Ringritja nuk vjen nga BASHKIMI por nga REFORMIMI

Ringritja nuk vjen nga BASHKIMI por nga REFORMIMI

Selia e PD

Që prej shtatorit të vitit 2021 kur qëndrimi perëndimor përcaktoi Berishën si person i përfshirë në korrupsion esencial, pritej që shpallja ‘non grata’ e tij të nxiste një proces reflektimi brenda PD edhe pas humbjes së radhës së zgjedhjeve politike. Me sa duket ky proces reflektimi nuk ka gjasa të ndodhë. Përkundrazi, është stisur një debat sipërfaqësor gjasmë mes dy palëve; njëra pro-amerikane dhe tjetra kundra-amerikane. A thua me të vertëtë sikur ekzistojnë palë të tilla brenda PD dhe a thua sikur motivimet janë me të vërtetë të tilla.

Në thelb PD po vuan të njëjtën gjë, qoftë nën sundimin e Bashës, qoftë nën sundimin e sotshëm të Berishës; përdorimin e elektoratit mbështetës të PD për një axhendë personale.

Basha, si perfaqësues i mediokritetit politik e intelektual, në të gjitha vitet e tij brenda PD e përdori atë për pasurim të paligjshëm të familjes së vet dhe ngritjen e një tarafi familjar duke komprometuar e korruptuar çdo objektiv apo aksion politik të PD.

Berisha, për shkak të një problem madhor që ka me partnerin më strategjik të vëndit, pse jo dhe të vetë PD, po e keqpërdor elektoratin e PD si një mburojë kërcënuese për qëndrimin e SHBA-ve.

Në thelb të dy qasjet janë dy anë të së njëjtës monedhë. Asnjë nga qëndrimet nuk kanë bazë morale.

Nga njëra anë mbështetësit e Bashës u gdhinë një ditë të bukur ‘pro-amerikanë’, por në fakt nën dirigjimin e Bashës, prej kohësh, PD kishte hyrë në një kurs përplasjeje me perëndimin. Nuk besoj që publiku ka harruar përpjekjet e perëndimit për ta futur drejtimin e PD në shtratin e institucioneve, ndërkohë që ‘call-center’-at e Bashës sulmonin në mënyrë të përditshme faqen online te ambasadës amerikane. PD, nën drejtimin e Bashës dhe bekimin e Berishës, i konsumoi bukur mirë disa mjete për të destabilizuar sistemin politik në një luftë të hapur me qëndrimet perëndimore ndërkohë që këto të fundit i frikësoheshin edhe destabilizimit të rajonit (frikë që po konfirmohet reale në një kontekst të influencave dashakeqe në rajon)

Nga ana tjetër, dalja e PD-së nga institucionet dhe përpjekja për destabilizimin e sistemit të përfaqësimit politik po tentohet t’i faturohet ekskluzivisht Bashës. Madje është edhe paradoksale të shohësh që linçuesit e kritikëve të kryetarit, tashmë janë akuzatorë të vijës së parë ndaj Bashës. Vëzhgues të pavemendshëm edhe mund ta besojnë këtë ‘tezë’, por ndoshta duhet sjellë në vëmëndje të opinionit jo vetëm mbështetja që i ka dhënë Berisha çdo aksioni të mbrapshtë të Bashës, por edhe kërcënimi i tij për “mosnjohje të kontributeve të kritikëve të kryetarit në PD”. Dhe një pjesë e mirë e ‘kastës’ së PD (bashkëpërgjegjëse me Bashën dhe Berishën) nuk ka ngurruar që herë të mbështesë Bashën e herë Berishën në kërkim të një ekuilibri (lexo; pazari) personal të tyre me palën ‘triumfuese’ cilado qoftë ajo, pro apo anti amerikane. Madje duket sikur ka një kontigjent të gatshëm me lugë në brez që pret rastin që deti të bëhet kos e t’u dalë fati i karrierës.

Seria e Kuvendeve dhe kundra Kuvendeve të muajve të fundit veçse e ka future PD-në në një spirale tulatje, pasigurie dhe rruge pa krye. Këto ngjarje, në vend që të gjenerojnë një debat mbi të ardhmen e PD, po krijojnë kaosin e nevojshëm që i shërben axhendës personale të sundimtarëve të vjetër dhe atyre të rinj. Ndërkohë që bëhet thirrje për bashkim, ‘kaosi është produkti’. Përmes kësaj dikotimie të sundimit është më e kollajtë t’u bëhet ‘karrshillëk’ perëndimorëve, të cilët po linçohen si guvernatorë, armiq të votës së lirë dhe përçarës të PD.

Në fakt PD nuk ka nevojë për bashkimin rreth hallit personal por ka nevojë për reformim. Reformimi fillon me distancimin nga axhenda personale e sunduesve te rinj e te vjetër. Patjetër që PD duhet të jetë sovrane në vendimarrjen e saj, por ka qenë dhe është axhenda personale e sunduesve të PD ajo që ka cënuar sovranitetin e PD dhe jo partnerët e huaj, ka qenë korruptimi i aksionit politik të PD ai që ka kërcënuar sovranitetin e votës dhe jo qëndrimet amerikane, është ‘bashkimi’ rreth hallit të sundimtarit ai që cënon sovranitetin e PD dhe jo refromimi që tashmë nuk e kërkojnë veç amerikanët, por më e rëndësishme është se e kërkojnë shqiptarët.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja