Dy gra dhe tre fëmijë, janë riatdhesuar nga Siria. Ata mbërritën në Rinas nga Turqia në orën 01:20 të 26 gushtit, pas përfundimit të operacionit të koordinuar nga institucionet shqiptare, përfaqësive tona diplomatike dhe konsullore, si dhe autoriteteve të vendeve të përfshira.

Ata qëndronin në kampet e ferrit në Siri që prej luftës civile atje në 2014. Mes të riatdhesuarve është një 79-vjeçare, e cila kishte udhëtuar drejt Sirisë pas humbjes së djalit të saj, i larguar për t’iu bashkuar ISIS-it. Ajo kishte shkuar me qëllim marrjen dhe kujdesin për nipërit e saj. Pas rënies së strukturave territoriale të ISIS-it, H.T. kishte qëndruar në kampin Al-Hol, në kushte veçanërisht të vështira jetese, duke vijuar të kujdesej për fëmijë të mitur, përfshirë edhe dy fëmijë jetimë që ndodheshin nën kujdesin e saj.

Në Rinas për pritjen e tyre ishin ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, Koordinatorja Kombëtare kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Lejdi Dervishi, si dhe përfaqësues të institucioneve të tjera.

“Mirë se u kthyet në shtëpi!”, shkroi Lamallari, duke publikuar edhe pamje nga mbërritja e tyre.

Pas mbërritjes në Shqipëri, pesë të riatdhesuarit do t'u nënshtrohen kontrolleve shëndetësore dhe vlerësimeve psikosociale. Më pas do të vijojë procesi i akomodimit, rehabilitimit dhe riintegrimit të tyre në shoqëri.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se, më 26 gusht 2026, përfundoi operacioni për riatdhesimin vullnetar nga Siria të pesë shtetasve shqiptarë, nga të cilët gra e fëmijë. Operacioni është kurorëzim i një pune të gjatë dhe të kujdesshme, që kërkoi koordinim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve shqiptare, përfaqësive tona diplomatike dhe konsullore, si dhe autoriteteve të vendeve të përfshira.

Riatdhesimi i shtetasve shqiptarë nga zona të prekura nga konflikti është shprehje e përgjegjësisë së shtetit për mbrojtjen e qytetarëve të vet, edhe në rrethana të vështira dhe komplekse. Kthimi i tyre në atdhe përmbyll një fazë të rëndësishme të këtij procesi, por jo përgjegjësinë institucionale ndaj tyre. Pas mbërritjes në Shqipëri, shtetasve të riatdhesuar do t’u ofrohet asistenca e nevojshme dhe do të kryhen vlerësimet shëndetësore dhe psikosociale. Institucionet përgjegjëse do të vijojnë në mënyrë të koordinuar punën për akomodimin, rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri”, njofton Ministria e Jashtme.

Ministria e Jashtme falënderoi veçanërisht autoritetet siriane, të cilat mundësuan përfundimin e procedurave dhe tranzitin e sigurt të shtetasve shqiptarë.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme falënderon institucionet dhe strukturat shqiptare të angazhuara në këtë proces, si dhe autoritetet e huaja, veçanërisht ato siriane, që mundësuan përfundimin e procedurave dhe tranzitin e sigurt të shtetasve. Realizimi i operacionit dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të veprimit të bashkërenduar në përmbushjen e përgjegjësive të shtetit ndaj qytetarëve të tij”, thuhet në deklaratë.

Ministria e Jashtme thotë se Task-Forca ndërinstitucionale do të vijojë procesin për kthimin e shtetasve të tjerë shqiptarë që ndodhen në Siri, sa herë që të krijohen kushtet për kthimin e tyre të sigurt.

Operacioni i fundit i riatdhesimit të shtetasve shqiptarë nga Siria ishte ai i Eva Dumanit më 14 shkurt, e cila mundi të bashkohet me nënën dhe vëllain në Tiranë, 12 vite pasi u rrëmbye nga babai i saj xhihadist.

Lajmi në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:41
Pesë shqiptarë u riatdhesuan nga kampet e Sirisë, momenti kur mbërrijnë në aeroportin e Rinasit

 

Pesë shqiptarë, nga të cilët 2 gra e tre fëmijë u riatdhesuan nga kampet e ferrit në Siri. Ata mbërritën në Rinas nga Turqia në orën 01:20 të 26 gushtit. Në pamje shihet edhe momenti kur zbresin nga avioni dhe prekin tokën shqiptare.

Në aeroportin e Rinasit, për të ndjekur nga afër procesin e kthimit dhe pritjen e shtetasve, ishin Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, Koordinatorja Kombëtare kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Lejdi Dervishi, përfaqësues të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe të strukturave të tjera shtetërore të përfshira në këtë proces.

“Mirë se u kthyet në shtëpi!”, shkroi ministri Lamallari, në një postim në rrjetet sociale, duke shpërndarë dhe pamjet e operacionit.

Ministri Lamallari përgëzoi përfaqësuesit e të gjitha institucioneve të përfshira në Task-Forcën e ngritur me Urdhër të Kryeministrit, për përmbushjen e masave dhe koordinimin e nevojshëm për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë nga zonat e konfliktit.

“Përgëzime të gjithë përfaqësuesve të institucioneve të përfshira në Task-Forcën e ngritur me Urdhër të Kryeministrit për përmbushjen e masave për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë nga zonat e konfliktit. Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Arsimit do të vijojnë punën dhe koordinimin ndërinstitucional për vijimin e procesit të riatdhesimit të të gjithë shtetasve shqiptarë që ndodhen ende në Siri, duke garantuar respektimin e procedurave ligjore dhe të sigurisë, si dhe mbrojtjen dhe trajtimin e përshtatshëm të të miturve”, shkruan Lamallari.