Rikthimi i aktorit Paulin
Preka nga Italia në Shkodë

Rikthimi i aktorit Paulin<br />Preka nga Italia në Shkodë
Rrëfehet në 80-vjetorin e lindjes, aktori  i madh shkodran i humorit Paulin Preka. Nuk kanë të shterur nostalgjitë, vështirësitë, arritjet në skenë të qindra roleve, të cilat edhe pse kanë kaluar mbi 8 dekada jetë janë të freskëta në mendjet e gjithsecilit. Askush nuk mund ta harrojë një emër si Paulin Preka, ndërsa Presidenca po; sepse ende nuk ia ka dhënë titullin e merituar “Mjeshtër i Madh”...

Pse u rikthye Paulin Preka në skenën e teatrit “Migjeni”?
-Unë u riktheva për 80-vjetorin. Forca e fëmijëve të mi më inkurajoi që të vij sërish në Shkodër. Më thanë që 80-vjetorin duhet ta festosh në Shkodrën tënde, me kolegët e tu e me popullin tënd. Më thanë kështu që të mos mbetesha i vrarë në shpirt. Erdha për të kënaqur veten e popullin tim.

Çfarë mendimi ke për artin që po bëhet sot në Shqipëri?
-Ka fonde, por nuk ka vullnet. Teatrot dhe komeditë kanë qenë dikur pa sallë, pa skenë vetëm dhe kanë dalë aktorët e mrekullueshëm që kanë luajtur drama e komedi. Disa shoqni “Iliricym”, tek shkolla “7 nëntori”, Adem Kastrati në anën tjetër apo Zef Jubani e Tinka Kurti.

Kisha dëshirë që në 80-vjetorin tim të bëja jo spektakël të zakonshëm por një mbrëmje familjare me 500 shkodranët e mi në teatrin “Migjeni”. I shoh në TV materialet e vjetra që jepen, me pakicë ka qenë spektatori në atë kohë. Më lindi një pyetje: a thua do mbushej salla e teatrit, sepse nuk kam aktruar ndonjëherë me sallë bosh. Në atë kohë kur gjenim sallën plot ne vlonim nga entuziazmi. Na shkoi 2 orë shfaqja. Kam marrë nga krijimtaria ime ndër vite. Kam marrë vetëm pjesë kryesore dhe i kam vënë në skenë. Të luaja sërish më miqtë e mi e aq më tepër përballë publikut tim, ishte një ëndërr që e realizova.

A ju mungoi ndonjë koleg në këtë shfaqje?
-Patjetër. Më mungon Tano Banushi, Hasan Smaja, Bik Pepa, Gjosho Vasia apo Hajrie Sula, që kanë vdekur. Më munguan edhe këngëtarët që janë gjallë si Fatmira Puka apo Tonin Tërshana e shumë të tjerë.

Aktiviteti juaj në Itali, nuk është artistik?
-Vetëm kur vijnë në Itali kolegët nga Shkodra apo edhe nga qytete të tjera të Shqipërisë shkoj bashkë me ta në festa apo organizime të tjera. Kemi shkuar në shumë qytete të Italisë për të bërë humor. Kemi festën e përvitshme të murales ku është piktura e Zojës së Shkodrës në Gennazano. Aty mblidhen të gjithë shqiptarët dhe bëjnë festë të madhe. Kam një kërkesë aktualisht për Festat e Nëntorit dhe është një rrugë e gjatë, mbi 1 mijë kilometra, por do shkoj.

Publikun në Shkodër si e gjetët?
-E gjeta aq sa nuk isha i zoti të dilja nga krahët e tyre. Kishin bërë një koktejl dhe po prisnin drejtuesit vendor. Vinin e më thoshin që eja se po të presin por ishte e pamundur nga numri i madh i personave që më ndalnin duke më përqafuar në sallën e teatrit.

Publiku ju njeh përmes qindrave roleve në skenë. Si nisi marrëdhënia juaj e parë me teatrin?
-Nisa rreth 8 vjet si fillim në teatër, kur ka qenë ende pa u inauguruar. Rolin e parë kam luajtur djalin e vezirit tek “Shtatë Shaljanët”. Isha 22 vjeç. Isha i veshur me mëndafsh. Aty jam fejuar. Më pas kanë çuar gratë për t’më parë, teksa luaja në skenë. Dhe ngaqë isha i veshur me mëndafsh, askush nuk ishte më mirë se unë....Nga rolet në teatër kalova Estrada se atje kishin nevojë.

Filluan t’më jepnin role si “sekretari i partisë”  apo “kryetari e partisë” ose “instruktori i partisë”  dhe “brigadieri”. Të gjitha këto ishin role që nuk e bënin për të qeshur spektatorin, sepse ishin në anën e pushtetit. Kur pashë që spektatori nuk qeshte, i them vetes që duhet të shkruaj unë për veten. Atëherë kishte pak që shkruanin vetë. Unë nuk kam bërë monologë apo dialogë, por kam bërë skeçe me trupën komplet në mënyrë që të gjithë bashkë të hanim bukë.

Çfarë kujtimesh u zgjon drama “Djemtë e Rrugës Pal”?
-Dramën e Ferenc Molnar e kemi luajtur me sukses me shokët e shkollës kur un isha 12-13 vjeç.

A ishte kjo dramë katapulta e karrierës për ju?
-Jo nuk është ajo. Është më e vonë. Kemi bërë një estradë në vitin 1952 që nuk e  dinim se çfarë ishte ajo gjini. E solli Andrea Skanjeti dhe e kemi luajtur me të madhin Tano Banushi dhe kemi qenë ne dy konferencierët tek “kinema verorja”.  Pati shumë sukses sepse doli një formë e re. Aty ishte edhe kritika edhe gazi edhe kënga dhe gjitha gjinitë i kishte brenda nga pak. Sidoqoftë aty nuk ishte katapulta ime. Kam kaluar më pas tek Shtëpia e Pionierit, në Klubin e Rinisë pastaj tek bashkimet profesionale e deri tek shtëpia e kulturës. Këtu u vu në skenë një komedi e Andrea Skanjetit.

Kisha rolin e Lypenit që ishte Arlekinoja i komedisë. Dashurohesha me shërbëtoren e zonjës. Aty u krijua një humor i madh. Këtë shfaqje e ndoqi Sadik Bosi që ishte sekretar i parë i partisë në atë kohë. Ishte në rresht të parë tek salla e vjetër. Teatri në atë kohë po ndërtohej.  Më pa mua dhe menjëherë i tha drejtorit të teatrit dhe Andrea Skanjetit, pse nuk e fusni në estradën profesioniste. Nuk ishte e lehtë se duhej aprovimi i Komitetit të Partisë. Aty ishte spuntoja për mua. Më pas më kanë çuar fjalë që të bëj biografinë e këto gjërat. Në shtator jam futur dhe në nëntor të atij viti u bë inaugurimi i teatrit.

Me 28 nëntor kemi bërë shfaqjen e parë të quajtur “reparti i operacionit të zemrës”. Kemi hapur siparin të dy, unë në një krah dhe Tano Banushi në anën tjetër. Ka vazhduar shfaqja. Aty mora më shumë profesionalizëm edhe pse e kisha pak nga koha e mëparshme.  Shkodra kishte 28 piano në atë kohë, kaq e kulturuar ishte Shkodra. Megjithëse në shumë fabula na ndërhynin. Duhej të bënim “korrjet e fshirjet”, “elektrifikimi” apo “10 korriku”. Kemi patur censurën e fortë dhe ka ndikuar shumë partia.

Pse në shfaqjen tuaj për 80-vjetorin kishte një banderolë “Paulin Preka, mjeshtër i madh”?
-Dëgjo. 18 vjet në Itali. Fillojnë e ftohen njerëzit. Kam ardhur vjet në Shkodër. I them gruas hapi valixhet sepse dua të dal. I kam rënë rreth e qark Shkodrës. Më shihnin njerëzit teksa ecja i vetëm e thoni: po ky çne?!  Në pedonale ka më shumë të rinj dhe ndoshta s’më njohin. Kur shkoj tek kinemaja më thotë dikush: a ke me ndez? Po more i them dhe ja zgjas çakmakun. Kur më pa, m’u hodh në qafë, ti je Paulin Preka tha, të marrsha t’keqen. I them mos m’përqafo se t’përqafoj unë se më ke njohur ti më i mefshti. Pra harrohen gjërat. Këtu është puna, që secili ma marrë riskun e vet. Kanë lëvizur njerëzit. Unë nuk kam ardhur kështu sa herë për t’i rënë kumbonës.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 8 Nëntor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje