Robert Aliaj: Në art dhe politikë
nuk ka vend për të rinjtë

Robert Aliaj: Në art dhe politikë<br />nuk ka vend për të rinjtë
TIRANE - Ishte Robert Aliaj ai që solli në qershorin e vitit 2010 për herë të parë në kryeqytetin shqiptar Festivalin e Filmit të Shkurtër “48 orë projekt filmik”. E ideoi dhe e nisi punën me një grup të vogël filmik e fleksibël që ishte i përbërë nga drejtori, regjisori, skenaristi, aktorët, dhe duke marrë përsipër vetëfinancim dhe krijimin e një filmi “brenda 48 orësh”.

 Ishte e para sprovë në rrugën e improvizimeve filmike. Kompeticioni erdhi edhe me çmime të rëndësishme për regjisorin, aktorin, skenarin, muzikën më të mirë, si dhe filmin më të mirë të shkurtër të vitit.

Pastaj projekti ishte edhe me interesant, sepse fituesi i këtij festivali shqiptar pati të drejtën të konkurronte me të drejta të plota krahas filmave fitues nga e gjithë bota për titullin “Filmi më i mirë 48 orësh për vitin 2010”.

“Festivali i Filmit 48 orësh përcjell problematikat shqiptare, jehonën që fenomenet e ndryshme sociale lënë në mendësinë tonë”, thotë Robert Aliaj. Ka kohë që jeta e tij ndahet mes Belgjikës dhe Tiranës. Këto ditë artisti Robert Aliaj, gjendet në Tiranë me angazhimet për projektet e tij artistike, ndërsa premton një edicion të ri për “Tirana 48 Hour Film Project”.

Jemi mësuar së  fundmi ta shohim si opinionist i “rreptë” dhe i pakompromis tek “Gjeniu i vogël”. Por ai nuk do të jetë më aty, pasi mendon se duhet t’ia lërë vendin edhe të rinjve pasardhës. Tashmë jemi mësuar me sportivitetin e tij, të thënit të gjërave troç.

Ashtu siç është i drejtpërdrejtë, Robert Aliaj shpreh opinionin e tij në një intervistë për Shqiptarja.com. Aliaj shprehet në lidhje me këtë spektakël si dhe projektet e tij më të fundit artistike, ku nuk do të mungojnë edhe provokimet e kritikat më të ashpra ndaj realitetit politik. 

Nuk jeni pjesë e "Gjeniut të vogël”, në këtë edicion, përse?
Jo nuk do të jem. Mua nuk më ka pëlqyer kurrë ideja që të zë një vend dhe të mos e lëshoj deri sa të vdes. Kjo ndodh masivisht në politikë, por kjo ndodh fatkeqësisht edhe në domenin e artit ku artistë që okupojnë me vite mediat nuk lejojnë asnjë shans ose hapësirë për të rinjtë, të cilët mund të sjellin ide të reja.

Gjeniu për mua ishte një eksperiencë në të cilën mu desh të luftoj për të qëndruar korrekt me vetveten, ndërsa përballesha me të shkuarën time të largët. Dhe kjo në dy drejtime: E para, me fëmijërinë time, e cila evokohej nga konkurrentët e vegjël pjesëmarrës në konkurs me ëndrrat, ethet, stresin, magjinë e të qenit i pafajshëm, etj.

Dhe e dyta: Përsëri me fëmijërinë time që duhej të përballej me një mentalitet të zhvendosur në kohë, njëkohësisht në të dyja kahet. Pra, ishte një përzierje e pasionit me nevojën për të sjell diçka ndryshe dhe të vërtetë që krijoi një situatë problematike. Unë si artist, isha i ndërgjegjshëm për misionin dhe vendin që më takonte në atë ambient kolektiv.

Nuk me mjaftonte të dialogoja vetëm me fëmijët që kërkonin një orientim dhe formim, jo vetëm komplimente, por duhej të përballesha me një panel që duhej reformuar ose transformuar para se të merrnin përsipër të gjykonin fëmijët. Pra, vështirësia për të qenë sa më i drejtë dhe direkt me fëmijët, e bëri obsesion nevojën për të qenë i tillë.

Gjeniu ishte një ndërmarrje e guximshme për t’u përshëndetur dhe organizatorët sigurisht që kërkonin nga gjithë ky angazhim të fitonin më të mirët. Ata fëmijë që rrëmbyen notat e mia më të mira, po rrëmbejnë vëmendjen e publikut nëpër konkurset e ndryshme që po zhvillohen sot. Për mua misioni është i kryer me sukses.

Dy vjet ju munguat, po ashtu mungoi edhe ai spektakël. Përse mungoi?

Vërtet “Gjeniu…” mungoi, por unë nuk kam munguar. Kam një festival filmi në vit për të realizuar, “Tirana 48 Hour Film Project”. Kam projektet e mia personale si piktor. Sigurisht kam edhe nevojë për hapësira boshe, ku unë nuk duhet të bëj asgjë tjetër veçse të argëtohem pa asnjë qëllim të përcaktuar. Ndoshta “Gjeniu” mungoi për arsye të përzgjedhjes së më të mirës, nuk është e thjeshtë të zbulosh elementë të talentuar.

Me anëtarët e tjerë të jurisë kishit mjaft përplasje ...?

Anëtarët e tjerë të jurisë, ishin anëtarët e tjerë të jurisë.

Një përplasje e madhe ishte kundër opinionit të pjesëtarëve të tjerë të stafit, pasi ju i "akuzonit" se i mjaltosnin fëmijët?

E thashë edhe pak më parë, ne vinim nga backgroud-e të ndryshme. Paneli kishte dy anët e tij të medaljes, por me identitete të ndryshme. Nga njëra anë ishte pjesa konformiste, që nuk kishin kuptuar asgjë nga aspekti i bekuar i kreativitetit dhe konceptimit artistik, por që komprometonte nga paaftësia ose arsye të tjera qëllimin fisnik të vlerësimit.

Nga ana tjetër unë (që nuk jam aspak miku i Leonardo Di Caprio (qesh) fatmirësisht, duhej të mos bëja asnjë lloj kompromisi me këtë mentalitet provincial, që ma vështirësoj shumë misionin, sepse siç e keni vënë re, u katandisëm në një pikë ku nota kërkohej me dhunë nga fëmijët dhe prindërit e tyre, të nxitur nga vlerësimet precedentë pa asnjë logjikë profesionale dhe etike.

Kishte fëmijë të frustruar të cilët më kërkonin të arsyetoja përse ai merrte të njëjtën notë me një tjetër që ndoshta nuk duhej të ishte fare në konkurrim. Fëmijët manifestonin në skenën e Gjeniut hapat e tyre të para të ndërgjegjes artistike.

Ata duhej të transformonin preokupimet e tyre estetike në një gjuhë emocionale me interpretimet e tyre, dhe prisnin nga goja jonë të dilnin fjalë me  gjykim premtues, fjalët tona që duhej të përmbanin të vërtetën të pa infektuar nga mendimi i izoluar.

Ky lloj emocioni që ato provojnë a mos është disi shumë për moshën e tyre?

Në Shqipëri është bërë e zakonshme të abuzohet me konkluzione të tilla aspak koherente me realitetin tonë këtu. I keni menduar ndonjëherë emocionet që provojnë fëmijët nga dhuna në familje, konfliktet konjugale, kaosi dhe kakofonia urbanistike, televizioni me luftë permanente politike dhe lajme terrori etj?  Ato janë njëqind herë më të tmerrshme.

“Gjeniu” është një sfidë, një sfidë ku ti duhet të përballesh së pari me vetveten, pastaj me aftësitë e tua për të më bindur mua që ti meriton më të mirën. Një sfidë ose pranohet ose refuzohet. Emocionet që ata provuan atje nuk ishin negative, por emocione pozitive të një gare për të bërë më të mirën. Unë duhej ta orientoja konkursin në këtë drejtim. Perceptimi se gjoja fëmijët po provonin emocione të forta nuk ishte veçse një interpretim i gabuar keqdashës.

Cilat janë projektet tuaja më të afërta?
Sapo mbylla një ekspozitë në Bruksel, tani i jam përveshur punës dhe po përgatitem për një tjetër në qytetin mesjetar të Gentit. Këto janë projektet e mia të afërta jashtë Shqipërisë. Këtu kam të tjera interesa.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print)26.02.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Aksident në autostradën Tiranë-Durrës, bllokohet qarkullimi i mjeteve! 8 km radhë nga Maminasi deri pranë mbikalimit të Kasharit

Aksident në autostradën Tiranë-Durrës, bllokohet qarkullimi i mjeteve! 8 km radhë nga Maminasi deri pranë mbikalimit të Kasharit