SKOCI- Panolinat e fëmijëve të vegjël do të përdoren për krijimin e disa objekteve shtëpiake. Një projekt pilot do të transferojë panolinat në objekte të nevojshme për shtëpinë.
Mesatarisht një fëmijë konsumon rreth 4.16 panolina në ditë dhe një shoqëri skoceze do të mbledhë këto panolina të përdorura dhe të ndotura, për t’i kthyer në objekteve të përdorshme.
Ky projekt pilot do të zgjasë rreth gjashtë javë dhe pritet të përfundojë në fund të muajit korrik.
Panolinat e mbledhura jashtë banesave të katër zonave urbane skoceze, do të riciklohen dhe transformohen, ashtu sikurse ka ndodhur edhe më parë me një projekt analog anglez, ku në përfundim do të krijohen tjegulla për çatitë e shtëpive, por dhe objekte të tjera si mobilje për kopshtet, ose kartona.
Të dhënat
Sipas të dhënave të ministrisë angleze për ambientin, çdo ditë një fëmijë konsumon mesatarisht 4,16 panolina me një total prej 4500, por mund të arrihet edhe në 6mijë.
Në Skoci, atje ku projekti do të marrë udhë, personi që ka lancuar idenë ka përllogaritur se çdo vit hidhen rreth 160 milionë panolina të ndotura.
Projekti
Për këtë arsye, katër shoqëri kanë përfshirë në këtë projekt 36 mijë familje dhe për gjashtë javë ata do të mbledhin panolinat për t’u përdorur më pas si materiale të riciklueshme.
Këto panolina do të transformohen në disa materiale të përdorshme si për shembull tjegulla për çatitë e shtëpive.
Nëse projekti do të ecë mirë dhe familjet skoceze do të përgjigjen pozitivisht, përfaqësuesit e komunës do të vijojnë mbledhjen e këtyre panolinave.

(b.gj/shqiptarja.com)