Inter ka mundur 4-0 Genoa-n në javën e 30-të të Serisë A dhe ka përforcuar vendin e tretë në renditje. Lajmi tjetër i mirë për zikaltrit ka qenë edhe kthimi në fushë nga minuta e parë Mauro Icardi-t, i cili nuk luante që nga 9 shkurti i kaluar dhe për më tepër shënimi i një goli dhe një asist nga argjentinasi. Mauro Icardi u rikthye në fushë plot 53 ditë pas ditës kur klubi zikaltër vendosi t’i heqë shiritin e kapitenit, veprim ky që u pasua me një “luftë të ftohtë” mes palëve, fundi i të cilës nuk dihet ende. I vërshëllyer nga tifozëria zikaltër, por edhe nga ajo gjenoveze, pasi ka veshur fanellën e Sampdorias më herët, sulmuesi argjentinas u impenjua maksimalisht dhe luajti një rol mjaft të rëndësishëm në triumfin 0-4 të Interit ndaj Genoa-s. Ndeshja u zhbllokua nga Roberto Gagliardini, i cili shfrytëzoi mjaft mirë një pasim të Asamoah në zonë dhe e devijoi saktësisht drejt rrjetës. Momenti vendimtar i ndeshjes ishte në minutën e 39’, kur Romero ndali me faull Icardin brenda zonës dhe gjyqtari akordoi 11-metërsh dhe karton të kuq për mbrojtësin e Genoa-s.
Penalltinë e mori përsipër vetë ish kapiteni i Interit, që përpos vërshëllimave të të gjithë tifozëve të pranishëm, ruajti qetësinë dhe goditi saktë, duke dyfishuar avantazhin. Vlen të theksohet se festës së golit të Icardit iu bashkuan të gjithë futbollistët zikaltër, të cilët përqafuan dhe inkurajuan ish kapitenin e tyre. Në pjesën e dytë Icardi asistoi golin e tretë, që u shënua nga Perisiç, ndërsa 10 minuta nga fundi, Spalletti e thirri në stol, për të hedhur në fushë sulmuesin senegalez Keita Balde. Por llogaritë me Genoan nuk ishin mbyllur ende, pasi Roberto Gagliardini shënoi edhe golin e dytë personal dhe çoi shifrat në 0-4. Me këtë fitore zikaltrit hodhën një hap mjaft të rëndësishëm në rrugëtimin për një vend në Champions, pasi kanë filluar të konsolidojnë pozitat në vendin e tretë.
Empoli mund Napolin
Napoli ka zhgënjyer në transfertën ndaj Empolit, ku është mposhtur me rezultatin 2-1 dhe ka ndihmuar kështu Juventusin që t’i afrohet më shumë titullit të tetë kampion radhazi. Takimi është hapur në minutën e 28-të me një gol të Faria-s, por napolitanët kanë reaguar me një realizim të mrekullueshëm të Zielinski-t në të 44-ën. Goli që ka vendosur sfidën ka ardhur në minutën e 53-të dhe është shënuar nga Di Lorenzo, i cili ka befasuar mbrojtjen mike me një goditje me kokë. Në këtë ndeshje Elseid Hysaj nuk lunate për Napolin pasi ishte i dëmtuar, kurse Frederic Veseli luajti si titullar me Empolin.
Barazon Roma, humbet Lazio
Për të tretën javë me radhë, Roma dështon të fitojë, teksa këtë mbrëmje nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2 përballë Fiorentinës, përballë publikut verdhekuq në stadiumin “Olimpico”. Të besuarit e Claudio Ranierit e panë veten dy herë në disavantazh, pas golave të Pezzellas dhe ish-it Gerson, por në të dy rastet barazuan fillimisht me Zaniolon dhe më pas me anë të Perottit. Ky rezultat është mjaft pozitiv për skuadrën vjollcë, por një dështim për Romën, që nuk shfrytëzoi hapin fals të Milanit në garën për një vend në Champions dhe tashëm e sheh veten momentalisht në vendin e tetë të renditjes. Hap fals regjistroi edhe skuadra tjetër e kryeqytetit, Lazio, e cila pasi fitoi ndaj Interit në Milano javën e kaluar, sonte humbi 1-0 në transfertën nga Spal, sfidë që u vendos nga një gol i shënuar nga Petagna me penallti. Në sfidat e tjera të djeshme ne Serie A, Torino mposhti Sampdorian me rezultatin 2-1, ndërsa Frosinone mposhti Parmën me rezultatin 3-2, pas një penalltie të fituar në minutën e 99-të.