Rivarrimi i Ismail Qemalit
shfaqet foto e trupit të balsamosu

Rivarrimi i Ismail Qemalit<br />shfaqet foto e trupit të balsamosu
Një fotografi e panjohur publikohet për herë të parë. Është një pamje e 28 nëntorit 1932 në Vlorë dhe tregon një moment nga rivarrimi i Ismail Qemalit. Fotografia nuk ka cilësi të mirë, por tregon një grup personash, mes së cilëve dallohet gjeneral Leon de Gilardi, figura e tretë e hierarkisë ushtarake shqiptare, pas Ahmet Zogut dhe ministrit të luftës, Xhemal Aranitasit. Gjithashtu, aty dallohet edhe Abedin Nepravishta, i cili gjatë asaj kohe ka shërbyer si prefekt i Vlorës.
Duke kërkuar mbi historinë e kësaj fotografie, kuptojmë nga historiani Bardhosh Gaçe se gjatë kësaj kohe në Vlorë ka punuar si fotograf Palok Gurashi. Edhe pse nuk jemi të sigurt, kjo mbetet një prej hipotezave rreth autorësisë.
Më pas, Gurashi ka pasur studion e vet fotografike në Durrës. Në disa materiale dhe koleksione fotografish, lexojmë edhe tekstin e vulës së tij “Foto Gurashi Durrës”. Gjithashtu, Palok Gurashi ka fotografuar në Tiranë festimet e përvjetorit të 25 të pavarësisë, në vitin 1937. Njëkohësisht është ai që i ka mësuar të fotografuarit princeshës Senije Zogu.
Ismail bej Vlora vdiq në Peruxha të Italisë në Hotel “Brufani” më 24 janar të vitit 1919. Akoma dhe sot nuk njihen realisht shkaqet e vërteta të vdekjes së plakut të Vlorës. I shoqëruar nga Luigj Gurakuqi dhe djemtë e tij Et’hem, Qazim dhe Qamil, rilindësi i madh ishte i ftuar i qeverisë italiane për të diskutuar rreth një marrëveshjeje për shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Amerikës, në funksion të prezantimit të Shqipërisë në Konferencën e paqes në Paris.
Momenti kur doli në konferencë shtypi me gazetarët që po prisnin në holl, Ismail Qemali kërkoi ndjesë dhe i shoqëruar nga i biri Et’hemi shkoi në tualet, ku e mbyti shkuma dhe të vjellët. Para se të mbyllte sytë, patrioti i madh la amanet që eshtrat t’i preheshin në Kaninë, lart te kalaja. Më 8 shkurt 1919, trupi i pajetë i kryeministrit të parë të Shqipërisë së pavarur, i shoqëruar prej djemve të tij si dhe nga përfaqësues të ministrisë së jashtme italiane, u dërgua me linjë hekurudhore nga Brindisi drejt bordit të anijes “Alpino” e më pas u përcoll për në Vlorë.
Si fillim, kufoma e balsamosur e Ismail Qemalit u varros sipas porosisë së tij, në Kaninë. Ceremonia e varrimit u bë me 12 shkurt 1919, ditën e mërkurë. Në ceremoni u mbajtën dy fjalime mbresëlënëse nga Jani Minga dhe Qazim Kokoshi, dy nga patriotët e vjetër të Vlorës. Më pas u ekzekutua himni mbretëror italian dhe kortezhi i gjatë u nis për në Kaninë. Ishte ora dhjetë e paradites së 12 shkurtit 1919. Karroca ku ndodhej arkivoli tërhiqej nga gjashtë kuaj. Anash ecnin ngadalshëm dy rreshta ushtarësh. Banda ushtarake ekzekutonte melodinë e përmortshme “Jone”, të kompozitorit italian Petrella.
Pas 13 vitesh të prehjes në kalanë e Kaninës, trupi i pajetë i kryeministrit të parë të shtetit shqiptar u zbrit në Vlorë. Me financimin e Mbretërisë Shqiptare, në datën e shënuar të 28 nëntorit 1932 dhe me rastin e 20 vjetorit të shpalljes së pavarësisë kombëtare, ditën e hënë, u organizua ceremonia e rivarrimit të trupit të balsamosur të plakut të Vlorës. Atë ditë, ishin prezentë në Vlorë veteranë kombëtarë dhe përfaqësues të qeverisë shqiptare, si përfaqësuesi i mbretit Zog, gjeneral Leon de Gilardi, Ministri i Arsimit Hilë Mosi, Ministri i Drejtësisë Milto Tutulani si dhe prefekti i Vlorës, Abedin Nepravishta. Trupi i Ismail Qemalit u vendos në atë vend ku ndodhet edhe sot, në “Sheshin e Flamurit” në Vlorë. Varri monumental i Ismail Qemalit ka figurën e “Flamurtarit”, një vepër kjo e skulptorit të shquar Odise Paskali, e punuar gjatë vitit 1932. në prezencën e kortezhit, biri i Ismail bej Vlorës, E’them Vlora i dorëzoi flamurin kombëtar prefektit të Vlorës, flamur i cili mbuloi arkivolin e kryeministrit të parë shqiptar gjatë dy ceremonive të varrosjes së tij. Më pas, Abedin Nepravishta, këtë flamur ia dorëzoi Ministrit të Arsimit, veteranit kombëtar Hilë Mosi, me porosi që të vendosej në stendat e Muzeut Kombëtar në Tiranë.
* * *
Një akt dokumentar tepër interesant, i cili u shfrytëzua nga Ariola Prifti dhe Frederik Stamati, në zbulimin e flamurit kombëtar që e shoqëroi Ismail Qemalin në banesën e fundit, tregon për pjesëmarrjen e personaliteteve shqiptare në atë ceremoni:
Proces-verbal
Sot më 28 Nanduer 1932, ditën e Hënë, me rrastin e transferimit të eshtravet të shënjtorit të Kombit të ndjerit Ismail Qemalit nga Kanina në Pemendoren kujtimore të ngrehun prej N.M. Tij Mbretit dhe në pranie të Përfaqesuesit të N.M.Tij Mbretit Shkelqësis së tij Gjeneral Leon De Gjilardi dhe të shkelqesave të tyne Z.Z. Hil Mosi, Ministër i Arësimit, Milto Tutulani, Ministër i Drejtësis dhe të Prefektit të Vlonës Z. Abedin Nepravishta, Zoti Ethem Bej Vlora, i biri i të ndjerit Ismail Qemal për kujtim Kombëtar i dorëzoj Prefektit të Vlonës Flamurin Kombëtar të cilin më 28 Nanduer 1912 ati i tij Eroj i Kombit i ndjeri Ismail Qemal e ngriti në qytetin e Vlonës tue prokllamuar indinpendencën e Shqipnisë pas shumë shekujsh rrobnije.
Këtë Flamur të shenjtë Prefekti i Vlonës ja dorëzoj Ministrit të Arësimit Shk. tij Z. Hil Mosi për t’a dëpozituar në Muzeun Kombëtar në Tiranë. Për sa ma naltë u redaktua ky Proces-Verbal i mbajtun në katër kopje dhe i nënëshkruem prej të gjithëve qe përmënden ma sipër.

Ministri i Arësimit
Hil Mosi
Ministri i Drejtësis
Milto Tutulani

Përfaqesuesi i N.M.Tij Mbretit
Gjeneral Leon De. Gilardidrejt

I biri i të djerit Ismail Qemal
Etem Vlora

Prefekti i Vlonës
A. Nepravishta”
(Shkrimi u botua sot gazeten Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Priten kabllot e fibrave optike! Arrestohet një ekstremist i majtë pasi tentoi një tjetër sabotim në tren

Paris 2024/ Priten kabllot e fibrave optike! Arrestohet një ekstremist i majtë pasi tentoi një tjetër sabotim në tren