Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë u mblodhën sot të thirrura nga kryetari Sokol Sadushi për të riparë vendimin unifikues të vitit 2011 mbi masën e sigurimit të arrestit në burg dhe kohëzgjatjen e saj. Mbledhja e gjyqtarëve vjen në një moment kur prej muajsh po zhvillohet një debat për numrin e lartë të paraburgimeve në vend dhe një politike penale që shumë e shohin si represive, duke mos aplikuar vendime alternative ndaj mbajtjes të të pandehurve në qeli.
Juristi Indrit Sefa është shprehur se në Shqipëri kemi një numër të lartë të paraburgosurish, që sipas statistikave, kalon edhe numrin e personave që vuajnë dënimin përfundimtar të vendosur nga Gjykata.
Në emisionin 'Studio Live' me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, Sefa shtoi se kjo është një praktikë që duhet të jetë e papranueshme për një vend që kërkon të integrohet në Bashkimin Europian.
“Po të marrim statistikën e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rezulton se ne kemi një numër më të lartë të paraburgosurish, sesa të personave që vuajnë dënimin përfundimtar të vendosur nga Gjykata. Kjo është një statistikë që duhet të jetë e papranueshme për një vend që kërkon të integrohet në BE, por edhe për vetë konceptin e së drejtës, edhe për shpenzimet që mund të pësojë buxheti i shtetit si pasojë e numrit të lartë të të paraburgosurve”, tha mes të tjerash Sefa.
Sefa vijoi më tej duke thënë se një ditë burgimi për një qytetar në Shqipëri ka kosto minimalisht nga 50 deri në 80 euro. Ai shtoi se ndryshimi i praktikës së paraburgimeve do të jetë një lajm pozitiv.
“Duhet të them se minimalisht një ditë burgimi për një qytetar është minimalisht 50 euro, por varion edhe 70-80, në varësi edhe të rritjes së pagave. Duke pasur në konsideratë që Drejtoria e Burgjeve ka pagat më të ulëta sot në institucionet shtetërore. Mendoj se ndryshimi i praktikës do të jetë një lajm pozitiv, pavarësisht që mund të jetë bërë për qëllime anësore të asaj që kanë nevojë qytetarët shqiptarë”, vijoi më tej Sefa.
Komente











