TIRANË - Inspektoriati i Deklarimit të Pasurive drejtuar nga Shkëlqim Ganaj do të kontrollojë dhe rikontrollojë, pasuritë e të gjithë gjyqtarëve të shkallës së parë dhe atyre të apelit. Ky lajm është njoftuar sot nga vetë institucioni, i cili i ka kërkuar edhe zyrtarisht institucioneve shtetërore dhe private, që kanë informacion për pasuritë e fshehura, veçanërisht Policisë dhe SHISH-it, që t'i ofrojnë bashkëpunimin e tyre.

ILDKPI-ja, thuhet në njoftimin për shtyp, "ka filluar kontrollin e plotë, rikontrollin dhe hetimin administrativ për të gjithë gjyqtarët pranë gjykatave të shkallës së parë dhe atyre të apelit.

Me qëllim kryerjen e një hetimi të plotë, të pavarur dhe gjithëpërfshirës, duke synuar mbledhjen e të dhënave të plota dhe të sakta, do të bashkëpunojë në mënyrë intensive me të gjitha institucionet publike e private, bankare financiare dhe jofinanciare, organet e auditimit dhe strukturat e tjera përgjegjëse në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik.

Në këtë kuadër, Inspektorati i Lartë, do të shtrijë bashkëpunimin konkret institucional edhe me struktura të tjera të cilat për shkak të natyrës së punës vihen në dijeni të informacioneve që mund t’i shërbejnë objektit të punës së Inspektoratit të Lartë.

ILDKPKI," - thuhet më tej, - "i ka kërkuar strukturave të specializuara të vendit tonë, si Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Shërbimit Informativ Shtetëror dhe degëve të tij në qarqe; Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, përfshirë dhe drejtorive rajonale të qarqeve, në rast se disponojnë informacione që lidhen me objektin e punës së Inspektoratit të Lartë, për pasuri të fshehura ose të vëna në kundërshtim me ligjin, për subjektet e deklarimit, gjyqtar pranë gjykatës së shkallës së parë dhe të apelit, t’i depozitojnë pranë Inspektoratit të Lartë."

Në përfundim të njoftimit, ILDKPI thekson se tashmë është duke ndjekur një politikë të hapur me qytetarët dhe mirëpret denoncimet prej tyre.

Televizioni "A1Report!" ka denoncuar ditët e fundit, fshehjen e pasurisë së një anëtari të lartë të KLD-së, gjyqtarit Gjin Gjoni, që u mundua ta konsideronte këtë denoncim si të stisur me synime politike, por ka qënë vetë ILDKPI që ka nisur hetimin ndaj tij duke publikuar deklaratat e falsifikuara të pasurisë nga gjyqtari.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)