Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, mendon se mbledhja e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë për rishikimin e masës së sigurisë arrest në burg tregon se qeveria ka ndërhyrë në drejtësi për përfitimet e saj.
“Nuk mund të lëvizë politika për hallin e vet. Nëse do të interesohej për qytetarin, do të kishte bërë ndryshime të tjera. Politika ka ndërhyrë në sistemin e drejtësisë dhe Gjykata e Lartë që të përfitojë direkt ajo. Kjo është shumë herë më e rëndë”, tha ai gjatë lidhjes direkte me ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report Tv.
Sipas Kaprit, veprimet e politikës tregojnë për një drejtësi me dy standarde.
“Kur politikës i vjen halli te dera, mendon për veten e vet. Për njerëzit funksionon një drejtësi tjetër, për të korruptuarit dhe njerëzit e pushtetshëm të funksionojë një drejtësi tjetër”, tha deputeti.
Gjithashtu, ai shprehu shqetësim për qëndrimin e Gjykatës së Lartë duke iu referuar një deklarate të Taulant Ballës në Kuvend. Kapri thotë se Balla e cilësoi rishikimin si “vendim historik”, një detaj që ai thotë se ngre pyetje për vendimin që do të shprehë Gjykata e Lartë.
“Taulant Balla tha në parlament që ky është një vendim historik. Pyetja është, nga e di Taulant Balla që ky është vendim historik, nga e di vendimin sesi do të jetë, i gjykatës? Taulant Balla madje aty lexoi edhe përmbajtjen sipas tij të vendimit që i referohet një vendimmarrjeje të Gjykatës së Strasburgut dhe kjo tregon hapur ndërhyrje të qeverisë te gjyqësori që të mblidhet dhe të vendosë për paraburgimin në Shqipëri”, tha Kapri.
Lajmi kryesor:
Zgjedhjet 2027/Kapri: Kemi rrugën tonë nëse PD s’mbështet Binajn! Minga-deputetit: Nxirrni kandidatin tuaj ose gracka e Berishës do t’ju rrudhë











