TIRANË - Dy efektivë policie në komisiariatin e Rinasit janë vënë në pranga nga Shërbimi Kombëtar i Brendshëm pasi u është arratisur një person që ishte sjellë në pranga nga Franca, por me të mbërritur në aeroportin e Rinasit është arratisur i ndihmuar edhe nga 3 persona të tjerë.

Burime nga policia kanë bërë të ditur se, i arratisuri është Eduard Lamaj (alias Leando Lamaj)  nga qyteti i Laçit dhe ishte i kërkuar për tentativë vrasjeje. Burime zyrtare të policisë thanë se, pas kësaj ngjarjeje janë vënë në pranga edhe dy oficerët e policisë të cilët janë përgjegjës për largimin e të kërkuarit.

Efektivët e arrestuar janë: nënkomisari Ibrahim Rama, me detyrë oficer roje dhe kryeinspektori Besim Çekeli, me detyrë polic roje të dy në Komisariatin e Policisë së Rinasit.
 
Nga hetimet paraprake bëhet e ditur se në momentet ku do të bëhet shoqërimi në ambjentet e komisariatit të Rinasit, dy policët me mosveprimin e tyre i kanë krijuar mundësi, personit në kërkim, të largohet nga vendi i izolimit.

Mësohet se janë arrestuar edhe 2 bashkëpunëtorë nga 3 që e kanë ndihmuar të 24-vjeçarin Lamaj të largohej nga Komisariati i Rinasit si dhe është gjetur edhe automjeti i përdorur prej të arratisurit si i kërkuar për vrasje të mbetur në tentativë.

Të arrestuarit që dyshohet se kanë ndihmuar të arratiset 24-vjeçarin Lamaj janë Sajmiri Hoxha, 19 vjeç dhe Sabete Kovaci, 33 vjeç të dy me banim në Tiranë. Nga kryerja e veprimeve hetimore është mësuar se Lamaj është ndihmuar të arratiset edhe nga 33-vjeçari Edison Çoba, i cili është shpallur në kërkim policor. 

Gjatë arratisjes Eduard Lamaj është larguar në zona e Kurbinit dhe në ndjekje të tij janë vënë forca të shumta policie. Ende nuk është bërë i mundur ndalimi i të deportuarit nga Franca, i cili dyshohet se është fshehur në zonën e Kurbinit.

Shkrimi u publikua fillimisht në orën 20:40 të dt. 5 gusht 2014, u përditësua me të dhënat e fundit në orën 12:02 të dt.6 gusht 2014
 
Redaksia Online
(e.c/a.h/shqiptarja.com)