Rezhën nuk e mbyti kali në grazhd,
por mixha …(Sipas Demir Krasniqit)

Rezhën nuk e mbyti kali në grazhd,<br />por mixha …(Sipas Demir Krasniqit)
Dermir Krasniqi ka lindur me 10 shkurt 1950 në fshatin Tygjec te Dardanes ne Kosove. Punoi si mësimdhënës i kulturës muzikore në shumë shkolla të Kosovë. Këngës dhe folklorit deri më sot nuk i është ndarë asnjëherë.

Në opusin e tij krijues, ka më se 1500 këngë e valle origjinale, të thurura, të kompozuara dhe të incizuara nëpër disqe gramafoni, audiokaseta, videokaseta, CD e DVD. Është mbledhës i folklorit burimor muzikor dhe deri më tash ka grumbulluar mbi 4000 këngë të ndryshme, disa prej të cilave i ka të publikuara, e, që janë deshifruar nga etnomuzikologu Lorenc Antoni në blenet IV, V, VI dhe VII të “Bleni muzikor shqiptar.
Demir Krasniqi merret edhe me gazetari.Jeton dhe punon në Gjilan.


 
Ju dispononi tekstin origjinal të këngës së Rexhës,një këngë e njohur dhe e kënduar prej dekadash nga këngëtarë dhe rapsodë mwe zë në Shqipëri dhe Kosovë. A mund të spjegoheni më gjatë lidhur me këngën “Çou Rexho !” dhe historinë e saj ?
 
 Sipas burimeve të sigurta historike, kjo ngjarje ka ndodhur disa vite para se të mbahej Lidhja Shqiptare e Prizrenit, më 1878.
Ngjarja tragjike, ka ndodhur pikërisht në fshatin Stubëll , afër Medvegjës , rrethi i Jabllanicës.
Rexha, kur ishte  vetëm dy vjeç, i vdes babai  dhe ai rritet jetim nën përkujdesjen e nënës, e cila si nuse e re, ngeli mbeti vejë pa u martuar.

demir krasniqi
Demir Krasniqi

Sipas traditave dhe zakoneve , nëna e Rexhës, me qëllim që ta ruajë djalin që të mos mbetet jetim pa baba dhe pa nënë, kishte pranuar që të martohej me kunatin e saj, përkatësisht mixhën e Rexhës.

Mixha i Rexhës  ishte kujdesur për ta rritur nipin e vet ,Rexhën deri sa u bë për martesë. Pastaj edhe e fejoi dhe vendosi që ta martojë Rexhën me dasmë dhe krushqi , sipas zakoneve dhe traditave tona.

Ditën e dasmës së martesës së Rexhës, xhaxhait të tij, emri i të cilit nuk përmendet në këngë, i kishte hypur në kokë një mërzi e madhe, nga se mendonte se tash po sa të martohet Rexha, do të ndahet prej tij dhe do t’ia merrte gjysmën e pasurisë , e cila edhe me ligj do t’i takonte nga trashëgimia e babait të tij të ndjerë.

Kjo e solli  xhaxhain e tij deri në atë gjendje, sa vendosi që ta vriste bash në ditën e dasmës së tij. !

Për këtë qëllim, e mashtroi Rexhën dhe e çoi tek stalla e kuajve të dasmorëve, gjoja për t’iu dhënë ushqim kuajve dhe atje e vrau tinzisht në grazhd të kalit.

Pas këtij akti barbar, mixha i Rexhës kthehet vrap tek dasmorët ku ishin duke bërë aheng në odë dhe iu tregoi historinë e trilluar:
“Kuku bre, çka u ba ! Shkoi Rexha me iu qitë kuajve ushqim dhe njani prej tyne ka qitë shkelma , ku e ka lanë të dekur në vend,  në grazhd të kalit Rexhën.”

Dasmorëve të pranishëm , asnjërit nuk do t’i kishte shkuar mendja se këtë krim kaq mizor, do ta kishte  bërë pikërsiht xhaxhai i Rexhës, por të gjithë e morën si lajm tragjik të vërtetë dhe të rastit, që vërtetë kali do ta ketë mbytur me shqelma.

Për të vërtetën tragjike të këtij rasti, ka treguar nëna e Rexhës shumë vonë, pasi që i kishte vdekur burri i dytë, përkatësisht mixha i Rexhës, se vrasësi i vërtetë i Rexhës kishte qënë mixha i vet, e jo kali, siç është propaganduar dhe kënduar plot një shekull e disa dekada kjo këngë elegjiake.

Këtë këngë , ndër të parët e shpërngulur pikërisht nga fshati Stubëll i Medvegjës, e kishte sjellë në Gjakovë, familja e këngëtarit tonë të madh Qamili i Vogël ,Muhaxhiri , i cili është edhe këngëtari i parë që e këndoi këtë këngë në Radio Prishtina  që nga pas Lufta e Dytë Botërore dhe më vonë edhe nëpër disqe të gramafonit.

Kjo këngë është përhapur shumë shpejt nëpër të gjitha trevat dhe krahinat shqiptare , ku e kanë kënduar dhe e këndojnë  edhe në ditët e sotme, por që fatkeqësisht , shumica prej tyre edhe sot e kësaj dite ia atribuojnë këtë krim kalit, madje edhe duke u tallur e banalizuar në mënyrat më të çuditshme.
 
Ju jeni vleresuar si rapsod ,krijues dhe interpretuesi mijëra e mijëra këngëve rapsodike.Edhe shume vepra qe keni botuar,mbi 15,kane frymen e vendlindjes,te eposit popullor,frymezuar nga vendlindja e  juaj i dashur.Ç'ju ka mbetur peng qe edhe nuk keni realizuar per vendlindjen ?
 
Kam kompozitor mbi  4000 këngë dhe valle në frymën e melosit tradicional popullor burimor.

Kënga e parë që e kam kompozua  titullohej “Kënga e vashës” dhe këtë këngë e ka incizua në Radio Prishtinë  më 1969 , në duet me këngëtaren Liliana Çavolli.
Në Festivalin tradicional “Kosovarja këndon- 1976” në Ferizaj , kënga e tij kushtuar heroit të popullit Zenel Hajdini, jam  shpërblyer me vendin e parë të jurisë profesionale dhe me vendin e parë të publikut. Po ashtu , në Festivalin tradicional “Kosovarja këndon -1977” në Ferizaj  , jam  shpërblyer me një bibliotekë librash .Kam marrë pjesë në festival dhe grupe burimore,e në shumicën e aktiviteteve jam vlerësuar.

Që nga viti 1969 kam qenë anëtar i Lidhjes së Kompozitorëve të Jugosllavisë (SAKOJ) në Beograd , anëtar i Mbrojtjes së të Drejtave Muzikore të Autorëve (ZAMP) dhe anëtar i Lidhjes së Autorëve të Muzikës Popullore (SANAM) në Beograd .

Jam autori i këngës së parë kushtuar UÇK-së, me titull  ”Rroftë Ushtria Çlirimtare”, e botuar me tekst poetik dhe notal në të përditshmen “GAZETË E RE SHQIPTARE” në Prishtinë, më datën 17 Nëntor 1998.

Jam  kantautor i himnit të Televizionit të pavarur “Festa” të Kumanovës, himnit të “Liberalëve të Kosovës ”, “Himnit për Kosovën”, “Marshi i UÇK-së” dhe Himni i “Flakës së Janarit” në Gjilan si dhe krijues poetik i mijëra poezive dhe vargjeve të dedikuara për këngë dhe rapsodi popullore.
Gjithashtu  jammbledhës i folklorit burimor muzikor shqiptar,  e deri më tani kam  mbledhur, shënuar dhe daktilografuar mbi 13.000 këngë dhe valle popullore  të llojeve të ndryshme trojeve etnike shqiptare. Publicist i shumë studimeve etnomuzikologjike nëpër shumë gazeta, revista dhe agjenci të ndryshme të internetit.
Kam ushtruar edhe profesionin e gazetarit në radio dhe gazetar hulumtues i diplomuar, profesion ky që e kam ushtruar në shumë mediume publike elektronike dhe të shkruar. Ndër mediumet publike në të cilat kam punua si gazetar dhe moderator i shumë emisioneve, duhet përmendur  Radio “Viktoria” në Gjilan, Televizioni i pavarur “Vali” në Gjilan, gazeta “Bashkimi” në Gjilan, Gazeta javore “Fokus” në Prishtinë, gazeta javore “Perspektiva” në Preshevë dhe web faqja elektronike “Zemra Shqiptare” në Londër , “Rajonipress” në Gjilan  etj.

Jam vlerësuar me shumë stimuj moralë,e aktualisht jetoj me një pension minimal,që falë fëmijëve në emigracion,se do ishim ekonomikisht të pamundur për të përballuar jetën.

Krijimtaria iem është tërësisht e mbështeru në eposin legjendar dhe në traditat e të parëve të dhe vendlindjes.
       
Jetoj në Gjilan me moton “ Për emër të Zotit,/Për nderin e kombit,/Për gjakun e dëshmorëve ,/Për eshtrat e varreve !”
E duke qënë ky postulat motoja e punës sime në jetë,mendoj se nuk kam ndonjë borxh ,ndonëse gjatë krijimtarisë së tij artistike muzikore , si dhe mbledhjes së folklorit muzikor shqiptar nga të gjitha trevat shqiptare , askush nga ana e institucioneve tona relevante kulturore , qofshin atë lokale, qendrore , apo mbarëkombëtare , nuk më kanë  ndihmuar asnjëherë financiarisht  në botimin dhe publikimin e ndonjërës prej këtyre veprave.


Sipas versionit të melodisë së vjetër të kësaj kënge, tekstin e kësaj ngjarje në origjinal , e kam përpunuar dhe përshtatur për t’u kënduar në këtë variant :


Oh, para Lidhjes së Prizrenit –
Ngjarje t’ mëdha kanë ndodhë gjithë vendit !
N’ Jabllanicë e në Toplicë ,
Kriminelet e Serbisë –
S’i lanë vend kund shqiptarisë !

Oh, mbi tetëqind katunde t’ shkreta –
I përzunë prej trojeve t’ veta !
N’ rrugë t’ pa kthime i kanë nisë ,
Vuajtjet e muhaxherisë ,
Faqe t’ dhimbshme t’ historisë !

Oh, n’ fshatin Stubëll të Medvegjës –
Herët vdiq ai baba i Rexhës ,
La jetim një djalë në djep ,
Ia kish lanë emrin Rexhep ,
Mbet me nënën për gazep !

Oh, nëna e Rexhës derman s’ pat –
U kthye nuse për kunat !
Kështu zakon atëherë asht kanë –
Mos me e lanë djalin pa nënë ,
Shpi e plang shkret mos me i lënë !

Oh, mixha i Rexhës fort ish gëzua –
Me kunatë që ish martua ,
Pa bë dasmë , pa u harxhua ,
Shumë do pare i ka shpëtua ,
Hisen vëllait me e trashëgua !

Oh, kohë e gjatë kështu ka kalua –
Shumë për Rexhën është kujdesua !
U rritë Rexha me u martua –
Nuse t’ mirë i ka fejua ,
Dasmë të madhe i ka caktua !

Oh, n’ ditë të dasmës së martesës –
Shumë dasmorë ju kanë mbledhë Rexhës !
Mixha i Rexhës ish mbërthye –
I kish hipë dreqi mbi krye ,
Po donë Rexhën me e përmbi !
Oh, me pishman dasmën e nisen –
Se tash Rexha do t’ ma merr hisen !
Sillet mixha si n’ bela –
Po e banë plan Rexhën me e vra ,
Me ia marrë hisen për vëlla !

- O, hajde Rexhë, o nipi im ,
Me ju qitë kuajve ushqim !
Krushqit n’ odë këndojnë këngë t’ mallit –
Mixha i Rexhës bishë e malit ,
E vrau nipin n’ grazhd të kalit !

O, shpejt u kthye te krushqit brenda –
Ma vranë Rexhën , kuajt me shkelma !
Ja la krushqit me bajrak ,
Ja la nusen nën duvak ,
Ja la shkret shpi e konak !

Oh, ja la nënën me duar n’ gji –
E vrau nipin me tradhti !
Vajtojnë zogjtë mbi varr të djalit –
Mixha i Rexhës – arushë e malit ,
Ja la krimin shkelmave t’ kalit !

Oh, kaluan vjet , kaloi një shekull –
E vërteta mbeti pezull !
Për këtë ngjarje të vërtetë –
Ka tregua nëna e vet
Ma vrau Rexhën – mixha i vet !
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Kryeparlamentarja e Sllovenisë uron Spiropalin: Jam e bindur se do zbulojmë rrugë të reja për të rritur bashkëpunimin

Kryeparlamentarja e Sllovenisë uron Spiropalin: Jam e bindur se do zbulojmë rrugë të reja për të rritur bashkëpunimin