Rikthehen 66 vepra në GKA
124 janë ende në kërkim

Rikthehen 66 vepra në GKA<br />124 janë ende në kërkim
Rreth 66 vepra arti, pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve i janë rikthyer institucionit.

Pikturat pas restaurimit mund të shihen në një ekspozitë që do të qëndrojë e çelur në 28 gusht.

Busti i Skënderbeut i Odise Paskalit, një vepër e mrekullueshme e Zef Kolombit, pikturat e Vangjush Mios, të Vilson Kilicës, vepra të Abdyrrahim Buzës, të Nexhemdin Zajmit, të Hasan Nallbanit e më gjerë janë një pjesë e historisë së artit shqiptar që i mungonte këtij institucioni.

Veprat ishin në listën e fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe që nga viti 1982 kanë nisur të merren gradualisht nga institucionet kryesore të vendit për dekorimin e ambienteve të tyre.

Kalimi i veprave nga galeria në institucionet e shtetit ka vijuar ritmikisht deri në vitet ’90, pa u hequr nga inventari Galerisë Kombëtare.

Drejtori Artan Shabani me marrjen e detyrës 4 vjet më parë nisi kërkimin e tyre, por për fat të keq nga 190 vepra, vetëm 66 prej tyre u gjetën.

Veprat janë vjedhur e keqtrajtuar nga vetë institucionet e shtetit. Ylli Drishti studiues arti dhe kurator në Galerinë Kombëtare të Arteve rrëfen për veprat e humbura.

“Koleksioni u kthye jo i gjithi, por vetëm, por vetëm gjysma pasi tranzicioni, mbyllja e shumë institucioneve kishte bërë punën e tyre, shumë vepra nuk u gjetën, kështu që nga rreth 190 vepra u kthyen 66 vepra në Galerinë Kombëtare me dokumentacion të rregullt”, u shpreh Drishti.

E pyesim Drishtin, nëse ka shpresa që të rikthehet ndonjë vepër tjetër dhe ku gjenden listat e veprave të humbura

“Sigurisht nga ana e Galerisë Kombëtare është bërë ajo që bëhet njoftimi ose kërkesa në prokurori, është bërë denoncimi dhe janë organet ligjore ata që e ndjekin. Ne kemi mbajtur dokumentacion të rregullt dhe i kemi vënë në dispozicion, pasi janë ata që e ndjekin dhe si të thuash mund ti gjurmojnë, ti gjejnë dhe t’ia kthejnë përsëri fondit publik dhe thesarit të kombit, siç janë veprat”, sqaroi Drishti.

Veprat e rikthyera edhe pse janë vetëm një e treta, janë pjesë e fondit të artë të Galerisë Kombëtare.

Në ekspozitën me 66 veprat e shpëtuara, gjenden autorë të shquar të viteve ‘40, ‘70, e ‘90-të që paraqesin zhvillimet më të mira të pikturës shqiptare. Ndërsa lista e veprave të humbura me pamjet gjenden ende në prokurori, shpresojmë që të merren masa konkrete për të kompensuar këtë dëm të madh ndaj kulturës kombëtare të shkaktuar nga papërgjeshmëria ndër vite e vetë institucioneve shtetërore.

Artan Shabani: I trishtuar që koleksioni është i paplotë
Drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Artan Shabani, ka shkruar në parathënien e katalogut të veprave të restauruara historinë e trishtë të humbjes së veprave të artit nëpër institucione.

“Galeria ka dokumentacion të rregullt”, deklaron Shabani ndërkohë që instititucionet nuk i disponojnë, dhe sipas tij bëhet fjalë për 96 vepra të cilat nuk i janë kthyer Galerisë Kombëtare. Ja si përshkruan ai historinë e humbjes së veprave dhe rikthimit të 66 prej tyre:

“Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë si institucioni i vetëm Kombëtar që mbledh ruan dhe ekspozon vlerat më të mira të arteve pamore shqiptare dhe ndërkombëtare, ka qenë ndër vite burimi i furnizimit me vepra arti të institucioneve të larta shtetërore.

Kjo praktikë nga fillimi i viteve 1990, si rezultat i një organizimi krejt të ndryshëm të jetës artistike në Shqipëri, në atë kohë dhe shpesh, orientohej nga nevoja për prestigj shtetëror në institucione të rëndësisë së parë.

Veprat nga GKA u shpërndanë ndër vite në rreth 20 institucione të ndryshme publike. Veprat më të hershme kanë dalë nga GKA në vitin 1981 dhe vazhdojnë me radhë ndër vite, deri në vitin 2005. Ato përbëjnë një koleksion prej 162 veprash arti në pikturë dhe në skulpturë, mermer, dru gur, bronz, qeramikë, të rreth 90 artistëve dhe dhe autorëve të nderuar të traditës, dhe atyre bashkëkohorë si Vangjush Mio, Abdyrrahim Buza, Odhise Paskali, Zef Kolombi, Sadik Kaceli, Kel Kodheli, Guri Madhi, Qamil Grezda, Angjelin Dodmasej, Zef Shoshi, Danish Jukniu, Sali Shijaku, Agim Zajmi, Ismail Lulani, Skënder Kamberi, Petro Kokushta, Hasan Nallbani, Agim Faja, Bashkim Ahmeti, Nikolin Ivanaj, Mustafa Arapi, Besim Golemi, etj. Me marrjen e detyrës si drejtues i GKA-së në vitin 2013, një nga premtimet e mia të para ishte përpjekja për kthimin e shumë prej këtyre veprave përsëri në fondin e Galerisë Kombëtare.

Plani ishte që pas kthimit në GKA, këto vepra do të kalonin në laboratorin tonë të restaurimit dhe më pas me to do të organizohej një ekspozitë e veçantë me publikun.

Gjatë viteve 2014-2015 bashkë me stafin e GKA organizuam punën për kthimin e tyre dhe arritëm të kthejmë 66 vepra, shumica në pikturë. pas një pune dyvjeçare restauruese këto vepra u vendosën në shasi të reja dhe korniza të përshtatshme për t’u ekspozuar para artdashësve.

Përveç kënaqësisë për tregimin e rezultateve të kësaj nisme, kam edhe një ndjenjë trishtimi, pasi prezantimi i këtij koleksioni është i paplotë. Në të mungojnë 96 vepra që nuk i janë kthyer GKA-së, pasi janë marrë nga institucionet që janë shpërbërë në vite, si dhe nga institucione të tjera që nuk i disponojnë më. për arsye nga më të ndryshme, edhe pse i kanë pasur me dokumentacion të rregullt nga ana e GKA-së sidoqoftë ndjehem mirë që veprat që arritën të marrim tashmë janë kthyer njëherë e mirë në GKA, pra në fondin kombëtar të artit pamor shqiptar"



[gallery]23601[/gallery]
Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Zjarri përfshin Parkun Kombëtar të Qafë-Shtamës, e vështirë të ndërhyhet nga terreni! Në operacion edhe 50 forca të ushtrisë

Zjarri përfshin Parkun Kombëtar të Qafë-Shtamës, e vështirë të ndërhyhet nga terreni! Në operacion edhe 50 forca të ushtrisë