Rilindasi/ Zbulimi i Dyrrahut 
iliro- shqiptar një histori që vazhdon 

Rilindasi/ Zbulimi i Dyrrahut <br />iliro- shqiptar një histori që vazhdon 
Interesi i dijetarëve të shekullit të 15-16-të që nga Qirjako i Ancona-s dhe Barleti për mbetjet e Amfiteatrit antik. Zbulimet si një vijim i pandërprerë deri tek libri i Frashërit. 
 
Rezultatet e gërmimit në Lulishten 1 Maji më 2010
  
Ja cili është niveli i qytetërimit antik të Durrësit

 
Durrësi është padyshim një qytet ndërkombëtar arkeologjik dhe kryeqyteti arkeologjik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Qëkurse nën dritën e diturisë së Renesancës, Qirjako i Ancona-s dhe Barleti (shek.15-16) tërhoqën  vëmendjen mbi historitë e disa monumenteve të Durrësit (si përshembull mbetjet e Amfiteatrit antik, etj.) dhe ngacmuan kureshtjen mbi pasurinë arkeologjike që fshihej në nëntokën e qytetit, administrata osmane i bëri shekujt që pasuan të heshtin. Por edhe në shekullin 19, kur Lëvizja Rilindëse Kombëtare përmes pengesave të administratës osman zgjoi interesin mbi vlerat e pasurive kombëtare në viset shqiptare, u shkaktuan më shumë grabitje dhe dëme të pasurisë arkeologjike të Durrësit nga vendasit dhe të huajt, se sa ruajtje dhe vlerësime për mbrojtjen e saj. Po ashtu edhe pas Shpalljes së Pavarësisë (1912) dhe më tej në kohën e Mbretërisë Shqiptare (1927-1939) e deri në mbarimin e Luftës së Dytë Botërore,  përkujdesja e duhur shtetërore për ruajtjen, studimin dhe mbrojtjen e saj, pothuajse mungoi.  Përpjekje shtetërore për ruajtjen e pasurisë arkeologjike dhe zgjimin e një ndërgjegjeje nacionale në shoqërinë shqiptare u bënë vetëm në dekadat pas Luftës së Dytë Botërore, nëpërmjet ideve dhe interesit qytetar që solli diktatura. Por grafiku i dhunimit të pasurisë së trashëgimisë kulturore në historinë e qytetit të Durrësit ka një pikë kulmore - kjo e dy dekadave të fundit, shënuar nga anarkia (shthurja) shtetërore nën histerinë e privatizimit të vendit dhe të përvetësimit të pasurisë kombëtare në rrugë antiligjore, nga papërgjegjësia e pashembullt e qeverisjes së vendit, nga padituria qytetare dhe profesionale e ministrave, deputetëve dhe kryetarëve vendore përgjegjës direkt apo indirekt në vlerësimin e pasurisë së këtij qyteti.
 
Vështirë të takosh në botën e sotme të qytetëruar një qytet me histori dhe pasuri aq të madhe dhe formuese arkeologjike antike e mesjetare si Durrësi,  të cilit t’i jetë lënë kjo pasuri në mënyrë kaq të pamerituar de facto jashtë kujdesit shtetëror. Në këto 104 vjet të shtetit të Shqipërisë, pasuria arkeologjike e Durrësit ka pësuar shumë e më shumë dëme, tej mase, në vend të vlerësimit profesional që i duhej bërë potencialit të tij arkeologjik për ta shfrytëzuar atë si produkt patriotik-historik, ekonomik, social dhe turistik. Nuk ka shembull të jetë bërë aq pak për zbulimin, mbrojtjen dhe dokumentimin e pasurive historike të një qyteti të mirënjohur në botën antike e mesjetare të Adriatikut dhe të Pellgut të Mesdheut me çmim aq të lartë si Durrësi. E kam fjalën, nuk gjendet një rast paralel i ngjashëm në kohërat moderne, kur një qytet i stolisur  me kulturë antike botërore - mbi të gjitha arkeologjike si Dyrrahu, të jetë përçmuar dhe dëmtuar aq shumë në një kohë kaq të gjatë paqeje, njëherësh nga qeveria dhe bashkërisht nga shoqëria qytetare vendase. Ky alarm e shtyu ngutshëm botimin e librit të fundit në tre gjuhë “Illyrisches Dyrrah (Dyrrahu ilir)” (Tiranë 2015).
 
Në botimin në fjalë janë paraqitur me përkujdesje të veçantë rezultat e një përpjekje shumë të mundimshme disa vjeçare të një grupi specialistësh shqiptaro-gjerman për hartimin me korrektësi të hartës topografike arkeologjike të Durrësit, shoqëruar gjithashtu me një vështrim dokumentar arkivor historik. Janë tashmë të botuara pesë harta topografike arkeologjike për të gjithë hapësirën e qytetit antik dhe mesjetar të Durrësit, të ndara kronologjikisht, duke filluar prej  dëshmive të kohës arkaike, të asaj ilire, dhe kështu me radhë deri në ato të mesjetës së hershme. Këto harta jo vetëm që krijojnë një vizion mbi shtrirjen dhe zhvillimin historik të qytetit nga një epokë në tjetrën, por japin të dhëna edhe për ndalimin apo në raste të veçanta lejimin e ndërhyrjeve nëntokësore për nevojat e domosdoshme dhe të pashmangshme të kohës. Pa dyshim kjo është një ndihmesë për t’u shfrytëzuar nga institucioni përgjegjës shtetëror ministror, pa e mohuar të drejtën e autorit.
 
Në botim nuk është harruar për t’i treguar lexuesit rezultatet e gërmimit në Lulishten 1 Maji më 2010, mjaft domethënëse për nivelin e qytetërimit antik të Durrësit. Ato i takojnë gërmimit të parë të arkeologjisë së shpëtimit në Shqipëri, i cili ishte njëkohësisht konfrontimi i parë i Arkeologjisë Evropiane të Shpëtimit sipas udhëzimeve të Valletta-s  me mjedisin shkencor tradicional të institucioneve shtetërore arkeologjike të vendit. Prej shkurtit 2008 kur Republika e Shqipërisë ratifikoi “Marrëveshjen Evropiane mbi Mbrojtjen e Trashëgimisë Arkeologjike”, e ashtuquajtura “Konventa e Maltës” (Valletta, 16 Janar 1992), shumë gjëra për ruajtjen dhe mbrojtjen e pasurisë arkeologjike të Shqipërise dhe të Durrësit në veçanti, ndryshuan nga statusi i mbrojtes së veprave të trashëgimisë kulturorë në kohën e diktaturës. Me hyrjen në fuqi të kësaj aktmarrëveshjeje të Bashkimit Evropian më Gusht 2008, në vendin tonë ndryshoi edhe themeli ligjor për marrëdhëniet me monumentet dhe mjediset arkeologjike. Një nga ndryshimet më të rëndësishme ishte zbatimi i  principit “shkaktari paguan” në arkeologji. Kjo do të thotë, se si për ndërtuesit publikë ashtu edhe për ata privatë, të cilët nëpërmjet ndërtimeve të reja shkaktojnë dëmtimin e pasurisë nëntokësore arkeologjike, domethënë që përfitojnë vetë ekonomikisht,  detyrohen ligjërisht të përballojnë shpenzimet e nevojshme për kryerjen më parë të gërmimit profesional arkeologjik të shpëtimit sipas standardeve të gërmimit dhe të dokumentimit evropian, për truallin ku ata duan të bëjnë ndërtimin e tyre.
 
Me organizimin, administrimin dhe kontrollin e të gjitha gërmimeve arkeologjike u ngarkuan dy institucione të themeluara enkas brenda Ministrisë së Kulturës: Agjencia e Shërbimit Arkeologjik (AShA) dhe Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë (KKA). Në janar 2009 KKA-ja hartoi Rregulloren mbi Kriteret e Ushtrimit të Profesionit të Arkeologut, mbi Gërmimin Arkeologjik dhe mbi Marrjen e Licencave të Arkeologut, e cila përveç të tjerave, lejonte për herë të parë kryerjen e gërmimeve arkeologjike në përgjithësi dhe atyre të shpëtimit në veçanti prej individëve dhe të kompanive private të licencuara.
 
Gërmimi në fjalë është i pari dhe deri tani i vetmi gërmim shpëtimi sipas standardeve evropiane, i cili u krye në Shqipëri në vitin 2010 në qytetin bregdetar të Durrësit, Dyrrahut antik. Deri në fillim të vitit 2010 aty ndodhej një sipërfaqe e gjelbëruar me emrin “Lulishtja 1 Maj”. Ndërkohë u planifikua një ndërtim i ri prej dy ndërtesash të ndara banimi dhe dyqane, secila me dy kate garazhe nëntokësore që arrinin deri në 6,6 m thellësi nga niveli tokës. E gjithë sipërfaqja prej 5.000 m² ndodhet në qendrën historike të Durrësit, në Zonën arkeologjike B, në të cilën me rregulloren në fuqi lejohen ndërtimet e reja, por për çdo ndërtim të planifikuar që prek thellësinë e nëntokës arkeologjike, është i detyrueshëm të kryhet një gërmim shpëtimi profesional. Ky projekt arkeologjik intensiv u krye nga Shoqëria arkeologjike “AKeR sh.p.k.” nën drejtimin e arkeologut dhe restauratorit Gjergj Frashëri. Gërmimet sollën dëshmi, se prej kohës së vonë arkaike, ky areal është përdorur për aktivitete pune dhe ndërtimore. Për një zhvillim dhe popullim të planifikuar urban i përfshirë  brenda kufijve të qytetit  mund të flasim këtu prej shek. 4. para Kr. Për këtë dëshmojnë para së gjithash shtëpiza dhe punishte të vogla, të cilat përgjatë shek. 3 para Kr. u zëvendësuan nga shtëpi të mëdha me standard të lartë jetese dhe me një urbanistikë qytetare të avancuar për kohën. Përveç kësaj gërmimi nxorri në dritë, rrugë, kanale dhe mbetje shtëpish nga një lagje banimi dhe veprimtarie zejtare, e cila prej shek. 2 para Kr. deri në mes të shek. 4 pas Kr. ka qenë  pa ndërprerje në përdorim. Mbi këtë lagje romake të braktisur në mesin e shek. 4 pas Kr. u gjendën mbetje ndërtimesh të mëdha të shek. 5 dhe të fillimit të shek 6 pas Kr. Përgjatë shek. 6 pas Kr. kjo hapësirë urbane pushoi së qenuri si shesh ndërtimi dhe më pas deri në prag të mesjetës së lartë (shek. 11 pas Kr.) u përdor si vend për varrime. Kjo sipërfaqe e gërmimit me ndërtime intensive në antikitet ndodhet jashtëkufijve të qendrës së qytetit antik, madje - siç tregoi për herë të parë ky gërmim - në një lagje të banuar nga shtresa e mesme e popullsisë së qytetit, e cila dominohej nga zejtarët, artizanët dhe tregtarët. Përveç rezultateve të gërmimit të paraqitura në mënyrë të hollësishme, në këtë botim janë trajtuar edhe gjetjet e vogla në një katalog të pasur objektesh arkeologjike të shoqëruar me përshkrime, analiza dhe ilustrime.
 
Gërmimi në “Lulishten 1 Maji” zë - qoftë përsa i përket madhësisë së tij, qoftë për dokumentimin e plotë stratigrafik të shtresave dhe renditjen në varg kohor të njësive arkeologjike prej më shumë se 1500 vjetësh - një vend të dukshëm në historinë e kërkimeve arkeologjike të qytetit të Dyrrahut. Nuk ishte vetëm pasuria e substancës arkeologjike që doli në dritë nga ky gërmim i shpëtimit, sepse një pasuri të tillë njësish arkeologjike në këtë gjendje e ndesh afërsisht në të gjithë Durrësin antik. Arsyeja kryesore është, se deritani kanë munguar gërmimet në këtë qytet ku të jenë gërshetuar seriozisht, koncepti profesional me teknikën e ngjashme të avancuar të gërmimit arkeologjik, që të jenë shoqëruar me një dokumentacion të imët, të pasur teknik dhe të orientuar stratigrafikisht në vlerësimin shkencor in situ të substancës arkeologjike. Më të shumtat prej gërmimeve, për arsye të problemeve statike ose të ujërave nëntokësorë janë braktisur në shtresat romake, pra shumë më lart se tabani arkeologjik, duke i mbyllur kërkimet pa gjurmime stratigrafike dhe vetëkuptohet me dokumentacion të mangët ose tërësisht të parealizuar. Nga ana tjetër, shumë sipërfaqe të qytetit antik të pasura me nëntokë arkeologjike mbetën prej vitit 1991 krejtësisht pa kërkime, pa vëzhgime dhe pa kontroll arkeologjik, domethënë pa dokumentacion, duke rënë viktimë e ndërtimeve të pandërprera dhe të pakontrolluara të Boom-it ndërtimor.
 
Në dy dekadat e fundit nëntoka arkeologjike e Durrësit është gërmuar dhe zbrazur si kurrë më parë. E keqja më e madhe është, se gërmimet dhe zgavrimet e nëntokës për qëllime ndërtimesh të reja, nuk janë dokumentuar,  pasuria e saj arkeologjike është grabitur, kurse historia e substancës arkeologjike në zemrën e këtyre zgavriqeve është zhdukur. Ndalimi i këtij revani shkatërrimtar shtetëror në Durrësin e sotëm është akut. Institucionet shtetërore përgjegjëse të Shqipërisë kanë nevojë parasëgjithash për ndihmë akute profesionale dhe ligjore. Mjerisht ato nuk e pranojnë këtë ndihmesë nga profesionistët e ndershëm të pakët vendas. Midis profesionistëve dhe nëpunësve shtetërore është krijuar një lumë i rrëmbyeshëm, i pakalueshëm, ku peshkohen paratë e anarkisë, të korrupsionit. Reforma e pritur në drejtësi do të jetë edhe një shpresë për mbrojtjen dhe shpëtimin e pasurisë arkeologjike të Durrësit. Rezultatet arkeologjike të dala nga gërmimi në Lulishten 1 Maj ishin dhe mbeten një apel për Ministrinë e Kulturës, se zona B duhet të kthehet nëe  statusin  zonën A arkeologjike të qytetit, ku ndalohen përfundimisht ndërtimet e reja. Botimi i fundit është edhe apel, se drejtimi vendor i qytetit duhet të vijë në një shkallë më të kualifikuar drejtuese evropiane, që të jetë më e kualifikuar dhe të gjejë zgjidhje për të çmuar pasurinë arkeologjike dhe historike të qytetit.
 
Besoj se botimi në fjalë prek edhe vendimmarrësit aktualë shtetërorë mbi fatin e ruajtjes dhe të mbrojtjes së pasurisë arkeologjike të qytetit. Prek edhe segmentet kulturore të qeverisë së këtij vendi tejet të lodhur nga paaftësia dhe nga rekrutimi politik i krerëve drejtues. Sepse tashmë pas tre vjetëve të fundit, jam bindur se interesi për arkeologjinë dhe historinë e Durrësit,  i është bërë dalje më shumë segmenteve politike të huaja, me dashjen e politikanëve vendas. Po sjell një rast të fundit si shembull: Prej gjashtë vjetësh (2010) autori i këtij shkrimi punon me financimet e veta private për përgatitjen e projektit të restaurimit të Amfiteatrit të Durrësit nën angazhimin e Fondacionit shqiptar “Qendra Frashëri”. Ky projekt është i aprovuar nga KKR dhe KKA e Ministrisë së Kulturës. Para tre javësh ministrja aktuale e Kulturës, pa asnjë dëgjesë të autorëve dhe pa e shtruar në asnjë këshill ministror, ka nxjerrë urdhër personal për “anulimin e këtij projekti”, pasi sipas saj “ ky projekt nuk bën pjesë në prioritetet e  Ministrisë së Kulturës” (Nr. 3104/1 Prot. datë 19.07.2016). Të vjen keq kur konstaton se misionet e huaja arkeologjike në Durrës kanë tashmë prej vitesh më shumë influencë të vendosin de facto mbi të ardhmen e pasurisë arkeologjike të qytetit, se sa institucionet shtetërore apo ato private serioze vendase që mbajnë përgjegjësi ligjore dhe morale kombëtare. Rrethanat politike kanë përfunduar të tilla, sa një arkeologu shqiptar, nuk i mbetet gjë tjetër të pranojë, se historia e trashëgimisë arkeologjike e Durrësit nuk është pjesë e historisë së Shqipërisë dhe e shqiptarëve. Madje, se miratimi i projekteve mbi trashëgiminë kulturore varen nga një person, që qëllon të jetë titullari i rradhës së ministrisë!?
 
Me daljen në dritë të vëllimit të parë të Dyrrahut ilir, historia e qytetit ka marrë padyshim një ndriçim si kolonë e qytetërimit të historisë së Ilirisë dhe të Shqipërisë. Por duhet ende shume-shumë dritë për të hedhur mbi vlerat e  strukturës urbane të Epidamit dhe Dyrrahut si qytet i shquar i botës mbarë antike. Në skaner është  bërthama religjioze dhe lagjet periferike të qytetit antik. Një prozhektor i madh është drejtuar edhe mbi varret e panumërt anembanë qytetit në shekujt antikë dhe mesjetarë, në varret e banorëve historikë të tij – ilirë/shqiptarë. Është i mundimshëm ky hulumtim. Sepse është pak i bërë deri sot, ka shumë të panjohura dhe fare pak dokumente të lëna në letër nga gërmuesit e derisotëm të qytetit. Nuk e di se çfarë emri i vihet - masakrës së pashembullt që është bërë deri më sot ndaj mungesës së dokumentimit të mbi 140 gropave që janë hapur në brendinë e qytetit të Durrësit vetëm në periudhën 1991-2010 për ngritjen e ndërtimeve të reja. Ky informacion do të ndriçonte pa masë historinë antike dhe mesjetare të qytetit, edhe pa ruajtjen e substancën in situ siç ka ndodhur në realitet.
 
Nuk e di pse edhe sot më vërtiten në mëndje tregimet e tim Eti, kur isha i mitur dhe familja jonë vinte rregullisht për pushime në Plazhin e Durrësit, kur ai m’ë tregonte mbi ndeshjen që kishte ndodhur aty 2000 e ca vjet më parë midis dy komandantëve të mëdhenj të historisë botërore, Çezarit dhe Pompeut përpara mureve të Dyrrahut. Atëhere dija shumë pak për historinë e Durrësit, kisha dëgjuar vetëm për dyluftime gjeneralësh përpara mureve të Trojës. E pata pyetur - Kishte pasur edhe Dyrrahu i ilirëve një Helenë si në Trojë që gjeneralët e mëdhej mëdhej ishin ndeshur me njëri tjetrin? Apo ishte Afërditë e Dyrrah-ut më e bukur se Helena? Dyrrah-un, këtë monument të madh të Ilirisë dhe të shqiptarëve nuk e kemi lënë të flasë, të tregojë pak nga thesaret e historisë së tij të vërtetë, pak nga hija e tij si qytet i shquar antik i Adriatikut dhe Mesdheut, ndërlidhësit dymijëvjeçar të Romës dhe Kostandinopojës. Por deri sot, më tepër e kanë goditur me gurë si pemën që ka kokrra, sesa janë përpjekur të mësojnë gjuhën t’i flasin për ta njohur. Sepse njohja do të zgjonte edhe detyrimin dhe përkujdesin për ruajtje.

 rilindasi dyrrahu antik
(Rrugët e lagjes antike të zejtareve ilir prej fundit të shekullit të dytë para Kr.)
 
rilindasi dyrrahu antik
(Mbetjet e një punishtjeje për ngjyrosjen e shajakut shek. I mbas Kr.)   
 
 rilindasi dyrrahu antik
 (Grumbuj amforash të hedhura për mbushjen e kanalëve të braktisura shek. III m. Kr.)
 

rilindasi dyrrahu antik
(Fragment i një kanali për shkarkimin e ujërave të banesave të qytetareve shek. II para Kr.)

rilindasi dyrrahu antik
(Kopertina e librit “Illyrisches Dyrrah (Dyrrahu ilir))”

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Hyn në fuqi vendimi! Bonusi i fundvitit tërhiqet nga java e dytë e dhjetorit deri në fund të 2025-ës

Hyn në fuqi vendimi! Bonusi i fundvitit tërhiqet nga java e dytë e dhjetorit deri në fund të 2025-ës