Miratohet rezoluta për financimet e huaja, Bushati kundër: Mos futemi në ujëra të turbullta, s'jemi vend dordolec! Gjoni: Duhet të flasë SHISH

TIRANE-Në komisionin e Jashtëm u miratua në parim mes debatesh projekt-Rezoluta e hartuar nga deputeti socialist Ervin Bushati "Për Ndërhyrjet e Huaja në Proceset Elektorale dhe Dezinformimin në Proceset Demokratike Kombëtare”, e cila u kundërshtua nga ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, i cili kërkoi që përpara se të veprohet duhet një qëndrim nga qeveria shqiptare që parlamenti të mos futet në ujëra të turbullta. Ai tha se nuk ka asnjë parlament në Europë që të merret konkretisht me emra shtetesh. Koha, sipas tij kur u shpallnim luftë shteteve ka mbaruar ne 8 dhjetor 1990. Disa nga kolegët e tij socialistë i sollën në vëmendjen rastin e lobimit rus të PD-së në SHBA, por Bushati u përgjigj duke thënë se "Lulzim Basha nuk ekziston për mua në këtë cështje dhe 10 zgjedhje të bëjmë do ta mundim".

Kryetarja e grupit Demokrat Rudina Hajdari tha se rezoluta është jashtë realitetit shqiptar. "Pse duhet të kesh frikë ti nga ndërhyrjet ruse, pasi 98% e shqiptarëve mbështesin SHBA-BE, ne problemin kryesor e kemi me liderët tanë" tha ajo. Ndërkohë që deputeti tjetër Ralf Gjoni tha pas përfundimit të komisionit në një prononcim për gazetaren e Report Tv, Klesiana Omeri se rezoluta që është përgatitur nga socialistët është diletane dhe propagandistike kundër opozitës. "Unë nuk e kuptoj thelbin dhe arsyetimin, pasi është diletante dhe nuk i shkon një vendi anëtar të NATO-s, bëhet propagandë për arsye partiake. Ka ardhur koha të ngremë shqetësime për seriozitetin e Kuvendit. Nuk mund të përmendim emra shtetesh pa evidentuar dhe pa filluar ndëshkimin e krimit të organizuar. Këtu sot ka para të pista ku blihet vota nga krimi dhe na sillet rezolutë për ndërhyrje të huaja, thjesht se dëshirohet të goditet Lul Basha apo ndonjë tjetër".

Por si e komenton ai qëndrimin jo të unifikuar të shumicës, pasi Ditmir Bushati shprehu kundër kundërshti. "Kjo nuk ka të bëjë me opozitë apo shumicë, por me një minimum profesionalizmi. Ditmir Bushati ka një eksperiencë të gjerë në politikën e jashtme dhe kam përshtypjen që mbështet në një eksperiencë të thellë dhe të gjerë që mund të ketë efekte madhore, politika e jashtme nuk duhet të jetë në shërbim të një parti. Duhet të evidentohen edhe ndërhyrjet e huaja nga klanet mafioze".

Gjoni tha në komision se ka informacione për financimet ruse të disa portaleve mediatike në Shqipëri por që nuk e provon dot pa mbështetjen e SHISH dhe shërbimeve të tjera.  "Ka disa tentativa në vite nga elementë të huaj për të penetruar në mjetet e informimit në Ballkan, përfshirë edhe Shqipërinë, mes tyre ka edhe elementë lindorë shqetësuar për të ardhmen demokratike të Shqipërisë, por nuk mund ta provoj pa pasur një mbështetje nga SHISH. Nëse ka informacion nga SHISH për ndërhyje kjo do të ishte katastrofë, kemi të bëjmë me vepra penale. Nuk mund të flasim kot në ajër, pa gjetur fajtorin, kush janë këta njerëz, pse nuk po ndëshkohen?".  

Në fund të prononcimit për Report Tv ai theksoi se shqetësim më të madh shikon Turqinë dhe vendet arabe në Shqipëri sesa Rusinë. "Çdo tentativë të Rusisë për të ndërhyrë në Shqipëri e shikoj me shqetësim, por më shumë Turqinë dhe vendet Arabe me tendenca islamike që mund të kthehen në parti politike dhe tendencën e Erdogan në Shqipëri, apo klanet e Camorra, apo edhe Iranin me tendencë dhe rrezikshmëri të lartë në Shqipëri. Por duhet të mbështetmi në fakte. Si mund të flasim për ndërhyje të huaja pa pasur një mbështetje nga shërbimet sekrete" përfundoi ai.

Debati në Komisionin e Jashtëm për rezolutën
Ervin Bushati: Kërkohet që institucionet të marrin masat, mbylljen e llogarive që cënojnë proceset demokratike. Ajo që po ndodh sot, minimi i proceseve demokratike. Tensionet etnike në Ballkan që sponsorizohen nga fuqi që nuk janë në NATO. Propaganda false në Ballkan. Prania e BE është kapitali i paqes dhe mirëqenies në Ballkan, prandaj kërkojmë që kjo rezolutë të kalojë dhe të hapë rrugën për një sërë ndryshimesh në legjislacion për dezfinformimin apo Fake Neës. Jemi vetëm fakti që jemi pro amerikanë nuk na bën imun të përçarjes apo lajmeve të rreme.

Ralf Gjoni: Kemi të bëjmë me akte që përbëjnë vepra penale që dënohen me burg. Nëse do e marrim në konsideratë në parlament, pse nuk ka informacion nga SHISH dhe të tjerat? Nuk mund të bazohemi te studimet, pse nuk kemi informacion nga SHISH?

Ditmir Bushati: A është konsultuar iniciativa me qeverinë shqiptare? Duhet të kemi një opinion të firmosur nga qeveria, pasi është njëlloj sikur ne të marrim një nisëm dhe të mos ketë opinion nga qeveria? Pas pasur qëndrimin e qeverisë nuk dua që parlamenti të futet në ujëra të turbullta. Cilat janë vendet që e kanë marrë një nisëm të tillë.

Ne marrim drejtimin e OSBE-së për pak kohë dhe kemi marrë disa zotime, prandaj te materiali që duhet të vijë nga qeveria duhet të dimë qëndrimin e Italisë dhe Sllovakisë. Bie dakord me Ralf Gjonin, se të gjitha ata që janë marrë me përkthimin e rezolutës së PE kanë bërë disa gabime, sepse rezoluta e PE ka 20 dokumente ku nuk përmendet vetëm Rusia.

Është kollaj kur kryetarja na drejtohet ministër, ministër, por ka qenë vetë ministre për katër vite. A është kjo rezolutë në përputhje me strategjinë kombëtare të sigurisë? Këtu mungon prania e Shqipërisë në NATO, pasi nëse sillni tre pika; ndërhyrja në zgjedhjet, sulmet kibernetike dhe dezinformimin. Në rezolutë nuk thuhet sa është në përputhje me sigurinë kibernetike të miratuar nga qeveria shqiptare, apo axhendën dixhitale të Shqipërisë.  

Rudina Hajdari: Pse merremi me një rezolutë që nuk i përket fare realitetit tonë, përsa i përket rastit të kryetarit të PD-së, i takon prokurorisë, të vijojë procesi dhe pas përfundimit mund të flisni. Ju po bëni një rezolutë kundër shefit tuaj në thelb, një lider në Shqipëri që është autokrat. Pse duhet të kesh frikë ti nga ndërhyrjet ruse, pasi 98% e shqiptarëve mbështesin SHBA-BE, ne problemin kryesor e kemi me liderat tanë.

Ralf Gjoni: Kush është këmba e Rusisë në Ballkan? Serbia! Kush po merret me Serbinë? Kryeministri Rama. Unë kam informacione për financimet ruse të disa portaleve mediatike në Shqipëri por nuk e provoj dot.

Ditmir Bushati: Nuk ka asnjë parlament në Europë që të merret me emra shtetesh, nuk ka as edhe një, as ato shtete që ju referuat. Koha kur u shpallnim luftë shteteve ka mbaruar ne 8 dhjetor 1990. Pse nuk shkojmë te dokumenti i strategjisë së sigurisë kombëtare? Lulzim Basha nuk ekziston për mua në këtë cështje dhe 10 zgjedhje të bëjmë do ta mundim. Kjo nuk është politike kush kujton kështu e ka gabim. Ne duhet të jemi të kthjellët nëse terminologjia është në përputhje? Znj. Kodheli as nuk po bëj propagandë po më duroni se e kam të nevojshme tju them dhe në funksion të arritjeve që ka ky vend se është vend anëtar i NATO-s, nuk është vend dordolec, po ju them dhe njëherë tjetër është vend anëtar i NATOS ky.

Dhe ju 2 vite keni bërë për të lëvizur nga ministria e Mbrojtjes ku ishit në Bulevard, atje të shkolla bashkuar, se është vend anëtar i NATO-s se kishte një infrastrukturë aty digjitale që e certifikon dikush tjetër dhe nuk mund të diskutojmë ne një rezolutë për sigurinë kibernetike, për dezinfomracionin pa pas konceptin e NATO-s. Nëse doni ta bëni bëjeni, nëse ju dukem se po ju bezdis me këto gjëra që po ju them, bëjini të gjitha. Po unë po ju them që na duhet një qasje kombëtare për këtë proces, siç e ka qeveria shqiptare siç e kanë të gjitha qeveritë me të metat e tyre, me defektet e tyre, me boshllëqet e tyre.

Adnor Shameti: Iu lutem kolegeve ti kursejnë leksionet

(Kliko këtu për të lexuar projekt rezolutën e PS-së për ndërhyrjet e huaja në proçeset elektorale)

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Egnatia pranë historisë, Edlir Tetova: Duam trofeun

Egnatia pranë historisë, Edlir Tetova: Duam trofeun