TIRANE - Projekti i shumë debatuar për pallatit me 17 kate në afërsi të digës së Liqenit ka rinisur prej 6 ditësh punimet, madje me një intensitet të lartë. Vetëm tre javë më parë Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar mori një vendim për pezullimin e punimeve që shpallte të pavlefshëm vendimin e Bashkisë së Tiranës për vijimin e punimeve.

Por, një vendim i ditëve të fundit nga gjykata administrative e Tiranës ka dhënë “OK” për rinisjen e punimeve. Çështja shtrohet e tillë: A lejohen punimet e këtij projekti gjigand vetëm 10 metra larg Digës së Liqenit? Po Komiteti i Digave, ç’rol ka luajtur?

Për A1 Report, kreu i Komitetit të Digave Maksim Muçaj thotë që ky institucion është përgjegjës vetëm për sigurinë dhe nuk kanë autoritet për leje apo ndalimin e punimeve. 

“Ne përgjigjemi vetëm për kontrollin e sigurisë së digës. Materiali që Bashkia ka dërguar te Komiteti i Digave duke kërkuar miratim të studimit hidroteknik nuk ekziston. Në kërkesë nuk paraqiten as problemet me të kaluarën e digës” tha Muçaj

Fjalën e tij kundër, ky komitet e ka dhënë me anë të një vendimi më datë 6 janar ku anulon dy vendimet e para të dhëna nga ky institucion vitin e kaluar, me arsyetimin që në kërkesën që ka bërë Bashkia nuk plotësohen kushtet për sigurinë e digës. Por probelmi është më i thellë. Javën e kaluar, Gjykata administrative ka marrë një vendim për rinisjen e punimeve duke ‘injoruar’ jo vetëm INUK, por edhe Komitetin e Digave, institucionin përgjegjës për sigurinë.

Parë në këndvështrimin e një qytetari, ambientalisti Sazan Guri kundërshton kategorikisht ndërtimin e një projekti të tillë.

“Kjo është një vendimarrje famëkeqe shqiptare. Thuhet se një vendim gjykate i ka dhënë të drejtë biznesit për të ndërtuar. Nuk ka mundësi që një vendim gjykate të anullojë një vendim të komiteti suprem si Komiteti i Digave.... Nuk ka ndërtime nën digë” tha Guri

Ndërtimi i projektit gjigand bie ndesh edhe me planin e përgjithshëm të miratuar në vitin 2013 që ndalon ndërtimet nën digë. Kjo zonë ka pësuar transformime ndër vite. Një vendim i Këshillit të Ministrave në kohën e ish-kryeministrit Berisha ka ndryshuar destinacionin e saj duke e kthyer nga zonë sportive në zonë zhvillimore, ndërtimi.
pallati te liqeni



Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)