen që të kryejnë shërbimet e tyre.
 
TIRANA: Çështja e faljes që u bë komentohet në shumë mënyra. Një pjesë e komenton kështu: Kur panë në gazetën “Bashkimi” se Hungaria kishte bërë një falje të burgosurish dhe Bullgaria bëri një falje pas disa ditësh, thanë se edhe Shqipëria do të bëjë një falje se këto si një bllok demokratik që janë kanë një vijë të përbashkët. Kjo bisedë ka qenë para se të bëhej falja. Falja u bë tani. Nga fshatarët është pritur mirë, kurse pjesa tjetër e komenton kështu: Hysen Çoçoli thotë: “Qeverija po mban mbrenda të gjithë intelektualët, tregtarët dhe bejlerët që janë dënuar me nga pak vjet, dhe lëshojnë fshatarët që janë dënuar me 30 vjet e 101 vjet, dhe tregtarët i quajnë kriminela lufte, dhe lirojnë ato që kanë qenë milica, kanë vjedhur dhe grabitur familjet dhe kanë luftuar kundra partizanve”. Petraq Katrua dhe Beso Gega që pritnin shumë nga kjo falje, atë ditë e komentonin në këtë mënyrë:

“Qeverija po fal hajdutët dhe kriminelët dhe po mban politikanët që nga 3 vjet, kurse në të gjithë vendet e botës bëhet e kundërta, ordinerët dënohen shumë rëndë dhe nuk kanë falje, dhe politikanët kanë privilegje, por edhe trajtohen më mirë se ordinerët”. Mehdin Kamberi, Asllan Ypi dhe të tjerët thonë se “Pushteti sotmë liron gjithë ata elementa që nuk i ka njeri në hesap d.m.th. të gjithë njerëzit e shtresës s’ulët”. Zija Çausholli nuk e quan falje këtë. Ai thotë: “Në burgun e Tiranës janë 500 veta dhe po bëjnë nga 4-5 vjet dhe u falën vetëm 27 veta”. Sherif Maçi dhe Mikel Kilica faljen që u bë e quajnë si “të imponuar nga jashtë gjoja nga anglo-amerikanët, se qeveria e sotme nuk bënte falje por dhe ata që u liruan ishin të gjithë të hurit dhe të litarit”.
Ferit Prenjasi, zbulimin e atomit nga anglo-amerikanët thotë se “tani u zbulua atomi i erdhi vdekja Bashkimit Sovjetik dhe nga prilli 1948 do të shohin këta se ç’kanë për të bërë anglo-amerikanët”.

Mbledhjen e 9 partive komuniste në Pragë e komentojnë në këtë mënyrë: “Bashkimi Sovjetik e pa rrezikun dhe prandaj ngriti Byron informative për të luftuar imperializmin, por anglo-amerikanët nuk tremben nga byroja informative, se kanë atomin”. Patër Meshkalla, para se të shpihej në Burrel u kish thënë: “Katolikë mbroni njëri-tjetrin, shtoni radhët tuaja se për së shpejti do të kemi një ndryshim situate”. Baballarët dhe hafëzllarët u thonë tarafit të tyre se “në Kuranin tonë thotë do të vijë një ditë një muharebe nga i madhi Allah, se Allahu nuk e thotë të bënën njësoj si i pasuri dhe evgjiti”.

Ndarja e fundit që bëmë ka ngjallur një kënaqësi të madhe në pjesën fshatare. Këta thonë se pushteti me të vërtetë i përkrah fshatarët, kurse pjesa tjetër e quan të padrejtë kategorizimin e ri që u bë. Asllan Ypi e quan të padrejtë futjen e tij në burg, “proceset janë të rënda, njeriu nuk mund t’i duronte torturat dhe duhesh të pranonte të gjithë ato për sa akuzohesh, si në hetuesi ashtu edhe në gjyq”. Medin Kamberi thotë se “oficerat e sotmë nuk janë shokë të mirë në mes të tyre, p.sh. një aspirant nuk shoqërohet me një oficer madhor të gjezdisë nëpër vende publike megjithëse këta janë shokë lufte dhe shokë që nga jeta civile”, por kjo lë të kuptosh se dhe në radhët e ushtrisë nuk ka demokraci, se edhe komunistët qenkan njësoj si të tjerët.

Shërbimi nga ana e rojeve është bërë në rregull si në shoqërimet ashtu dhe në trupat, por në disa raste kemi konstatuar dhe gabime duke gjetur disa policë në gjumë. Për këta që kemi gjetur në gjumë u është tërhequr vërejtja në mes të shokëve njëkohësisht u morën masa nga ana e Komandës. Këto gabime me sa kuptohet nuk janë bërë me qëllim por vetëm nga shërbimi i shumtë që ishte kur kishim të dy burgjet dhe e dyta nga personeli i pakët që kishim.

regjimi
 


REdaksia online
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

‘Dua më shumë Shqipërinë’, koncert për Pavarësinë në Fier! Bëhen bashkë 70 artistë fierakë

‘Dua më shumë Shqipërinë’, koncert për Pavarësinë në Fier! Bëhen bashkë 70 artistë fierakë