Në orët e para të mëngjesit të sotëm, 142 të dënuar të burgut të Fushë Krujës, janë transferuar në burgun e Durrësit dhe të Peqinit.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve deklaroi transferimet u bënë për shkak të rikunstruksionit që do të kryhet në burgun e Fushë Krujës.

57 të dënuar u transferuan në burgun e Durrësit dhe 85 në burgun e Peqinit.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, procesi i transferimit të të dënuarve është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe të sigurt.

Njoftimi

Në zbatim të Planit të Masave nr. 1261, datë 23.01.2026, dhe për shkak të rikonstruksionit të Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Fushë-Krujë, ka nisur procesi i transferimit të të dënuarve drejt institucioneve të tjera të vuajtjes së dënimit.

Konkretisht, janë transferuar gjithsej 142 të burgosur, nga të cilët 85 për në IEVP Peqin dhe 57 për në IEVP Durrës. Për realizimin e këtij procesi janë marrë të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen dhe shoqërimin e të burgosurve nga forcat operacionale, nën drejtimin e specialistëve përkatës. Gjithashtu, për lëvizjen janë njoftuar Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, si dhe komisariatet përkatëse, në përputhje me itinerarin e përcaktuar.

Autokolona me 57 të burgosur ka mbërritur pa probleme në IEVP Durrës, ku nga ana e institucionit janë marrë masat e plota për pritjen, kontrollin dhe sistemimin e tyre, nën drejtimin e drejtuesve të institucionit.

Po ashtu, autokolona me 85 të burgosur ka mbërritur pa probleme në IEVP Peqin, ku janë zbatuar të gjitha procedurat standarde për pritjen, kontrollin dhe sistemimin e të burgosurve, nën drejtimin e drejtuesve të institucionit.

Procesi i transferimit është zhvilluar në mënyrë të qetë, të sigurt dhe në përputhje të plotë me aktet ligjore dhe rregulloret në fuqi.