Rikthimi i Igli Carës, i shtati në Durrës: Koalicion paszgjedhor me LSI? PD do ia dalë të fitojë e vetme (VIDEO)

Igli Cara për disa vjet ka qenë edhe kryetar i PD dega Durrës dhe ka drejtuar disa fushata në Qarkun e Durrësit. Ai është vendosur i shtati në listën e këtyre zgjedhjeve, çka do të thotë se pritshmëria për të grumbulluar vota prej tij është e madhe. Në një intervistë për Report Tv, Cara thotë se ftesa që ju bë për të kandiduar nuk ka qenë si nevojë e PD por se gjërat po shkojnë në vendin e vet.

Për Carën kjo është një fushatë ndryshe nga të kaluarat pasi nuk lejon grumbullimet masive por ama të kushtëzon të trokasësh në dyert e banorëve të zonës e të njihesh me hallet e tyre e më pas ti kërkosh votën. Ai thotë se situata ekonomike në Durrës është rënduar. Çmimet e energjisë elektrike janë rritur e po kështu edhe të ujit. Sipas tij kostot janë rritur me 7 mijë lekë në muaj për çdo qytetar në një kohë që pensionet kanë qëndruar në vend dhe nuk janë rritur as aq sa për të përballuar inflacionin. Igli Cara mendon se PD do ti fitojë zgjedhjet në mënyrë plebishitare njëlloj si në vitin 2005. Ai nuk preferon të analizojë listën kandidatëve për deputetë të PS por thotë se kundërshtari i tyre për tu mundur është Edi Rama. Cara sqaron se në bazë të sistemit është i lirë të kërkojë vota në të gjithë qarkun dhe jo vetëm në një zonë të caktuar sikurse janë lagjet 15,16 dhe 18 ku formalisht është caktuar. Lidhur me mundësinë e një koalicioni paszgjedhur PD me LSI ai thotë se ka besim se PD do ja dali e vetme të fitojë por nëse rezultati do ta imponojë diçka të tillë nuk do të jetë kundër vendimit të partisë. Për të, PS nuk po bën një lojë të pastër. Po shfrytëzon hallet e njerëzve për ti mbaruar punë kë këmbim të votave. Deklaratat e Ramës se nëse PS nuk i fiton zgjedhjet, procesi i vaksinimit dhe puna për rindërtimin pas tërmetit flasin për një lojë jo të pastër nga PS. E megjithatë thotë ai PD do të fitojë me 25 prill

            Përshëndetje! Jemi me zotin Igli Cara, kandidat i PD-së në listën e Durrësit për qarkun e Durrësit, një njohje e vjetër e politikës në Durrës por edhe më gjerë. Ka qenë deputet në legjislaturat e mëparshme në parlamentin shqiptar, kryetar i PD-së, aktivist social në shumë problematika të qytetit të Durrësit. Fillimisht, faleminderit që e pranuat ftesën për t’u intervistuar nga televizioni ynë. Suksese në punën tuaj. Si ishte ky kthim pas një periudhe relativisht pushimi po e quajmë disavjeçar në politikën aktive?

            Atëherë, rikandidimi mendoj që është i njëjti emocion si herën e parë. Unë e shoh si një përgjegjshmëri të madhe ndaj PD-së, por mbi të gjitha ndaj qytetarëve të Durrësit.

            Ishte më tepër nevojë e PD-së për ju apo e juaja, apo të dyja bashkë të ndërthurura?

            Të ndërthurura.

            Është një fushatë ndryshe kjo, e kushtëzuar nga situata e sëmundjes, e pandemisë dhe kështu që është edhe një eksperiencë e re ndoshta në mënyrën e të bërit fushatë. Si e diferenconi, e dalloni, si e shihni dallimin midis fushatave të mëparshme kur ju keni qenë edhe lider dhe kësaj fushate? Kush janë ndryshimet dhe a ka frymë, a krijon dot frymë kjo lloj fushate?

            Megjithëse është ndryshe, kuptohet për shkak të pandemisë, unë do të thosha që kjo është një fushatë e cila ndoshta nuk të krijon mundësinë për të bërë takime të mëdha, për arsyet që thamë, por të jep mundësinë që të kesh kontakte me qytetarët, me miqtë dhe me të gjithë dashamirësit. Por të jep mundësinë shumë që të kesh aksesin që të shkosh në çdo shtëpi, të shtrëngosh duart, të dëgjosh problemet, hallet e qytetarëve të Durrësit. Kuptohet që nuk krijon dot atë frymën si dikur, me flamuj në çdo lagje, por ama të jep mundësinë që të jesh brenda çdo familjeje dhe problemeve të tyre. 

D.m.th. ka specifikën e të njohurit më brendësisht.

Çfarë kam vënë re nga kjo fushatë. Kam vënë re që qytetarët na mirëpresin, shoh kudo një entuziazëm për ndryshim dhe kjo vjen për dy arsye kryesore. Në fakt, pas 8 viteve tanimë qytetarët janë të ngopur me mashtrime, janë të ngopur me gënjeshtrat e kësaj qeverie dhe mbi të gjitha unë besoj që qytetarët tanimë janë të bindur që ndryshimi duhet bërë jo thjesht se duhet të vijë një forcë politike apo duhet të dalë kandidat, qoftë edhe Igli Cara, por mbi të gjitha është një ndryshim i cili duhet të vijë për të mirën e qytetarëve të Durrësit. Kam biseduar me ta dhe të them të drejtën, fushata që po bëjmë është një fushatë, e përsëris shpesh, për normalitetin dhe për problemet e familjes së tyre. dhe problemi kryesor i çdo familjeje në qytetin e Durrësit është problemi ekonomik. Duhet të kemi paraysh që në këto 8 vite barra mbi këto familje është rritur nga kjo qeveri, energjia elektrike ju e dini shumë mirë se jeni edhe vetë qytetar i Durrësit, është rritur goxha. Ne kemi pasur një fashë 300 kw që ishte një fashë mbrojtëse për qytetarët në pamundësi të mirë ekonomike për të paguar. Kjo tanimë nuk ekziston. Kanë faturat e fryra, kanë faturat e ujësjellësit, kemi naftën më të shtrenjtë në Ballkan, sepse taksa Rama me 240 lekë për litër ose 24 lekë të rinj ka rënduar mbi çdo familje. Të gjitha këto nëse do t’i shohim janë një paketë shpenzimesh të tepërta për çdo familje, që shkon deri në 7.000 lekë të rinj ose në 70.000 lekë të vjetër, pa llogaritur këtu që nuk ka pasur fare rritje të të ardhurave. Pensionistët sot, 670.000 pensionistë në të gjthë Shqipërinë, janë pothuajse me të njëjtat vlera të pensionit si para 8 viteve. Pra nuk është ritur as sa ç’është inflacioni. Të mos harrojmë që pagat nuk kanë pësuar fare rritje. Bizneset, sidomos në Durrës, përveç faktit që 6 vite u rënduan nga taksat, por patën edhe për arsye të tërmetit dhe të pandemisë janë pothuajse në falimentim. 38% e biznesit flitet që janë me status pasiv në këtë moment sepse i kanë mbyllur për efekt se nuk mund të funksionojnë. Të mos harrojmë që studentët sot paguajnë më shumë, paguajnë tarifë studentore. Ligji i Arsimit të Lartë dështoi dhe këtë e tregojnë edhe grevat e studentëve. Gjithashtu kemi dështuar se nuk duhet të harrojmë bujqësinë, kemi dështuar në bujqësi sepse nuk kemi më investime të qenësishme, nuk kemi asnjë lloj subvencioni për fermerët. Të mos harrojmë që qyteti i Durrësit ka pasur përveç një qeverisje 8 vite të keqe, të mos harrojmë që kemi 20 vite që qeveriset nga e majta dhe sidomos në 14-vjeçarin e fundit paratë kanë shkuar në drejtim gjithmonë të gabuar dhe thjesht për përfitime të liderëve lokalë. Dhe ky është një fakt kur i gjithë investimi që është bërë dhe unë do t’ju jap një shifër. Në çdo vit Bashkia e Durrësit përveç të ardhurave të saj ka pasur grante rreth 4 milionë dollarë në vit, që për hir të së vërtetës, edhe në kohën e qeverisjes së PD-së por ka vazhduar edhe në kohën e qeverisë Rama, madje edhe është shtuar sepse Bashkia e Durrësit, siç ju e dini, është rritur, është zgjeruar. Dhe në këtë moment, të gjitha këto para që janë shumë, janë rreth 70 milionë euro, po të shohësh janë investuar të gjitha në lagjen, si të thuash në Durrësin e vjetër. Por është lënë pas dore fare Durrësi periferik. Kudo që shkon në Durrës nuk kemi më rrugë të shtruara, nuk kemi ndriçim, nuk kemi gjelbërim, megjithëse këta qytetarë i paguajnë edhe ndriçimin edhe gjelbërimin, paguajnë taksat lokale. Pra, e thënë për të dalë në fillim të fjalisë, qytetarët janë të mirëpritur sepse në këto 8 vite ku edhe qeverisja lokale edhe qeverisja qendrore ka qenë në duart e socialistëve ose më mirë të themi të administratës së Ramës, se nuk mund të themi më as që është socialiste, ata kanë vuajtur. Them që është administratë e Ramës se të them të drejtën në këto 8 vite, unë nuk dua shpesh ta përziej me socialistët Ramën sepse nuk ka asnjë pikë lidhje kontakti. Pse e them këtë? Nuk mund të thotë kurrkush që në këto 8 vite Rama ka bërë një politikë të majtë në qeverisjen e tij sepse në qoftë se do të bënte një politikë të majtë, unë do t’i thosha çdo socialisti që po, edhe mund ta mbrosh, por nuk shoh asnjë gjë pozitive, zero pozitivitet të qeverisjes së tij. Ai ka udhëhequr me një grup që mund ta quajmë pa diskutim grupi i Ramës dhe ka marrë të gjitha pushtetet në Durrës e në Shqipëri.

D.m.th. kjo ka qenë atmosfera që ju keni gjetur te kontaktet që keni pasur me elektoratin, të cilit i keni bërë edhe thirrje që të votojnë për ju. Në cilën zonë elektorale ju kanë caktuar administrativisht se ka një lloj ndarje, pavarësisht se pastaj votat shkojnë për këdo dhe nuk ka kufizime. Zona që ju mbuloni, cila është?

Atëherë, sistemi zgjedhor pavarësisht se unë kam vërejtjet e mia sidomos për sa i përket bërjes së listës me numra, sepse në njëfarë mënyre nuk shkon, nuk shkon fare, sepse krijon vështirësi te votuesit dhe mbi të gjitha nuk shprehet vullneti real se shpeshherë mund të ketë edhe pse jo, mos ekzaktësi në votim, për arsye se e gjithë fleta e votimit është vetëm me numra. Megjithatë kjo gjë tani ka kaluar, por ne votimin këtë radhë ose procesin e administrimit e kemi bërë në ndarje zonash për arsye të administrimit por jemi dhe kuptohet kërkojmë votat kudo në qarkun e Durrësit, nga Kruja deri në Durrës, Ishëm dhe kudo sepse është normale që ky sistem të jep mundësinë që votat personale, preferencat e qytetarëve për kandidatët, të shprehen më së miri në fletën e votimit. Pra nuk kemi ndarje, jemi të gjithë bashkë, jemi për një qëllim.

Lëviz domethënë kudo në të gjithë Qarkun e Durrësit.

Pa diskutim, deputetët janë të lirë të kërkojnë kudo. Kemi një ndarje për arsye administrative, por jo për arsye politike.

Po kandidatët për deputetë të palës kundërshtare, si i shikoni?

Jam përgjigjur edhe një herë tjetër për këtë pyetje. Unë mendoj që nuk e kam kurrë zakon që të merrem me rivalin tim politik, sepse e para, nuk flas kurrë kur nuk e kam përballë, në edukatën time, por mbi të gjitha mendoj se janë qytetarët ata që duhet të vlerësojnë kandidatët. Ne kemi vetëm një kandidat, mendoj përballë, dhe ai është Edi Rama që këtë radhë është listuar edhe në Durrës në listën e PS-së, i cili në mendimin tim është personi përgjegjës për çdo gjë që ka ndodhur në 8 vite dhe unë mendoj që i vetmi person të cilin unë do të etiketoja si një njeri që duhet larguar përgjithmonë nga politika, është Edi Rama. Pra nuk kam koment për rivalët politikë në Durrës.

Ju jeni nr. 7, sa prestigjioz aq edhe i rrezikshëm, po e quajmë vijë zjarri në kuptimin figurativ. Për juve është vlerësim dhe si e shihni rezultatin e nr. 7?

Unë nuk do të flisja fare për renditjen. Unë do të thosha që është vlerësim që jam në listën e PD-së dhe e rëndësishme është fitorja dhe të bëhet ndryshimi. Pra nuk ka rëndësi thjesht listimi në renditje në mendimin tim personal. E rëndësishme është që të bëhet ndryshimi, PD-ja të fitojë dhe qytetarët t’i kthehen normalitetit.

Keni besim që Igli do t’i marrë ato 9.000 + 1 apo sa duhen për të hyrë në votë preferenciale?

Ta thashë, nuk është e rëndësishme. Është e rëndësishme fitorja. Pra fitorja dhe rrëzimi i Ramës sepse të them të drejtën, e kam thënë edhe më parë, nuk është thjesht që të fitojmë një kandidat. Këtu bëhet fjalë që të heqim një të keqe nga kurrizi, të bëhet ndryshimi dhe të kthehet normaliteti për të gjithë ne. Në qoftë se nuk realizohet kjo, nuk kemi arritur asgjë.

Ju jeni marrë edhe me sport përveç aktiviteteve të tjera, se ne kemi njohje të hershme bashkë, si e sheh, sa deputetë sipas opinionit tënd dhe asaj që ke studiuar, u bë tashmë një muaj që ju jeni në terren.

Unë mendoj që Durrësi do të jetë kali i betejës dhe besoj që Durrësi do të bëjë ndryshimin e madh. Unë nuk kam dëshirë të jap numra, por besoj që do të jetë një fitore plebishitare dhe do t’i ngjajë vitit 2005.

D.m.th. rezultat i thellë. Është një situatë e vështirë. Ju pak a shumë i përmendët ato situatat dhe problematikat ekonomike, sociale, që ndeshet qyteti. Por do të doja të m’i thuash edhe njëherë shkurtimisht se cilat janë tre shkaqe ose tri arsye që duhet të vijë ndryshimi politik në Shqipëri.

Atëherë, unë mendoj që arsyeja e parë është arsyeja për të kthyer normalitetin në çdo familje durrsake dhe më gjerë në të gjithë Shqipërinë sepse kur ju thashë që familjet shqiptare janë në pamundësi ekonomike, e bazova në shifra dhe në fakte. Pra mbi të gjitha duhet kthyer normaliteti, duhet të rrisim ekonominë për çdo familje sepse të them të drejtën politika fillon mbi të gjitha në çdo familje. Së dyti, mendoj se duhet të votojmë për të ardhmen sepse është fakt i rëndë që 82% e rinisë kërkon të largohet nga Shqipëria, do të thotë që nuk ka shpresë. Pra dhe kur them të votojmë për të ardhmen, të votojmë për shpresën që rinia të qëndrojë në Shqipëri. Dhe mbi të gjitha të realizojmë atë ëndërr që e kemi mbi 30-vjeçare që të bëhemi vend anëtar i BE-së. Të dhashë tri përgjigje.

E kuptova sepse i thatë edhe më përpara këto tri problematika. Pyetja ishte më shumë për ta përmbyllur dhe e fundit fare, ju jeni i vjetër në këtë fushë, keni drejtuar disa fushata të PD-së dhe jo pa sukses. Si e shihni këtë fushatë, u bëe ndershme, keni informacione?

Atëherë, unë do të jap disa elemente edhe politike, por edhe lokale edhe të përgjithshme që kjo është një fushatë ndryshe, ku kundërshtarët tanë politikë çdo gjë e kanë bazuar tek intimidimi dhe tek ofertat ekonomike dhe kuptohet që duke gjetur shpeshherë një terren të varfërisë ekstreme që këta kanë bërë në disa zona të Durrësit. Unë besoj që kjo është nga ato fushata kur Rama bashkë, do ta thosha me plot gojën, me bandën e tij elektorale po mundohet në Durrës që të intimidojë administratën. E patë vetë kur bëtë një bisedë me zonjën Konomi, kur në njëfarë mënyre kërcënoi administratën, infermierët, që të votojnë në drejtimin e duhur. Kemi sot edhe largime nga puna dhe kemi fakte, i kemi të provuara. Gjithashtu kemi disa emra problematikë, pothuajse të gjithë punonjës të shtetit, që shkojnë në zonë dhe bëjnë oferta për të votuar PS-në. Unë jam i sigurt që këto nuk do t’u funksionojnë. Ndryshimi do të vijë pavarësisht kërcënimeve dhe presioneve që ata bëjnë. Të mos harrojmë që kryeministri Rama arriti deri aty dhe kjo tregon edhe papërgjegjshmërinë e tij politike si kryeministër, ku arriti dhe në njëfarë mënyre kërcënoi me jetë shqiptarët, kur tha që vaksinimi në qoftë se do të fitojë PD-ja do të stopohet. Kjo është e tmerrshme. E dëgjuar nga goja e kryeministrit është më shumë se kriminale. Me një fjalë, nuk mundet një kryeministër të kërcënojë popullin e tij me jetë, për të votuar dhe aq më tepër kur kërcënoi edhe në Durrës, ku tha që rindërtimi do të ndërpritet në qoftë se do të fitojë PD-ja. Unë dua t’u drejtohem qytetarëve të Durrësit që rindërtimi do të vazhdojë, madje do të vazhdojë me ritme akoma më të mira, ku do të ketë një diferencë të madhe edhe në mënyrën se si do të rindërtohet Durrësi. Të mos harrojmë që kemi fakte dhe argumente të forta të rindërtimit të shkollave që po bëhen 2-3 herë me vlerën që janë bërë në kohën e qeverisë së PD-së, që tregon hapur abuzivitetin dhe korrupsionin. Pra ë gjitha këto më bëjnë, të gjitha këto argumente, mund të themi me plot gojën që Rama po bën një fushatë aspak të ndershme, po bën një fushatë të cilën tërësisht e ka bazuar që të mos japë llogari në 8 vitet e kaluara, që është një normalitet politik që të japësh llogari për atë çfarë ke bërë, dhe mbi të gjitha në njëfarë mënyre këtë javën e fundit po mundohet të kopjojë diçka nga programi i PD-së dhe janë premtimet që po bën. Pra e tërë gjëja çfarë Rama po bën është e një politikani i cili e ndien që është në fund të karrierës së tij politike dhe po mundohet të kapet me disa lëvizje që unë jam i sigurt që nuk do t’i funksionojnë. Ndryshimi do të vijë.

Kam edhe pyetjen e fundit sepse kjo ishte edhe oferta juaj për elektoratin, d.m.th. na votoni se gjithçka do të vazhdojë më mirë. Kam edhe një pyetje të fundit. Nga pozicioni i politikanit që ti ke qenë dhe ke marrë vendime të rëndësishme në PD, si e sheh një aleancë të mundshme me LSI-në? Je dakord?

Unë jam shprehur gjithmonë që do të doja që gjithmonë PD-ja të fitonte e vetme, se unë i përkas PD-së dhe i ftoj të gjithë bashkëqytetarët e mi që të votojnë nr. 9 PD-në. Por vullneti politik ose vullneti i qytetarëve, është vullneti i qytetarëve. Në qofë se qytetarët do të vendosin që do të ketë koalicion, ne i përgjigjemi vullnetit të qytetarëve. Por unë jam i sigurt që në këto zgjedhje PD-ja do të ketë një performancë të shkëlqyer në fitore.

K.T./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Itali/ Zbulohet 'streha e kokainës', gjenden 76 kg drogë, pakot dorëzoheshin me furgon! Mes 2 të arrestuarve 1 shqiptar

Itali/ Zbulohet 'streha e kokainës', gjenden 76 kg drogë, pakot dorëzoheshin me furgon! Mes 2 të arrestuarve 1 shqiptar