TIRANË - Pas rikthimit në detyrë të ish-shefit të Interpol Tiranës, Artan Bajraktarit ka reaguar Partia Demokratike e cila i ka kërkuar prokurorisë hetim të plotë të ngjarjes. Në një deklaratë për mediat sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani akuzoi ministrin e Brendshëm Saimir Tahirin se me kthimin në punë të Artan Bajraktarit vërtetohet që kërkesa për arrestimin e Mark Frrokut është fshehur nga Tahiri.

“Partia Demokratike i kërkon prokurorisë të çojë deri në fund këtë hetim, dhe të nxjerrë përgjegjësit para ligjit. Edi Rama dhe Saimir Tahiri po tentojnë të mbyllin zyrtarisht një prej skandaleve më të mëdha të qeverisjes së tyre, siç ishte fshehja e kërkesës së intepol Brukselit për deputetin Mark Frroku. Rikthimi në punë i shefit të Interpolit, i cili u nis të bëhej kurban për të marrë përgjegjësinë me vete, dëshmon se Kërkesa e Interpolit, nuk është fshehur nga ai, por është fshehur nga Ministri i Brendshëm”- u shpreh Ristani.

Deputeti demokrat tha se Rama dhe Tahiri fshehën urdhër arrestin e Frrokut pasi deputeti kishte në dorë dëshmirë kryesore për mbylljen e hetimit ndaj Metës.

“Sot me rikthimin në punë, në të njëjtën detyrë të personit të planifikuar për të luajtur rrolin e rrufe-pritses, del qartë se kërkesa e Interpol Brukselit u fsheh me urdhër të Edi Ramës dhe Saimir Tahirit, pasi Mark Frroku, deputeti i tyre, kishte në dorë dëshminë kryesore për mbylljen e hetimit ndaj Ilir Metës, i cili u akuzua nga radhët e mazhorancës për porositjen e vrasjes së dy deputetëve”, - tha Ristani.

Deputeti demokrat vazhdoi akuzat edhe ndaj kryeministrit Edi Rama duke thënë se urdhër arresti për Frrokun është fshehur nga kryeministri Rama. Ristani tha se do të mbajnë përgjegjësi të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë çështje.

“Kërkesa u fsheh me urdhrin e Ramës, i cili është arkitekti i inkriminimit, njeriu që solli në parlament deputetë me të shkuar kriminale si Mark Frroku. Çështja do të zbardhet dhe urdhëruesi, Saimir Tahiri, apo shefi i tij, do të mbajnë përgjegjësi para ligjit e para drejtësisë. Skema mafioze u ekzekutua nga Saimir Tahiri, tashmë i njohur si Ministër i lidhur me bandat, i njohur si kumbari i drogës dhe aferave kriminale në vend”, - përfundoi Ristani.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)