Miliona amerikanë do të dalin sot në mesditë me orën lokale në një protestë gjigande kundër administratës Trump. Plot 3000 marshime do të mbahen në 50 shtetet amerikane dhe në 16 vende të botës. Marshimi me sloganin ‘No Kings’ është i organizuar nga një koalicion aktivistësh, sindikatash dhe organizatash jo qeveritare që kundërshtojnë politikat e Trump. Ata presin që kjo do të jetë protesta më e madhe në historinë e Amerikës.
Mesazhi që marshimi global ‘No Kings’ përcjell sipas organizatorëve, është se liderët zgjidhen t’i shërbejnë popullit, jo një partie, jo një donatori e aq më pak një mbreti.
Vendi kryesor ku do të nisë protesta është Minnessota në Minneapolis, vendi që është përballur me qasjen më agresive të Trump kundër emigracionit, ku agjentët vranë dy amerikanët Renee Good dhe Alex Pretti.
150,000 amerikanë pritet të dalin në protestë vetëm në këtë qytet.

E ndërsa Shtëpia e Bardhë e konsideron marshimin ‘No Kings’ një produkt të financuar nga rrjetet majtiste, Australia, Amerika Latine apo Europa mendojnë ndryshe dhe kanë vendosur t’i bashkohen kësaj proteste globale.
Qindra njerëz u mblodhën në Paris të shtunën në mëngjes duke mbajtur pankarta në duar që lexonin ‘kur padrejtësia kthehet në ligj, rezistenca kthehet në mision.”
“Unë jam në protestë kundër luftërave të paligjshme, jo morale dhe të pafundme që ka ndërmarrë Trump. Ai qartësisht nuk ka asnjë plan dhe ajo që po bën është abuzim pushtetit” tha një amerikane në protestën e Parisit.
Edhe në Romë dolën me mijëra njerëz në protestë duke kritikuar hapur qeverinë e Giorgia Melonit dhe politikat e saj.

Protesta nisi nga Piazza della Repubblica dhe u përhap në disa zona të qytetit, me pjesëmarrje shumë më të lartë se parashikimet, aq sa organizatorët u detyruan të ndryshojnë itinerarin gjatë marshimit për shkak të turmës së madhe.
Në qendër të protestës ishte kundërshtimi ndaj luftërave dhe rritjes së shpenzimeve ushtarake. Një nga zërat kryesorë, Angelo Bonelli, akuzoi drejtpërdrejt qeverinë Meloni se po e çon vendin drejt një “ekonomie lufte”, duke rritur shpenzimet ushtarake deri në 5% të PBB-së, ndërkohë që – sipas tij – shëndetësia publike është në krizë dhe varfëria po rritet.
Protestuesit akuzuan gjithashtu liderë ndërkombëtarë si Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu për përshkallëzimin e konflikteve, ndërsa kërkuan një model tjetër zhvillimi, të bazuar te paqja dhe energjitë e rinovueshme.
Protestat vijnë ndërsa bota është në ankth nga lufta e SHBA-ve dhe Izraelit me Iranin që ka ngjallur ankth dhe panik për furnizimet globale si pasojë e mbylljes së Ngushticës së Hormuzit.
Komente









