TIRANE-  Mbi 10 000 të rinj e të reja kanë aplikuar për tu bërë pjesë e Patrullës së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Këtë vit shanset janë totalisht të barabarta:  Nga 10 060 kandidatë që do i nënshtrohen testit të Shkollës së Policisë vetëm 1000 do të dalin fitues: Nga këta 500 do të jenë vazja dhe 500 djem. 

Kjo është pjesë e transformimit të policisë së shtetit, ku sipas kryeministrit, nuk ka më vend për pensionistë por vetëm për të rinj guximtarë.

Në Pallatin e Kongreseve, ku aplikantët ishin mbledhur paraditen e sotme për të marrë udhëzimet e testit kryeministri Edi Rama informoi për dyfishimin e pranimeve, nga 500 në 1000. Ai kërkoi të zhvillohet një konkurs transparent ku të fitojë merita dhe jo lidhjet familjare. Madje dha një porosi edhe për djemtë: "Nuk mund të fitoni dot duke dalë më të fortë se vajzat. Bëni gara me njëri tjetrin. Ka basketboll djemsh dhe vajzash. Kur vjen testi fizik, normalisht djemtë janë më të fortë se vajzat por në testin e inteligjencës na e kalojnë”. 

“Rekrutimi i femrave do të bëhet në raportet 50% me 50%. Kjo risi do ta bëjë më demokratike strukturën e policisë dhe do të rrisë transparencën, do të ulë ndjeshëm rastet e korrupsionit dhe do të përmirësojë cilësinë e komunikimit,” tha Drejtori i Policisë së Shtetit, Artan Didi.  

1000 PRANIME, RAMA: POLICIA E SHTETIT S'ESHTE STRESE SOCIALE   
Kryeministri foli për sipërmarrjen e qeverisë për transformimin e policisë së shtetit e cila, sipas tij ka filluar nga emërimi i Saimir Tahirit në krye të ministrisë “falë meritës” dhe emërimin në krye të policisë së shtetit, "të një njeriu pa asnjë njollë“ . Ky konkurs, sipas kryeministrit është pjesë e këtij transformimi të Policisë së Shtetit. 

"Me gjithë respektin e të moshuarve, Policia nuk mund të jetë më streha e atyre që dalin në pension dhe as vendi për t’i dhënë strehë sociale për ata që nuk bëjnë dot detyrë tjetër. Ky është vendi i vajzave dhe djemve më kurajozë e patriot. Të garantohet që në këtë konkurs të fitojnë më të mirët, merita dhe jo kushëriri. Vajza dhe djali më i mirë, jo vajza e hallës dhe djali i dajës,“ shtoi më tej Rama 

edi rama me logo

RAMA: KRIMI PO NDJEN SE KOHA E SUNDIMIT TE TIJ KA MARRE FUND
Rama tha se sfida për të luftuar krimin është e vështirë por këto 6 muaj është treguar se qeveria është në rrugën e duhur. 
"Mes makinerisë së rëndë të Policisë së Shtetit dhe këmbëve të lehta të krimit, i cili është më i shpejtë, sfida është e hapur kudo në botë. Më shumë këtu në Shqipëri ku ne jemi të angazhuar për një transformim rrënjësor që nuk mund të vijë as me një ditë e as me një vit, por në këto 6 muaj ka provuar se është konceptuar si duhet dhe është vënë në rrugën e duhur. Nëse kemi pasur reagimet të forta janë reagimet e kriminalitetit që po provon forcën. ...Shikoni vrasjet në të shumtën e herës janë larje hesapesh si një ngut para se të gjenden prapa hekurave dhe nuk munden më t'i kryejnë. Sigurisht që janë vepra të patolerueshme, por janë një tjetër shenjë se krimi po e ndjen se koha e sundimit të tij dhe nëpërkëmbjes së policisë dhe lidhjes së tij me kupolën ka marrë fund", vlerësoi Rama.