Nuk është Iron Man dhe as pjesë e shkëputur nga ndonjë film me superheronj i “Marvel Cinematic Universe”.
Britaniku Richard Browning, vite me parë krijoi një kostum fluturues që rivalizon çdo gjë që kemi parë në ekranin e madh të kinemasë. Makina e tij fluturuese ka pesë motorë të vegjël, katër në duar dhe një në shpinë, të cilat mund ta mbajnë njeriun në ajër dhe ta lëvizin atë me shpejtësi mbi 50 kilometra në orë si dhe ta ngrenë në lartësi 3657m.
Pasi hyri në bisedime me marinën amerikane dhe marinsat mbretërore për përdorimit të makinës së tij fluturuese në rast lufte, ish marinsi nga Wiltshire trainoi edhe ushtarë të trupave të SHBA dhe Azisë Juglindore në kampin e trajnimit në terren, në Qendrën e Trajnimit të Komando-s në Devon.
Richard thotë se ai beson se makina e tij futuristike, mund të përdoret në luftime. Ai thotë gjithashtu se përmes saj, një ushtar i forcave speciale mund të lëvizë më shpejtë për të arritur në një objektiv të caktuar. Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes britanike është shprehur se: “Forcat ushtarake mbretërore gjithmonë punojnë me mendjet më të ndritura në Britani dhe në mbarë botën, për të parë se si teknologjia në zhvillim mund të mbështesë ushtrinë britanike për të pasur përparësi në të ardhmen."
Krijuesi i kostumit fluturues tani kërkon të krijoi një sport të ri, në të cilin pjesëmarrësit mund të sfidojnë njëri tjetrin duke fluturuar mbi ujërat e të gjithë botës. Dhe si për të treguar se gjithçka është e mundur, në Londër, mbi lumin Tamiz, ai kreu një demonstrim që nuk zgjati më shumë se 4 min.
Richard Browning, krijuesi i "Gravity", ka shëtitur gjithë botën duke demonstruar aftësitë e tij.
Përgatiti Ilir Çuçi