Gjyqtarja e Posaçme Irena Gjoka, e cila rezultonte të ishte dënuar në vitin 2005 nga një gjykatë e Janinës, është e bindur se nuk ka bërë asnjë shkelje kur nuk e ka deklaruar një fakt të tillë në formularin e dekriminalizimit. Në një letër dërguar Këshillit të Lartë Gjyqësor, ajo shpjegon se vetëm i është refuzuar, pa shpjegime, hyrja në territorin grek, ndërsa nuk ka pasur dijeni as për procesin dhe as për vendimin gjyqësor, i cili, sipas vetë ligjeve greke, është arkivuar dhe asnjëherë nuk ka marrë vendim të formës së prerë. Po për këto arsye, ajo deklaron se nuk është në kushtet ligjore ku funksioni i saj si gjyqtare mund të vihet në dyshim.

Ishte dhjetori i vitit 2002 kur policia greke i ndaloi hyrjen në Greqi, nga pika e Kakavijës, gjyqtares Irena Gjoka. Në letrën dërguar KLGJ-së, ajo shprehet se nuk mori shpjegim për këtë dhe u pajis me një vizë tjetër greke, por sërish, në shkurt të vitit 2003, iu ndalua hyrja në territorin grek.

Ndërsa bën të ditur se kishte autorizuar një shtetas grek, jo avokat, që të interesohej për shkaqet e ndalimit të hyrjes së saj, ajo deklaron se nuk ka marrë asnjë dijeni që në korrik të vitit 2005 një gjykatë në Janinë e kishte dënuar për falsifikim vize me tre muaj gjobë, të konvertuar në detyrimin e pagesës së një shume parash.

“Nuk jam njoftuar asnjëherë për procesin hetimor të zhvilluar ndaj meje. Nuk më është njoftuar akuza, nuk jam marrë kurrë në pyetje as në prokurori, as në polici, nuk jam njohur me përfundimin e hetimit apo me kërkesën për gjykim dhe me asnjë akt apo vendim tjetër të kryer gjatë procesit hetimor ndaj meje. Nga vendimi rezulton qartë se jam gjykuar dhe dënuar në mungesë",- thotë Gjoka.

Sipas saj, njoftimi i vendimit është bërë në një fshat të Janinës, gjë që e bën atë të parregullt, duke shtuar se nuk ka asnjë akt që dokumenton njoftimin apo përpjekjen për njoftim të këtij vendimi.

“Njoftimi për gjykimin e çështjes është publikuar në një fshat afër kufirit, vend me të cilin nuk kam asnjë lidhje. Konkretisht, nga përmbajtja e vendimit nr.1447/2005, datë 07.06.2025, rezulton se fletëthirrja nr.408/2004, e lëshuar nga prokurori i Gjykatës së Shkallës së Parë Janinë, i është dorëzuar sipas ligjit dhe brenda afatit, Kryetarit të Bashkisë Delvinaki, Janinë, nga punonjësi i policisë së Rajonit të Policisë Kakavijë, Janinë, sepse vendbanimi i të pandehurit është i panjohur. Kjo fletëthirrje është shpallur nga nëpunësi i Bashkisë në stendën e afishimeve publike. Për sa më sipër, ritheksoj se nuk kam marrë asnjëherë njoftim faktik dhe ligjor mbi procesin e zhvilluar ndaj meje në shtetin grek, për sa kohë mënyra e përzgjedhur e njoftimit, ajo e shpalljes publike pranë Bashkisë Delvinaki Janinë, nuk ka garantuar të drejtën time thelbësore për të marrë dijeni lidhur me këtë proces”,- thotë Gjoka.

Nga ana tjetër, pak ditë pas vendimit, hyrja në fuqi e një ligji tjetër në Greqi bëri që ai të mos ekzekutohej dhe të arkivohej, duke mos përfunduar në ndonjë gjykatë tjetër të shkallës më të lartë dhe duke mos marrë kurrë formë të prerë. Madje, duke iu referuar një vendimi të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për një rast të ngjashëm, arkivimi konsiderohet i barasvlefshëm me shfajësimin.

Për këto arsye, ajo thotë se nuk mund t’u përgjigjej veçse me “JO” pyetjeve në formularin e dekriminalizimit që lidhen me dënime apo vendime dënimesh.

“Dënimi nuk u regjistrua kurrë në regjistrin penal, dhe për rrjedhojë, dënimi konsiderohet juridikisht sikur të mos ketë ekzistuar kurrë”,- arsyeton Gjoka.

Ajo shpjegon gjithashtu se nga policia greke asaj iu ndalua hyrja në territorin grek, element që është i ndryshëm nga dëbimi, për të cilin ka pyetje në formular, të cilave ajo gjithashtu u është përgjigjur në formë mohuese.

Duke u ndalur te efektet e mundshme të situatës së krijuar në funksionet e saj si gjyqtare, Irena Gjoka në letrën e saj i referohet legjislacionit vendas, ku si shkak ndalimi për ushtrimin e detyrës për një magjistrat parashikohet një dënim i formës së prerë, që nuk është i tillë në rastin e vendimit të gjykatës së Janinës ndaj saj.

Për më tepër, ajo sjell në vëmendje se “vendimet e huaja, që të kenë efekte juridike në Shqipëri dhe të zbatohen, duhet të njihen nga gjykatat shqiptare” dhe se “vendimi i gjykatës së huaj nuk mund të njihet kur: a) vendimi nuk ka marrë formë të prerë sipas ligjeve të shtetit ku është dhënë” apo kur “vendimi nuk është dhënë nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme ose i pandehuri nuk është thirrur të paraqitet në gjykim ose nuk i është njohur e drejta që të pyetet në një gjuhë që e kupton dhe të ndihmohet nga një mbrojtës”.

Për këto arsye, gjyqtarja Gjoka thekson se “vendimi i dënimit jo i formës së prerë i Gjykatës së Shkallës së Parë Janinë nuk mund të përbëjë shkak për mbarimin e mandatit si gjyqtare, sepse ky vendim nuk cenon kushtet e zgjedhshmërisë. Ky vendim konsiderohet si i paqenë”.

Pjesë nga formulari i vetëdeklarimit të Irena Gjokës ku deklaron se nuk është e dënuar

Pas një verifikimi 2-vjeçar nga Prokuroria e Përgjithshme, rasti i gjyqtares iu dërgua Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili do të vendosë për fatin e saj.