Rilindasi: Pilo Peristeri një
histori e pabesueshme

Rilindasi: Pilo Peristeri një <br />histori e pabesueshme
Cili ishte personi me emrin e një hierarku të lartë komunist të kohës që u vra si spiun amerikan nga regjimi i Hoxhës? A ishte akuza e vërtetë apo e stisur? A ka ekzistuar kjo histori dhe përse mbi të mund të ngrihen dyshime e pikëpyetje të mëdha? Përse për të nuk ka shkruar asnjë media tjetër perëndimore e kohës dhe as shqiptare në vitet e demokracisë? Kush e shkroi artikullin për Pilo Peristerin dhe pse ky i fundit mund të cilësohet si pararendësi i „Beut të Saukut”? A është historia e tij vetëm një blof i stisur?

-------------------------------------
Edhe pse kanë kaluar më shumë se 20 vjet nga rënia e komunizmit në Shqipëri dhe koha kur tashmë shumëçka në mediat shqiptare, sidomos në rubrikat dossier, s´të duket veçse një déjà-vu e radhës, sërish ajo rezervon shumë të fshehta e mistere. Një ndër to është edhe një histori e sjellë nga viti i largët 1954, nga një gazetë që botohej në një vend po aq të largët si Australia, e që në pamje të parë të lë gojëhapur, duke bërë të ngrihen njëkohësisht shumë pikëpyetje.

Në fakt artikulli i referohet një korrespondence speciale (pa emër) që vinte nga Trieste, në Itali, e që merrte shkas nga tregimi i një të arratisuri shqiptar të kohës. Ajo që të bën më shumë përshtypje është në radhë të parë emri i personazhit kryesor të kësaj historie: ai quhej Pilo Peristeri.
Gjithkujt që ka jetuar në kohën e viteve të monizmit në vend, sigurisht se së pari do t´i vinte ndërmend fytyra e njërit prej themeluesve të Partisë Komuniste, nga të vetmit të mbetur gjallë deri në fund të viteve të regjimit enverist në Shqipëri (përveç vetë Enver Hoxhës). Ai gjatë karrierës së vet, njohu disa ofiqe të larta në hierarkinë e shtetit-parti të kohës. Por jo, në artikull duket se bëhet fjalë për një tjetër Pilo, fillimisht me profesion mësues fshati e më pas një lloj financieri apo agjenti tregtar për llogari të shtetit, megjithëse në disa pika duket se në artikull mbizotëron konfuzioni e kontradiktat duke ia nisur nga: personazhi mban të njëjtin emër si ish-anëtari me shkollë fillore i byrosë politike, ai duket se vjen nga e njëjta krahinë si ai, cilësohet si themelues i Partisë Komuniste, por se këtu fijet këputen dhe ravijëzohet një personazh tjetër.

Një tjetër pikë interesante që del nga verifikimi paraprak që mund t´i bëhet historisë së sjellë nga kjo gazetë australiane, është se nuk rezulton që asaj t´i jetë bërë kurrfarë jehone në ndonjë media tjetër perëndimore të kohës, apo më pas nga mediat shqiptare në periudhën e demokracisë, ndryshe nga ç´është vepruar me histori të tjera, të njohura apo të panjohura më parë për publikun, duke e bërë atë në vetvete një ekskluzivitet e sensacion të përmasave të konsiderueshme, të paktën për publikun shqiptar të djeshëm e të sotëm.

Fakt tjetër është se artikulli në fjalë nuk shoqërohet me asnjë foto ilustruese dhe nuk është firmosur, le të themi, nga asnjë autor: gjithashtu nuk citohet as emri i të arratisurit shqiptar që kishte mbërritur me peshkarexhë në brigjet italiane dhe asnjë emër tjetër përgjatë gjithë historisë, siç mund të ishte ai i personit që e kishte spiunuar Peristerin - në dukje për hakmarrje - meqenëse Peristeri e kishte detyruar nën ndikimin e drogërave që të rikthehej në “atdhe”, pasi ishte arratisur drejt Italisë.
Në artikull thuhet se Peristerin e vrasin shokët e vet në festimet që po bënte paria komuniste për Vitin e Ri, e më pas thuhet se e vret skuadra e pushkatimit. Duket se përveç mistereve e kontradiktave që fsheh, kjo histori ka dhe një lloj ngjashmërie me një tjetër, shumë më të vonshme (por gjithsesi që buron nga e njëjta periudhë historike), tashmë e njohur në detaje për publikun shqiptar; ajo e të ashtuquajturit Beu i Saukut (Nazif Tuga) në fund të viteve ´80 të shekullit të shkuar.

Përtej këtyre konstatimeve e dyshimeve të sipërpërmendura, na vjen në ndihmë edhe studiuesi Kastriot Dervishi, njëkohësisht Drejtor i Arkivit së Ministrisë së Brendshme, i cili pas verifikimeve të veta, e përjashton kategorikisht një fakt të tillë, duke na pohuar se në arkiva nuk ekziston asnjë person i dënuar e ekzekutuar me vdekje, me këtë emër.

Sidoqoftë, nuk është qëllimi i këtij shkrimi aspak të bëjë avokatinë e faktit nëse kjo histori është apo jo e vërtetë. Ai përbën thjesht një kontribut real për të kuptuar më shumë se ç´mund të fshihte e ç´fsheh akoma ajo kohë nga njëra anë, e nga ana tjetër, të korrigjojë ndoshta e të shohë me sy kritik edhe mediat perëndimore të kohës, të cilat nën hapësirat e pafundme që u lejonte liria, mund të binin lehtësisht në kurthet e njerëzve e interesave të ndryshme, apo ndoshta thjesht duke u nisur nga interesa komercialiste të çastit e mos u thelluar në informacione, të sajonin për lexuesit e vet histori të paqena e të paverifikuara për një vend sa të largët, aq edhe të mbushur me errësirë e mistere.

Në këtë kontekst, vlerësoj se gjithsesi këtë mund ta bëjë më së miri vetë lexuesi, pasi të ketë lexuar artikullin e plotë, përkthyer nga origjinali nën titullin e mëposhtëm:

* * *
Skuadra e pushkatimit i jep fund karrierës së kapitalistit shqiptar
Korrespondencë speciale nga Trieste
Pilo Peristeri, anëtari më i pasur i regjimit të Kominformit në Shqipëri dhe i mbiquajtur me nofkën “Kapitalisti Nr. 1 i Shqipërisë komuniste” u qëllua për vdekje nga shokët e tij gjatë festimeve të Vitit të Ri, në të cilat thuhet se morën pjesë më shumë se 30 zyrtarë e partiakë të lartë të shtetit shqiptar. Sipas një të arratisuri, i cili sapo ka mbërritur këtu me një peshkarexhë, situata në Tiranë, kryeqyteti i vendit është tejet e nxehtë dhe ajo akoma e shtyn jetën rrethuar si në një kështjellë: në fuqi akoma është rrethimi 12-orësh, dhe çdo një në dy veta në rrugë është ose ushtar ,ose polic. Të kamufluar mes civilëve gjendet një numër gjithashtu i konsiderueshëm agjentësh të Sigurimit të fshehtë. Ushqimi është është i pakët, dhe askush nuk mund të lerë dot qytetin pa një leje të veçantë. Burimi në fjalë thotë se Peristeri u përball me një skuadër pushkatimi në fillim të këtij muaji, i akuzuar se ishte “njëri ndër konspiratorët e paguar amerikanë të përfshirë në planet për të rrëzuar regjimin në fuqi”. Por në realitet ai e pësoi këtë fat, pasi ai kishte mundur të mblidhte shumë para në xhepin e tij, ndërsa ishte i angazhuar në organizimin e allishverisheve të tregut të zi, duke punuar për Tiranën zyrtare dhe për rusët. Ai ishte shefi i përfaqësuesve shqiptarë që blinin mallrat strategjike dhe materialet e tjera më të nevojshme në tregjet e zinj të Italisë e të Zvicrës, dhe kontot e tij bankare të regjistruara në vendet perëndimore raportohen në mënyrë të besueshme se kapinin numrin fiktiv katër apo pesë.
I mirëpozicionuar
Shumica e aferave e marrëveshjeve xhiroheshin në llogari të kontove sovjetike, por Tirana përfitonte disa komisione të leverdisshme në valutë të huaj si shpërblim për “punët e mira” Në këto komisione fuste duart në mënyrë të “paliçensuar”, duke nxjerrë përfitime shtesë, edhe Peristeri, të cilat ai mendonte se i përkisnin pikërisht atij. Para luftës, Peristeri ishte veçse një mësues i varfër në një shkollë fshati, por ai e gjeti veten shpejt të pozicionuar mirë në kohën kur Shqipëria më në fund po “çlirohej” dhe iu bashkëngjit kësisoj Kominformit: ai kishte qenë njëri ndër themeluesit e Partisë Komuniste Shqiptare dhe i mbeti asaj besnike gjatë gjithë atyre viteve të mbushura me aktivitet të vështirë “ilegal”, kur Italia e Mussolinit e kishte pushtuar Shqipërinë.: kjo i solli atij ca punë me përfitime kur mbërritën rusët dhë ia nisën të zhvasin vendin. Peristeri ia nisi të punonte për ta si një komisioner rajonal, duke mbikqyrur mallrat e fshehta dhe furnizimet e tjera agroushqimore që kërkoheshin nga Moska. Ndërsa persekutonte pa mëshirë bashkëatdhetarët e vet, duke i cilësuar ata si “tradhtarë” e dërguar në kampe pune të detyrueshme duke punuar si skllevër, e dërguar madje deri në vdekje si “armiq të regjimit” nëse nuk përmbushnin normat e caktuara të punës, ai ia dilte gjithmonë të furnizonte më shumë nga ç´kërkohej e nga ç ´pritej nga vetë rusët. Kështu që ai me kohë fitoi besimin e tyre duke ngjitur dhe shkallët e karrierës njëkohësisht.

Mallra strategjike
Më vonë, Peristeri iu bashkëngjit departamentit të “tregut” të Kominformit, i angazhuar në mbledhjen e fondeve për aktivitetet e spiunazhit me mjete e marrëveshje ilegale, dhe një herë madje ai u përfshi në një skandal ndërkombëtar droge me një kapitene të shërbimit të fshehtë bullgar (Razuznavatelni Otdel), apo me një organizatë spiunazhi të ngjashme, por ia doli mbanë të arratisej, duke shpëtuar për fije të perit. Ai gjithashtu kishte pasur dorë edhe në tentativat për rrëmbimin e të arratisurve lindorë në vendet perëndimore duke i rikthyer ata mbrapsht në vendet e origjinës. Gjatë kësaj kohe dhe ndërsa përmbyllte këto punë të neveritshme, ai mbante pozicionin e kreut të delegacionit shqiptar në Federatën Botërore të Sindikatave (World Federation of Trade Unions), një post ky i sajuar apostafat për të, në mënyrë që të mbuloheshin mirë aktivitetet e tij të vërteta në Perëndim. Më në fund, ai u emërua për të blerë mallra strategjike në tregun e zi zviceran e atë italian dhe për të sistemuar dërgimin e furnizimeve të tilla ilegale drejt vendeve të Lindjes. Këto ia rritën atij shanset për t´u pasuruar edhe vetë: duke përdorur dokumente të ndryshëm false, me të cilat atë e kishte pajisur Kominformi për të lehtësuar marrëveshjet e tij me subjektet perëndimore, ai regjistroi një numër kontosh private bankare nën emra të ndryshëm, për të fshehur në substancë “komisionet” që ai merrte nga marrëveshjet që bënte për rusët; dhe përfitimet e tij shumë shpejt kapën shifra të konsiderueshme. Ai madje ia nisi të fuste aksionet e veta në bursat perëndimore. Një ditë, gjithsesi, ai u tradhtua nga një i arratisur shqiptar, të cilin për arsye të paditura, ai kishte ndihmuar të rrëmbehej e të sillej - nën efektin e drogës - sërish në Shqipëri. Ky i fundit dinte me ç´duket shumë rreth aktiviteteve të Peristerit dhe transaksioneve financiare të bëra në Perëndim të Perdes së Hekurt se sa ç´kishte menduar vetë Peristeri dhe se ato rezultonin se nuk vlerësoheshin “të mira” në Lindje: Peristeri u arrestua dhe jetës, së bashku me karrierën e tij premtuese për t´u bërë kapitalisti i parë në një vend komunist, i erdhi një fund i shpejtë.

Marrë nga: The West Australian, 4 shkurt 1954
(ne foto Enver Hoxha merret me planin rregullues të Tiranës.  Jep direktiva rreth asaj që sheh. Prapa tij, një rradhë e gjatë funksionaresh te larte, mbajne shenime kokeulur gjithshka thote Udheheqesi. Mes tyre Spiro Koleka (pjeserisht prapa Enver Hoxhes), Pilo Peristeri, Ndue Marashi, Rita Marko dhe me fund Manush Myftiu)
(Shkrimi u botua ne te perjavshmen kulturore "RIlindasi", 4 mars 2012, te gazetes "Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë