"Rilindasi"/ 2 vëllime bibliografi për
 veprën e Kadaresë 1930 në Vlorë

 veprën e Kadaresë 1930 në Vlorë">
TIRANË - Bibliografitë janë libra tavoline, të papërfunduar në kuptimin e pasurimit të tyre të vijueshëm, duke mirëpritur të dhëna, regjistrime e sugjerime pune të reja. Utiliteti, lehtësia e përdorimit të të dhënave bibliografike e orientojnë dhe i mundësojnë lexuesit boshte të ndryshme të shfrytëzimit të lëndës. Bazuar në këto parime u konceptua projekti Bibliografia e shkrimtarit Ismail Kadare, që për hir të sasisë e larmisë së informacionit, të tipologjisë së shkrimeve autoriale e studimore u finalizua në dy vëllime. Kadare: Bibliografi (studime për të, 1953–2010) përbën pjesën e dytë të projektit, pjesa e parë e të cilit, Kadare: Bibliografi (vepra: 1948–2010), është prej një viti në duart e lexuesit.
 
Vëllimi është strukturuar në dy pjesë: bibliografi dhe tregues. Fillesat e shkrimeve mbi krijimtarinë e autorit marrin udhë me botimin e vëllimit të parë poetik Frymëzimet djaloshare (1954). Në të njëjtin vit, në revistën “Nëndori” të Tiranës, botohet recensioni i parë nga studiuesi Razi Brahimi.
 
Në kreun e parë të vëllimit janë pasqyruar parathënie e pasthënie, shkrime kritike e studime, që shoqërojnë veprat e autorit. Në vitin 1961, David Samojllov shkroi parathënien e parë për përmbledhjen me lirika në rusisht, e në rrjedhë vitesh, botimet e shumta të veprave të shkrimtarit, në shqip e në gjuhë të huaj, pajisen me shënime kritike, mes të cilëve spikasin É. Faye, J.-P. Champseix, A. Bosquet, J.L. Tingaud, C. Durand, D. Bellos, R. Eskarpit, J. Updike, B. Shuman, M. Dobrescu, M. Mandalà, B. Kuçuku, R. Ismajli, R. Kelmendi, J. Bulo, P. Asllani, M. Marku e të tjerë. Vend të veçantë zë vepra dymbëdhjetëvëllimëshe, botimi dygjuhësh frëngjisht-shqip i “Fayard”-it (1993–2004) dhe botimi njëzetvëllimësh i “Onufri”-t (2007–2009).

Në kreun Monografi, libra studimorë, disertacione, përfshihen 176 zëra, në kufijtë kohorë 1969–2010. Libri i parë kushtuar shkrimtarit vjen nga kritika botërore, më 1980-n; shkrimtari Th. Nydahl botoi në suedisht Liria e avokatit të popullit në poemë : shkrimtari shqiptar Ismail Kadare (1980). Vite më vonë, me zhvillimet demokratike në vend, studiuesi dhe shkrimtari Sh. Beqiri publikoi Sfida e gjeniut: Kadare, Ekzili, Kosova (1991).
Kreu Studime, artikuj shkencorë, përmbledhje, antologji, enciklopedi e të tjera, përfshin 1366 zëra bibliografikë, në periudhën kohore 1953–2010. Interes të veçantë për lexuesit e studiuesit përbëjnë kryesisht të dhënat në gjuhë të huaj që e rendisin Ismail Kadarenë shkrimtarin shqiptar më të studiuar, jo vetëm në trevat shqipfolëse, por edhe në arenën ndërkombëtare. Përkthimi i veprës kadareane në dyzet e pesë gjuhë përbën fenomen letrar në letërsinë shqipe. Vlen të shënojmë përfshirjen e tij në enciklopedi, fjalorë e atlase letrare, ndër më të rëndësishmet.

Pjesë integrale e vëllimit bibliografik janë treguesit, që mundësojnë lexim segmentar dhe lehtësi në shfrytëzimin e lëndës. Të hartuar në bazë të çelësave tematikë e lëndorë, ata mundësojnë gjetjen e menjëhershme të njësisë së kërkuar.

Kadare: Bibliografi (studime për të, 1953–2010) besojmë se krijon një bazë të mirë të dhënash studimore për I. Kadarenë, zgjon qasje e interpretime të reja, duke shërbyer si bërthama studimore të mëtejshme.


Kadare në gjuhët e botës, 1301 botime në 45 gjuhë

Studimi Bashkim Kuçukut “KADARE NË GJUHËT E BOTËS – botim i plotësuar” vjen me 664 botime të reja përfshirë në këtë ribotim…
 
Vepra e Ismail Kadaresë, më e madhja dhe më e begata në letërsinë shqipe, nuk është si çdo vepër, sado e pasur dhe cilësore të jetë. Ajo është dukuri më vete, më risorja dhe më e rëndësishmja. Me të, letërsia shqipe nga e paqenë për të huajt u bë e qenë, e njohur, e lexuar, madje dhe e çmuar.  Për herë të parë në historinë e vet, nëpërmjet saj është integruar në letërsinë europiane dhe botërore, dhe përfaqësohet denjësisht në hartën e tyre. Përhapja e saj, mendimi kritik në gjuhë të tjera, dhe, më në fund, vendi që zë në letërsinë e zgjedhur botërore, pa dyshim, janë pjesë e studimit të vlerave dhe të funksionimit të saj, tanimë, tej truallit amtar, në rrafshin gjithënjerëzor. Dhe, për këtë, ajo e meriton çdo mundim dhe çdo studim.

Përplotësimi i tretë “Kadareja në gjuhët e botës” ka qe në mjaft befasues. Nga 637 botime në 35 gjuhë, që kishte i dyti, janë njëjtësuar 664 të tjera, gjithsej 1301, në 45 gjuhë, ose, dyfishi i tyre. Nga 23 vepra kritike e studimore, 8 në frëngjisht, 1 holandisht, 1 në spanjisht, 13 në shqip, që kishte botimi paraardhës, i tanishmi ka 68 me përzgjedhje,  16 në frëngjisht, 8 në italisht, 6 në anglisht, 2 në gjermanisht, 1 në holandisht,  3 në spanjisht, 32 në shqip. Burimet janë tre: a) botimet dhe ribotimet e reja në gjuhët “e pushtuara” më parë; b) botimet dhe ribotimet e mëparshme, të cilët, nuk kishim mundur t’i njëjtësonim deri atëherë; c) botimet në gjuhë të tjera, “të pushtuara” rishtas. Në vitet 2000-2005-2015 kanë marrë përparësi botimet dhe ribotimet në anglisht, përkatësisht, në Britaninë e Madhe, Angli e Skoci, në SHBA, Kanada, Australi, ku kanë dalë mbi 70 tituj, më shumë se gjysma, apo, më shumë se në 35 vjetët e kaluar. 

Kjo ka qenë stina anglo-amerikane e veprës së Ismail Kadaresë. Denduri botimesh ka pasur në italisht, spanjisht, portugalisht. Ritmika e përshpejtuar e tyre ka ndryshuar edhe shkallaren e gjuhëve në të cilat është përkthyer. Italishtja, që ishte e nënta, është ngjitur e katërta, spanjishtja nga e teta e gjashta, portugalishtja nga e nënta e shtata. Të dhënat krahasues, 378 në shqip dhe 923 në 44 gjuhë të huaja, në përpjesëtimin 1 me 2.5, tregojnë, se, funksioni kryesor i saj prej vitesh nuk është më në hapësirën kulturore e gjuhësore letrare shqipe, por   në kultura e gjuhë të tjera, thënë ndryshe, funksioni kryesor i saj është ai gjithësor/universal.

Nëpërmjet saj letërsia shqipe ka fituar një funksion të ri, që, historikisht nuk e ka pasur. Edhe me librat studimorë, në shtatë gjuhë, është shndërruar në dukuri letrare europiane.

Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Ardit Bido: Vota e shqiptarëve ishte një sfidë për ty, Vangjel, Përgjigju!

Ardit Bido: Vota e shqiptarëve ishte një sfidë për ty, Vangjel, Përgjigju!