Revolucioni Kulturor i Donald Trump

Revolucioni Kulturor i Donald Trump

Mao Ce-Duni

Kur zv.Presidentit të SHBA-së, J.D. Vance, foli rreth “rrezikut të brendshëm” të Europës gjatë Koferencës së Sigurisë në Mynih, publiku e pati të vështirë të kuptonte qasjen e re të Amerikës ndaj politikës së jashtme.

Nga ana e tij, Presidenti kinez Xi Jinping ka qëndruar relativisht i heshtur pas rikthimit të Trump-it në Shtëpinë e Bardhë, por kjo nuk do të thotë se ai është më pak I shqetësuar për pasojat e këtij rikthimi. As nuk mund të jetë qetësuar nga përgjigjia e guximshme e presidentit amerikan ndaj pyetjes se çfarë do të bënte nëse Kina do t’i shpallte bllokadë Tajvanit: “Xi e di që jam plotësisht i çmendur!”

John Barraso, kreu i shumicës në Senatin amerikan, u shpreh më me elegancë: “Është e qartë që Presidenti Trump kandidoi për të shqetësuar sistemin dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë”. Nuk është se e ka gabim. Brenda dhjetë ditëve të para të mandatit të tij të dytë, Trump firmosi mbi 50 urdhëra ekezekutivë; iu ofroi paketa largimi të gjithë punonjësve federal; tentoi të ngrijë financime të aprovuara ndërkaq nga Kongresi; kërcënoi shtete të tjera me tarifa dhe tronditi aleatët me një sërë diktatesh ofenduese.

Por ka një precedent për këtë blic politik të Donald Trump dhe ai është Mao Ce-Duni. Ndonëse Mao dhe Trump nuk kanë shumë ngjashmëri sa i përket gjeografisë, ideologjisë, apo modelit të flokëve, të dy mund të përshkruhen si agjentë të kryengritjes.

Prirja e Maos drejt kaosit ishte e rrënjosur thellë tek marrëdhënia e tij problematike me të atin, të cilin ai e përshkroi për shkrimtarin Edgar Snou si një “mësues të rreptë” dhe “njeri me temperament të egër,” i cili e rrihte të birin aq brutalisht, sa shpesh i qe dashur të largohej nga shtëpia. Megjithatë, nga kjo “luftë” Mao mësoi si të ngritne krye për veten e tij: “Kur i mbroja të drejtat e mia duke u rebeluar haptas, babai tërhiqej, por nëse qëndroja urtë dhe i nënështruar, ai më bërtiste dhe më rrihte më shumë.”

Kjo përvojë formuese në fëmijëri modeloi karakterin e Maos si individ dhe e tërhoqi drejt politikave opozitare, të cilat e ndihmuan të nxiste kaosin dhe rrëmujën që përfshinë Kinën për dekada të tëra. Siç shkruante akademiku dhe diplomati amerikan Richard Solomon gjatë Revolucionit Kulturor: “Kështu, përpjekjet e një individi të vetëm për të thyer vargonjtë e nënshtrimit personal, gjetën një kuptim më të gjerë në përpjekjen e një kombi për të ndalë nga nënshtrimi politik.” Këtu duhet theksuar se edhe Donald Trump, gjatë fëmijërisë së tij, i është dashur të përballet me një baba bullizues, i cili iu përsëriste vazhdimisht bijve të tij se do ta trashëgonin “mbretërinë” e tij vetëm nëse bëheshin “vrasës.”

Në rininë e tij, Mao u bë admirues i Monkey King, Sun Wukong*, personazh i romanit klasik kinez “Udhëtim drejt Perëndimit.” Mao ishte kaq i apasionuar pas figurës rebele dhe me fuqi të mbinatyrshme, slogani i të cilit ishte “Krijo kaos nën parajsë”, sa që e mbylli një nga poezitë e tij me vargjet: “Lëvdojmë Sun Wukong, mrekulli-bërësin!”

Kryengritja fshatare e 1920-ës, që Mao udhëhoqi kundër qeverisë nacionaliste të }iang Kai-shek, ishte vetëm fillimi i të ashtuquajturit “revolucion i përhershëm”, por dhe i një sërë fushatash politike shkatërrimtare dhe betejash për pushtet që pasuan themelimin e Republikës Popullore të Kinës më 1949-ën. Në vitin 1957, fushata kundër të djathtëve përndoqi qindra intelektualë, ndërsa nga 1958 deri në 1962-in, “Kërcimi i Madh Përpara” me synim kolektivizimin e bujqësisë shkaktoi mbi 30 milionë të vdekur nga uria dhe sëmundje të shkaktuara prej saj.

Por, lëvizja e tij më epike politike ishte Revolucioni i Madh Proletar i Kulturës më 1966-ën, i nisur si përgjigje ndaj asaj që Mao e konsideronte si rezistencë burokratike të udhëheqësve komunistë kinezë ndaj absolutizmit të tij. Ai shkroi “posterin e parë me gërma të mëdha,” përmes të cilit i bënte thirrje rinisë kineze të ngrihej dhe të “bombardonte zyrat” e partisë për themelimin e të cilës ai vetë kishte kontribuuar. Mes dhunës dhe kaosit që pasoi, shumë udhëheqës, si Presidenti Liu Shaoqi dhe Sekretari i Përgjithshëm i PKK-së Ten Hsiao Pin u spastruan, ndërsa të tjerë - përfshi edhe babain e Xi Jinping, zëvendës kryetari Xi Zhongxun - u dërguan në seanca të pafundme pune, shkolla për reformimin e mendimit të zyrtarëve, ose u vranë.

I sigurt për ndershmërinë dhe drejtësinë e kryqëzatës së tij kundër asaj që mbështetësit e Trump do ta quanin “deep state”, Mao botoi një editorial në gazetën “E Përditshmja e Popullit”, ku shprehej se “nuk ka nevojë t’i frikësohemi valëve. Shoqëria njerëzore ka evoluar përmes valëve të tilla.”

Besimi i palëkundur tek fuqia e rezistencës e shtynë Maon që të mbështeste konfliktin. “Pa shkatërrim nuk mund të ketë ndërtim,” deklaronte ai. Një tjetër slogan i kohës deklaronte: “Bota në kaos të madh: situatë e shkëlqyer!” Ky impuls për të shqetësuar ose “përmbysur” strukturën klasore të Kinës rezultoi të ishte shkatërrimtar. Megjithatë, për Maon dhuna dhe rebelimi justifikoheshin si elemente thelbësore për “realizimin e revolucionit” dhe ndërtimin e “KInës së Re.”

Administrata Trump ka një oreks po aq të madh për të nxitur përçarje dhe kaos. Alex Karp, drejtor ekzkekutiv i Palantir, bashkëthemeluesi i të cilës, Peter Thiel, është gjithashtu një ithtar i Trump-it, së fundmi e përshkroi transformimin e qeverisë së amerikane si një “revolucion”, ku “do të priten disa koka.” Dhe, kryeekzekutori i këtij revolucioni duket se do të jetë njeriu më i pasur i botës, Elon Musk.

Pavarësisht dallimeve të dukshme, Musk të sjell në mendje jo pak Kuai Dafu-në, të cilin Mao e caktoi të drejtonte lëvizjen e Gardës së Kuqe të Universitetit Tsinghua. Kuai jo vetëm shkaktoi kaos në kampus, por udhëhoqi 5.000 pjestarë të Gardës së Kuqe drejt sheshit kryesor Tiananmen, duke bërtitur slogane kundër Liu Shaoqi dhe Ten Hsiao Pin-it para se të tentonte të rrethonte ndërtesën e kryesisë, jo fort ndryshe nga mësymja e Donald Trump mbi Kapitolin në vitin 2021.

Duke qenë se Xi u rrit gjatë Revolucionit Kulturor të Mao-s dhe u dërgua në fshat për të “ngrënë hidhërim” për shtatë vjet gjatë rinisë së tij, ai pa dyshim mësoi diçka mbi mënyrat e përballimit të një kaosi të tillë. Megjithatë, Xi mund ta ketë të vështirë ta kuptojë plotësisht faktin që SHBA-ja - një vend që shumë kinezë e kanë admiruar prej kohësh, madje duke përdorur shprehjen “hëna është më e rrumbullakët në Amerikë sesa në Kinë”- tani ka prodhuar vetë një themelues të madh të kaosit të drejtuar nga lart-poshtë.

Trump mund të mos ketë aftësitë e Maos si shkrimtar dhe teoricien, por ai zotëron të njëjtin instinkt të egër për të hutuar kundërshtarët dhe për të ruajtur pushtetin përmes të qenit i paparashikueshëm deri në çmenduri. Mao, i cili me gjasë do ta kishte mirëpritur katastrofën që po shpaloset tani në Amerikë, duhet të jetë duke vështruar i lumtur nga parajsa e tij marksiste-leniniste, ndërsa era e Lindjes më në fund mund të jetë duke triumfuar mbi erën e Perëndimit - një ëndërr të cilën ai e shpresonte prej kohësh të realizohej./ Project Syndicate

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 30 Mars, 00:06

    Programi i PS, a ju duken të realizueshme objektivat ekonomikë?



×

Lajmi i fundit

Do të keni shpërblime të mundshme financiare, çfarë kanë parashikuar yjet për sot

Do të keni shpërblime të mundshme financiare, çfarë kanë parashikuar yjet për sot