Ish-zyrtari i Ministrisë së Jashtme, Ralf Gjoni dhe avokati Leonard Karaj kanë diskutuar mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, lidhur me hetimin e SPAK ndaj drejtoreshës së shkarkuar të Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, e cila dyshohet si bashkëpunëtore e Ergys Agasit, i arrestuar më herët në kuadër të dosjes AKSHI.
Gjoni tha gjatë fjalës së tij se ky rast do të çojë në ‘lëvizje tektonike’ politike dhe sipas tij, kryeministri Edi Rama ka marrë një ‘goditje’ shumë të madhe.
Më tej Gjoni ngriti pikëpyetje nëse Vlora Hyseni ka dhënë informacione jo vetëm për grupet kriminale, por edhe për shërbimet e huaja armiqësore ndaj Shqipërisë.
Sipas Gjonit, nëse kjo është e vërtetë, atëherë i gjithë reputacioni i Shqipërisë si një vend anëtar i NATO-s, ka rënë përballë Aleancës.
“Ne do të duhet të pranojmë se SPAK pavarësisht se është një organ prokurorie, i drejtësisë, nuk mund të përjashtojmë edhe elementin politik. Kur flasim për arrestimin, ndalimin e kreut të SHISH, mesa flitet edhe në media qenka rast unikal. Magnituda e kësaj ngjarje është shumë e madhe, shumë e fortë. Mund të çojë në lëvizje tektonike. Kjo mazhorancë, ky kryeministër, dje ka marrë një goditje shumë të madhe dhe një mesazh shumë të qartë. Ne që kemi punuar në shtet e dimë shumë mirë që Kreu i SHISH nuk mund të lëvizet nga detyra, pa një dakordësi nga partnerët tanë perëndimorë dhe sidomos amerikanët. Nuk e besoj që kjo lëvizje është bërë pa një dakordësi. Shpejtësia pastaj është shumë domethënëse. Nëse ti i jep informacione krimit të organizuar dhe bashkëpunon me të, a është e mundur që t’i i ke dhënë informacione sekrete edhe shërbimeve armiqësore ndaj Shqipërisë. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë i gjithë reputacioni i këtij vendi anëtar të NATO-s përballë aleancës është prekur. Pse Presidenti nuk ka mbledhur Këshillin e Sigurimit? Pse një shtetase nga Kosovë në krye të SHISH? Ajo mund të ketë qenë edhe e kompromentuar nga shërbimet serbe”, tha mes të tjerash Gjoni.
Referuar informacionit të rrjedhur nga SPAK, avokati Leonard Karaj tha se çështja nuk duhej parë si një histori rozë mes Hysenit dhe Agasit.
Sipas avokatit Karaj çështja duhet parë në një spektër më të gjerë, duke analizuar me kujdes të gjithë rrjedhjen e informacionit nga drejtoresha e shkarkuar e SHISH drejt grupeve kriminale
“Këtu është koncepti shtet. Nëse ne do e marrim në shkallë hierarkie, përtej SHISH unë nuk mendoj se ka një shtet tjetër. Nëse duhet ta shikojmë këtë histori rozë, i vëmë pullën e kuqe dhe jemi në rregull pastaj. Nga SPAK kanë rrjedhur pikërisht këto lloj mesazhesh, për t’i dhënë një adresim tjetër historisë. Unë nuk mendoj se është një histori rozë, shpirti, zemra, apo puç njëri, puç tjetri. Edhe sikur të kenë pasur një marrëdhënie intime, kujt i intereson kjo? Duhet parë përtej perdes, se çfarë ka bërë kjo zonja. Sepse kur kjo ka folur në këtë mënyrë me një person të prezumuar si të dashur, imagjino se çfarë ka bërë pastaj me azganë të kriminalitetit”, tha mes të tjerash avokati Karaj.
Lajmi kryesor:
Kreu i SHISH në arrest shtëpiak/ Topuzi: Hyseni komunikime me Agasin edhe ditën e arrestimit të tij! Alibeaj: Impulse nga partnerët e NATO-s për hetimin e drejtoreshës së shkarkuar!









