Është bërë e udhës që sa herë ka lëvizje apo ngjarje në politikën shqiptare, fillojnë disa të artikulojnë termin revolucion!

Kjo ndoshta ndodh, sepse ka një uri për një revolucion në Shqipëri! Në fakt, Shqipëria vetëm njëherë ka bërë një të tillë, atë të qershorit! Nuk është se na pëlqejnë shumë ngjarjet e vrullshme e aq më pak revolucionet! Por, uria për një të tillë vazhdon të jetë e madhe në mjedisin shqiptar. Kjo ndodh, sepse duan të jenë dëshmitar të ngjarje madhore me pasoja të mëdha, ose nga monotonia se ujërat nuk ndryshojnë asnjërën e të paktën njëherë të jenë dëshmitar kur të ndodh!

Revolucionet rrallë ndodhin kur vijnë jashtë krejt sistemit,  por thuajse ndodhin gjithmonë kur kundërshtarët brenda llojit bëhen të padurueshëm, hapësirat për të gjitha palët bëhen të pamjaftueshme dhe për pasojë nis përplasja e madhe për sfida të mëdha, pa amnisti dhe ku kuptimet e miqësive të dikurshme jo vetëm nuk ekzistojnë më, por nuk kanë as efektin e nostalgjisë. Pra, nis lufta frontale që ndryshe njihet revolucion dhe pala që humbë, humbë gjithçka e pala që fiton fiton gjithçka! Nis lufta ku amnistia është mëshirë dhe falja është nënshtrim.

Pas rrëzimit të murit të Berlinit dhe ngjarjeve të '90, sa herë ka pasur kriza në Shqipëri, ato janë artikuluar si revolucione.

Në fakt tashmë mund të themi se ka nisur një revolucion i vërtetë dhe ky është ai i Veliaj! Hapësira e këtij të fundit në PS është bërë e vogël e thuajse përjashtuese. Pushteti  është zëvendësuar me një qeli izolimi! Kjo e fundit siç ka ndodhur me të tjerë para tij, kthehet në një mundësi reale për reflektim, por edhe një hapsirë për frymëzim për hakmarrje dhe rikthim! Kur një politikan qëndron vetëm në errësirë, i izoluar, ai fillon t'a mendojë veten dhe t'a  projektojë të ardhmen e tij, vetëm pa ata që dikur i kishte miq apo bashkëpuntor! Zakonisht, politikani i izoluar e kërkon mbështetjet tek njerëzit e thjeshtë dhe harton projekte apo platforma kundër atyre që kanë privilegje.

Veliaj nuk është një i "vdekur" politik, është një politikan i arrestuar, por me forcën për t'u rikthyer kundër realitetit që i përkiste dikur! Ai kërkon të bëjë një tabula raza, për të filluar të gjithë sistemin nga fillimi duke krijuar një hapsirë krejt të re pushteti, të madhe dhe duke përjashtuar të tjerët që janë pjesë e këtij realiteti.

Veliaj, sot ka pengesën më të madhe atë të drejtësisë e cila edhe në rrethanat më të keqija për të, mbetet një status i përkohshëm e ndërsa mundësia për pushtet për të mbetet aty, pas dere. Revolucioni i Veliajt sapo ka nisur!