Rexha: Muzika europiane
e Bethovenit na bashkon

Rexha: Muzika europiane<br />e Bethovenit na bashkon
TIRANE- Merita Rexha (Tërshana) njihet si një nga ekzekutueset më të mira të muzikës klasike në piano. Koncertet e saj mbresëlënëse me instrumentistë dhe këngëtarë të shquar të operës kanë marrë vlerësimet më të mira nga muzikologët. Ndërsa pianistja Rexha shfaqet aq e butë modeste në sytë e publikut, arritjet flasin qartë përmes tingujve të kompozitorëve të mëdhenj botërorë.

E intervistojmë Meritën “fjalëpakët” me rastin e një koncerti që do të jepet më  26 shtator ora 19:00 në TKOB. Maestro Dejan Savic, Drejtor i Teatrit Kombëtar të Beogradit, pianistja Merita Rexha dhe solistët Luca Franzetti në violonçel, Abigeila Voshtina në violinë do çelin sezonin simfonik me një koncert të veçantë.

Koncerti do të shoqërohet nga Orkestra Simfonike e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit. Simfonia Nr. 9, njohur ndryshe edhe si “Bota e Re”, kompozuar nga  Antonin Dvorak në1893 dhe koncerti për violinë, violonçel dhe piano ose Op 56: “Triptiku” kompozuar në 1803 nga Beethoven, vijnë këtë herë nën dirigjimin e maestro Dejan Savic, që vjen për herë të parë në vendin tonë për të nisur një bashkëpunim të suksesshëm artistik mes dy vendeve.

Merita Rexha thotë se “Maestro  Savic ka zgjedhur këto dy kryevepra të muzikës klasike për t’u ngjitur në skenën e TKOB. Ai ka drejtuar shumë festivale prestigjoze dhe shumë Orkestra Simfonike, Ansamble Koralesi si dhe ka interpretuar në vende të ndryshme të Europës dhe SHBA”.  Simfonia Nr. 9 e njohur më mirë si Simfonia “Bota e Re” u kompozua nga  Antonin Dvorak në1893 dhe është simfonia e tij më e njohur e pjesë e repertorit simfonik në të gjithë botën. Mbeti legjendë, ngaqë Neil Armstrong mori me vete një disk të kësaj simfonie në udhëtimin e parë në hënë në 1969.

Koncerti për violinë, vilonçel dhe piano ose “Triptiku” u kompozua nga Beethoven në 1803 dhe është koncerti i vetëm që kompozitori shkroi për më shumë se një instrument. Ndërsa para këtij koncerti pianistja Rexha rrëfen mesazhin e këtij koncerti dhe pse ky koncert ka vlera unikale.
 
Merita, ju keni pasur gjithmonë koncerte interesante, por këtë here jeni bashkuar me disa zëra të tjerë instrumental, ku mes tyre janë dhe dy artistë të huaj, si Maestro Dejan Savic (Drejtor i Teatrit Kombëtar të Beogradit) e violoncelisti Luca Franzetti. Çfarë do të jetë ndryshe për ju në këtë koncert?
-Tripli i Beethovenit është një vepër madhështore. Nëse zakonisht një orkestër luan me një solist, te kjo vepër Beethoveni vendos tre solistë: piano, violinë, violonçelë dhe orkestër. Kjo bën që gama e tingëllimit të koncertit të jetë e plotë dhe madhështore. Është një vepër unikale në llojin e vet. Kjo padyshim është e veçanta e këtij koncerti.
 
Gjatë koncerteve qe keni bërë, keni qenë e suksesshme, është e lehtë të organizosh koncerte në Shqipëri, të sjellësh publik. Sa vlerësohen këto koncerte?
-Arti nuk mund të jetë i shkëputur nga fushat e tjera në jetën e një vendi. Kur gjërat nuk shkojnë mirë apo ka kriza, arti është i pari që e ndjen natyrisht. Për të mos folur për traditën e relativisht të re që kemi në muzikën klasike.

Megjithatë unë mendoj që ky vend ka nevojë për muzikë të mirë klasike. Ai publik që i mbush sallat e operës dhe të koncerteve simfonike ka nevojë për të si për një ushqim shpirtëror.  Niveli shumë i lartë i arritur nga artistët shqiptarë është një vlerë e Shqipërisë dhe duhet mbajtur dhe ruajtur. Dhe nuk është gjë që arrihet për një ditë, janë dashur shumë vite pune dhe përpjekje për të arritur këtë nivel, me të cilin me të drejtë krenohemi. 
 
Duke bërë një krahasim me koncertet solistike të kolegëve të huaj në Europë apo në botë, cila është diferenca në pagesë? A ndiheni e vlerësuar materialisht?
-Jetojmë në një vend të varfër, ku nuk vlerësohet aq sa vlen, as puna e mjekut, as e mësuesit, natyrisht as muzikantëve. Unë kam vendosur të jetoj këtu, duke e marr parasysh këtë. 
 
Cili është mesazhi i këtij koncerti?
-Ne luajmë në drejtimin e një dirigjenti serb, bëjmë muzikë të bukur bashkë. Një javë përpara ndeshjes Shqipëri- Serbi. Nëse kjo ndeshje është politizuar shumë, unë do të doja që koncerti ynë të çonte mesazhin e kundërt. Jemi dy popuj që si gjithë popujt fqinjë kemi një histori mbrapa.

Por është momenti për të parë përpara, nga e ardhmja, për të jetuar sëbashku, për të bërë dhe muzikë bashkë. Urrejtja dhe mëria nuk të çojnë përpara, vetëm të pengojnë. Jam shumë e lumtur që në këtë koncert është pikërisht muzika europiane e Beethovenit ajo që na bashkon, serb dhe shqiptarë. Janë notat e atij kompozitori që ka shkruar himnin e Europës, Odën e gëzimit dhe të Vëllazërimit. Besoj se do jetë një koncert i bukur, që do sjelli energji pozitive dhe nivel të lartë. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 24 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ SHBA fiton medaljen e artë, thyejnë rekordin botëror

Paris 2024/ SHBA fiton medaljen e artë, thyejnë rekordin botëror