KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte thirur për të dëshmuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës, por nuk është paraqitur pasi ndodhej jashtë vendit. Në një prononcim për Report Tv, zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu thotë se Kurti nuk mund të ishte i pranishëm për shkak të axhendës.
Ndërkohë, Kryeziu thekson se Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpresë në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët.
“Prokuroria Speciale, përkatësisht prokurorët e rastit janë njoftuar se për shkak që kryeministri është jashtë vendit me agjendë të konfirmuar kohë më parë, ai nuk mund të jetë i pranishëm sot sipas ftesës së prokurorisë. Megjithëkëtë, kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyren e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë”, tha Kryeziu për Report Tv.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi-Hajdari tha për mediat se do t'i dërgojnë sërish fletëthirrje kryeministrit të Kosovës dhe do t'i caktojnë një datë tjetër për ta pyetur.
Kurti ishte thirrur për të dëshmuar për rastin e rezervave shtetërore, në të cilin janë të implikuar ministrja Rozeta Hajdari dhe afaristi Ridvan Muharremi.
“Në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor, i cili ia kishte pamundësuar [Kurtit] kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit, 2021, kurse tash, përmes kësaj ftese, po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2025”, shkroi ai pa dhënë më shumë detaje.
Ata u arrestuan në gusht 2024 pas publikimit të disa audio-regjistrimeve, në të cilat dëgjohen dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, të cilët gjatë një bisede pretendojnë se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk mbërriti kurrë. Sipas regjistrimeve e njëjta gjë ka ndodhur edhe me rezervat e grurit.