Deputetja e PS Bora Muzhaqi ishte e ftuar këtë të enjte në ‘Sot Live në Shqipëri’. Që në fillim të intervistës ajo komentoi rreth protestës në kryeqytet që po zhvillohet prej më shumë se një muaji. Muzhaqi theksoi se mazhoranca ka dëgjuar dhe vijon të dëgjoj kërkesat protestuesve.

“Mazhoranca gjithmonë ka ditur t’i dëgjojë qytetarët. E e ka bërë këtë që në krye të herës dhe do ta vijojmë ta bëjmë. Ne vazhdojmë t’i dëgjojmë kërkesat legjitime të protestuesve dhe i kemi marrë parasysh”, tha ajo.

Analisti Alban Daci në një lidhje të drejtpërdrejtë tha se nuk ka protestë që rrëzon në qeveri në një vend demokratik. Megjithatë sipas tij pyetjet e ngritura nga protestuesit ende nuk kanë marrë një përgjigje.

“Nuk ka protestë që rrëzon në qeveri në një vend demokratik, megjithatë kjo protestë ka ngritur pikëpyetje që ende nuk ka marrë përgjigje. Kemi një problem thelbësor në këto 36 vite: nuk kemi shpërndarje të barabartë të meritrokacisë. Sfida më e madhe e PS është të bëjë një paqe sociale. Rasti i fundit që PS e ka humbur realitetin është koncerti, nuk jemi kundër artit e kulturës, por nuk besoj se nuk e kishim të nevojshshëm një koncert të tillë” tha ai teksa shtoi se ligji për investime strategjike s’garanton mirëqënie.

Muzhaqi rrëzoi poshtë këtë argument duke thënë që ka ndikuar te turizmi, duke qenë se ka pasur në fokus të tijin këtë sektor.

“Sa i përket ligjit për investimet strategjike, në fokus ky ligj ka qenë turizmi. Është shumë e vështirë që ligjet të qëndrojnë të njëjta, ata ndryshojnë sipas kohës. Ne kemi ligje që ende nuk janë në një linjë me Bashkimin Europian” tha Muzhaqi.

“Sa marka të famshme operojnë në jug, se mesa di unë nuk ka asnjë”, shtoi Daci.

Moderatori Nertil Agalliu e pyeti Muzhaqin edhe në lidhje me deputeten e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, që bëri publik mocionin e dorëzuar në Asamblenë e Përgjithshme të PS-së, përmes të cilit propozon hapjen e një dialogu kombëtar mbi “Marrëveshjen e Re për Shqipërinë”.

“Se di çfarë ka publikuar Spiropali, por një nga pikat më të forta që ka  PS është mendimi ndryshe”, tha ajo.

Ndërkohë Daci e pyeti se çfarë kriteresh duhen për t'u bërë deputet në PS.

"Kushtetuta përcakton 3 kritere: të jetë 18 vjeç, të jetë shqiptarë, dhe mos të jetë i dënuar. Ndonjëherë ne i gjykojmë njerëzit nga mungesa e komunikimit në publik", tha Muzhaqi.

Sa i përket mungesës së opozitës në Kuvend, ajo tha se asnjë nuk përfiton nga ky bojkotim.

"Nuk përfitojmë nga bojkotimi i opozitës, është komplet e kundërta. Është mirë që të kemi një bisedë konstruktive", tha Muzhaqi.

"PS ka një standard profesionist dhe ata që kanë zgjedhur rrugën më të shkurtër, dhe këto po e dëmtojnë PS", u shpreh Daci.

Nga ana tjetër Muzhaqi shtoi se PS ka ende sfida që duhen zgjidhur dhe po punojnë për këtë.

"Kemi ende sfida për të zgjidhur. Ne kemi një listë detyrash për të bërë të dhënë nga BE. Është hapur një dritare dhe kjo tregon se Shqipëria po i bën mirë detyrat e Shqipërisë. Ne kemi 1000 persona nga administrata publike merren me punë për rrugën drejt BE-së", tha ajo.

Ndërkohë Daci theksoi se mazhoranca duhet të zgjidh çështjen e protestës, sepse sipas tij kjo dëmton vendin.

"Qeveria duhet të shmang një konflikt social. Shqipëria është në një moment kritik. Sa më shumë ta neglizhoni aq më keq do të bëhet", përfundoi Daci.