TIRANË - Një person i dënuar me 25 vite burg për akuzën e vrasjes së një punonjësi policie në vitin 1997, u arrestua nga komisariati i policisë së Rinasit në bashkëpunim me policinë e Dibrës.
 
Gjatë operacionit të koduar “Kurthi” u arrestua Besnik Coka 45 vjeç nga Dibra, i cili tentonte të largohej në drejtim të Anglisë me dokumente angleze me emrin Besnik Morina. Ai ishte regjistruar si qytetar kosovar me këtë emër në Britaninë e Madhe.

Sipas policisë Coka, është dënuar për akuzën e vrasjes së punonjësit të policisë Myftar Krashi, me 25 gusht të 1997 në bashkëpunim me Besnik Lucën, Zenun Lucën, Lavdërim Lucën e persona të tjerë.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Arras të Dibrës, dhe dyshohet se ka si shkak motivet e gjakmarrjes. Por sipas policisë vrasja mund të jetë kryer edhe për shkak të detyrës së Policit.
 
Kjo pasi viktima po hetonte grabitjen e një autobuzi, gjatë së cilës pati mbetur i vdekur një person, ndërsa autorët e dyshuar të vrasjes dyshohet se ishin përfshirë edhe në këtë grabitje. Në largim e sipër personart që qëlluan mbi efektivin e policisë Krashi, lanë të vrarë një prej bashkëpunëtorëve të tyre, në rrethana ende të panjohura.
 
Por veç kësaj ngjarja mund të ketë pasur si motiv, edhe gjakmarrjen e familjes Koçeku në Dibër, për faktin se vëllai i Miftar Krashit, Rasim Krashi, po ashtu punonjës policie në vitin 1992, ka vrarë për kushte të vetëmbrojtjes një person nga familja Koçeku. Krashi ishte caktuar për të ruajtur një kontigjent ndihmash të mbërritura për këtë zonë.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)