PËRRENJAS - Kandidatja e koalicionit “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë e Përrenjasit, Miranda Rira zhvilloi një takim me gratë e Përrenjasit, ku ishte e shoqëruar nga deputeti socialist i zonës Taulant Balla, deputetja e LSI-së, Monika Kryemadhi, si dhe deputetja e PS-së, Arta Dade. 

Rira u bëri thirrje të gjitha grave të Përrenjasit, të majta dhe të djathta, që ta mbështesin atë me votë me 21 qershor, pasi ajo ka në programin e saj punësimin e grave dhe uljen e varfërisë në Përrenjas. “Ne kemi një program të qartë që lidhet vetëm me ju gratë se si do të fillojmë punësimin e grave dhe si do të ulim varfërinë e Përrenjasit. Ju jap fjalën sot publikisht që do të jem pranë jush në çdo moment dhe do të jem zëri juaj më i fortë”, tha kandidatja e “Aleancës për Shqipërinë Europiane”. 

Duke premtuar se, do të jetë avokate e grave dhe nxitjes së punësimit të tyre, Rira kërkoi votën më 21 qershor që ajo të bëhet e para grua në krye të bashkisë Përrenjas. “Do të hapim bizneset fasone dhe do të punësojmë 300 gra njëherësh, dhe në fokusin tim do të jenë shtresat në nevojë. Do të jem avokatja juaj më e madhe për gratë që marrin iniciativa të para si në biznese dhe çdo lloj fushe tjetër. Na presin shumë sfida sociale dhe ekonomike dua ju garantoj se do të jem në krye të detyrës 24 orë. Prandaj do doja t’ju bëja thirrje që me 21 qershor ju si gra të zgjidhnit një grua për herë të parë në Bashkinë e Përrenjasit”, u shpreh Rira.

Ndërkohë Monika Kryemadhi tha se me kaq shumë gra, fitorja e Miranda Rirës në Përrenjas është e garantuar. “Dua t’ju them se vota për Mirandën është vota për më shumë shërbim më shumë punësim por mbi të gjitha është vota për gjitha gratë e Përrenjasit”, tha Kryemadhi në fjalën e saj.

Arta Dade në fjalën e saj tha se, Miranda ishte një deputete shumë aktive dhe së bashku kemi lobuar fortë dhe për përqindjen e Këshillit bashkiak që 50% të ishin gra. “Miranda do ta ketë një detyrë të vështirë, por kjo do të thotë se ka më shumë përgjegjësi për të gjithë qytetarët e Përrenjasit”, u shpreh Dade.
 
Redaksia Online
(f.s/Shqiptarja.com)