LEZHË- Berisha ia arriti qëllimit. Gjin Gjoni, gjyqtarin sheik që i shpëtoi vettingut me dorëheqje pikërisht kur do të duhet të justifikonte milionat e pasurisë së tij, tashmë e ka të zgjedhur kryetar të një prej degëve në një nga bashkitë më të rëndësishme, atë të Lezhës. Gjoni mori 604 vota të militantëve të Berishës në Lezhë nga 1100 gjithsej duke e futur tashmë në politikën e madhe ish anëtarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

“Situata politike në të cilën ne ndodhemi është shumë e kritike. PD e Lezhës ka objektiva të qartë për 2025-n”- tha Gjin Gjoni pas zgjedhjes.

Kjo ishte tentativa e dytë e Berishës për ta futur Gjonin në politikë, pasi më herët i doli emri për t’u zgjedhur ligjvënës i shqiptarëve përmes kandidatëve të Berishës, por ish kryeministri dhe të tijtë u tërhoqën pas presionit të madh publik dhe ndërkombëtar.

Po duket se ëndrrën për t’u bëre në deputet Gjin Gjoni nuk e ka shuar, ndërsa tashmë si kryetar i Rithemelimti në Lezhë, qendër qarku dhe një nga bashkitë më të rëndësishme në vend dhe të ashtuquajtur si ‘bastion i opozitës’’, me shumë mundësi do të jetë një prej kandidatëve kryesorë në zgjedhjet e 2025-s.

Gjin Gjoni, në periudhën kur Berisha qeveriste ishte një nga njerëzit më me influencë në drejtësinë shqiptare, ndërsa në sytë e ambasadave të Tiranës shikohej si simboli i abuzimit në gjyqësor në vend për pasurinë miliona euro dhe për disa vendime të bujshme.

Korrikun e vitit 2020 kur Shqiptarja.com publikoi lajmin rreth planeve të PD-së për të kandiduar Gjin Gjonin për deputet, lajm që tërhoqi vëmendjen dhe reagimin e  përfaqësisë diplomatike të Perëndimit në Tiranë, Partia Demokratike tha se Gjin Gjoni nuk do të pranohej si kandidat pasi përjashtoheshin të gjithë ata që janë larguar nga detyra për shkak të vetingut apo që ka dhënë dorëheqjen nga funksioni në drejtësi pas hyrjes në fuqi të ligjit të vetingut. Pse tani nuk vlen ky kriter dhe  demokratët në Lezhë e meritojnë Gjin Gjonin në krye?

Po ditën e publikimit të lajmit në korrikun e 2020-s, ambasadorja e atëhershme e SHBA-ve në Tiranë Yuri Kim u dha një mesazh të fortë partive kryesore politike kur shkruante në Twitter: Paralajmërim, Teksa partitë përgatiten për zgjedhje, udhëheqësit do të mbajnë përgjegjësi për ata që garojnë nën siglën e tyre. Ju lutem, verifikoni kandidatët tuaj, mos i fyeni votuesit, mos minoni demokracinë, mos promovoni korrupsionin.

Përveç pasurisë vetëm të deklaruar 1 milionë euroshe, Gjin Gjoni mbahet mend për disa dosje të bujshme që i ka mbyllur si gjyqtar, ndërsa një prej të rëndësishme ka qenë ajo tentativës për grusht  shteti nga Berisha të 14-shtatorit 1998, që u mbyll dhe u arkivua pa asnjë të dënuar ndërkohë që organizatori i kryengritjes, Sali Berisha, as nuk është marrë në pyetje. Një lidhje midis gjyqtarit dhe politikanit dhe tani faktohet me zgjedhjen e tij si kryetar i PD së Rithemelimit në qytetin e Lezhës.