Dënimi i Hashim Thaçit dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së është, sipas Ralf Gjonit, rezultati final i një procesi që nisi menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe që kishte si qëllim goditjen e UÇK-së për të vënë në pikëpyetje legjitimitetin e shtetit më të ri të Ballkanit.
"Unë jam i bindur që fillesat e planit orgurzi për të ndërtuar fabulën fillestare dhe ngritur këto struktura dashakeqe janë në ditën e pavarësisë së Kosovës. Mbaj mend momentin që Hashim Thaçi shpalli pavarësinë e Kosovës. Në atë moment të gjitha forcat anti shqiptare në rajon, të sponsorizuara nga Serbia dhe Rusia kanë filluar përgatitjet për të prishur pavarësinë. Që në 2008 ka pasur bisedime për të parë se cfarë mund të ishte bërë nga UCK në Kosovë, pra për të delegjitimuar heroizmin e luftëtarëve dhe goditur legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës." tha Gjoni.
I ftuar në emisionin 'Sot Live në Shqipëri' në Report TV, Ish-këshilltari i Ministrisë së Jashtme tha se Serbia dhe Rusia punuan për vite për këtë qëllim, ndërsa Tirana dhe Prishtina nuk e kuptuan se ku po çonte procesi dhe më pas iu nënshtruan presionit amerikan dhe europian për krijimin e Gjykatës Speciale.
Sipas tij, edhe vetë Hashim Thaçi, i cili mbështeti krijimin e Speciales, nuk besonte se mekanizmi që Kosova pranoi të ngrinte do të përfundonte vite më vonë duke e dënuar atë me 25 vjet burg.
“Thaçi e hëngri. Ata ulën kokën ndaj presionit për të krijuar Dhomën. Ata nuk e dinin se çfarë i priste”, deklaroi Gjoni në emisionin “Sot Live” në Report TV.
Gjoni e vendosi hallkën tjetër të këtij procesi te hetimet e Dick Marty dhe pretendimet për të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë”. Pikërisht këtu, sipas tij, Tirana duhej të kishte kuptuar se çfarë po ndodhte dhe të kishte reaguar.
“Në vitin 2011 ka pasur një vizitë të Dick Marty në Shqipëri për të gjetur ‘Shtëpinë e Verdhë’. Që këtu duhej të kishim reaguar”, tha Gjoni, duke kritikuar mos reagimin e Sali Berishës dhe Ilir Metës lidhur me këtë çështje.
“Ne na është futur topi mes shalësh. Nuk kemi pasur informacion nga shërbimet sekrete shqiptare apo sinjalizim nga partnerët tanë. Pra, nuk e kemi kuptuar”, shtoi ai.
Pika vendimtare, sipas Gjonit, erdhi në vitet 2014-2015, kur mbi Prishtinën u ushtrua presion amerikan dhe europian për krijimin e Dhomave të Specializuara. Në gusht 2015, Kuvendi i Kosovës ndryshoi Kushtetutën dhe miratoi ligjin që hapi rrugën për ngritjen e Speciales.
Gjoni pretendon se në komunikimet diplomatike të kohës, Tiranës i ishte kërkuar të mos kundërshtonte, me argumentin se duhej të tregohej se drejtësia ndërkombëtare nuk po merrej vetëm me serbët.
“Prapa kuintave, në korridoret tona diplomatike dhe në ato të miqve tanë në Prishtinë [...] ne në Tiranë na thanë që ‘ju lutem mos hapni gojën, na lini të krijojmë këtë dhomë, se duhet krijuar ideja që nuk po godasim vetëm serbët, por po gjykojmë edhe shqiptarët. Jam takuar vetë me Thaçin. Ju siguroj që është biseduar mes Tiranës dhe Prishtinës, por nuk ka pasur asnjë dijeni apo besim nga Prishtina që këta do të përfundonin në burg”, tha Gjoni.
Gjoni solli në kujtesë edhe fjalët e Albin Kurtit para formimit të Speciales dhe theksoi se shqiptarët në të dyja anët e kufirit janë treguar naivë në diplomaci.
“Albini e tha me të drejtë që ‘Thaçi mendon që s'do përfundojë në burg, se po ta dinte s'do ta votonte kurrë’. Unë besoj nuk ka pasur dijeni dhe ne jemi treguar naivë në diplomaci”, deklaroi Gjoni.
Sipas tij, Tirana dhe Prishtina duhej t'i kishin thënë “jo” edhe Shteteve të Bashkuara nëse kjo ishte e nevojshme.
“Në ato momente mendoj që i duhej thënë ‘jo’ Amerikës. Ishte një kauzë e drejtë. Si mundet të hidhet ideja që duhen gjykuar krerët e UÇK-së bazuar në informacione të një spekulanti si Dick Marty apo Carla Del Ponte? Si mundej Tirana dhe Prishtina të pranonin një narrativë të tillë për të njollosur luftën e UÇK-së?”, tha ai.
Gjoni ngriti gjithashtu pretendimin se Rusia kishte ushtruar presion mbi administratën e Barack Obamës dhe se ky kishte qenë një faktor në procesin që çoi drejt krijimit të Speciales. Për ish-këshilltarin e Ministrisë së Jashtme, pasojat nuk përfundojnë me dënimin e katër ish-drejtuesve të UÇK-së. Ai argumenton se vendimi mund të përdoret në vitet e ardhshme nga Serbia dhe Rusia për të goditur narrativën mbi të cilën u ngrit shteti i Kosovës.
“Goditja e UÇK-së, mbajtja në burg e këtyre katër personave delegjitimon Pavarësinë e Kosovës. Kam shumë frikë se çfarë mund të ndodhë në Kosovë në pesë vitet e ardhshme. Ata janë në burg, në Holandë, si do t'i nxjerrin nga burgu? Presioni rus dhe serb do të jetë shumë i madh”, tha Gjoni.
Gjonii kritikoi gjithashtu edhe reagimin politik dhe qytetar pas vendimit ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, duke thënë se mobilizimi duhej të ishte shumë më i madh.
“Unë nuk shoh vullnet politik, nuk shoh as njerëz në rrugë. Në momentin që u dha verdikti i poshtër dhe malinj ndaj katër heronjve të Kosovës, e gjithë Rruga e Kombit duhej mbushur plot me njerëz. Albini duhej të mbushte sheshin”, përfundoi Gjoni.








Komente
Komento