Robert Budina: Si u përzgjodh
filmi "Agon" në festivalin e Barit

Robert Budina: Si u përzgjodh <br />filmi "Agon" në festivalin e Barit
TIRANE - Filmi shqiptar “Agon” i Robert Budinës do të shfaqet në një nga skenat më prestigjioze të festivaleve ndërkombëtare, Bif&st në Bari të Italisë. Në një intervistë për “Shqiptarja.com”, Robert Budina rrëfen se ndihet shumë i lumtur me suksesin e këtij filmi dhe pjesëmarrjen në një festival kaq të rëndësishëm, tre javë pas trofesë që mori në Amerikë për filmim më të mirë autorial.

Ndërkohë, një tjetër sukses ka shoqëruar filmin “Agon” të Robert Budinës me tre netët e shfaqjes që vijon të jepet nën hundën e racistëve të “Agimit të Artë” në Greqi. Jo vetëm nëpërmjet rrëfimit të pjesëmarrësit shqiptar Budina, por edhe nga mediat italiane mësojmë se në festivalin ku merr pjesë filmi “Agon” do të jenë të ftuar nderi dhe pjesëmarrës yje të kinemasë.

Megjithëse ky festival ka vetëm katër vjet që ka filluar, pjesëmarrja speciale e Adriano Çelentanos dhe yjeve të shquar të kinemasë italiane dhe asaj botërore si Al Paçino, Philip S. Hoffman, Nicole Kidman, Margarethe von Trotta, dhe shumë emra të tjerë janë, sipas Budinës, “meritë e ikonës së kinemasë 90-vjeçarit Ettore Scola dhe drejtorit të këtij këtij festivali Felice Laudadio”.

Budina shprehet për Laudadio-n se ai është një një “Maradona” e festivaleve”. F. Laudadio ka drejtuar edhe festivalin prestigjioz të Venecias, e shumë të tjerë. Ndërsa programi i BIF&st është shpallur i plotë në një konferencë për shtyp zhvilluar në Romë më 2 mars, mësojmë se mes 300 filmave nga e gjithë bota do të jenë edhe filmat retrospektivë të Frederic Fellini-t, 20 vjet pas vdekjes së tij.

Homazhe në këtë festival do të ketë edhe për yje të tjerë të kinemasë italiane si për Alberto Sordi-n, i cili vdiq 10 vjet më parë, etj. Çmimi i veçantë "Federico Fellini” i jepet aktorit dhe këngëtarit Adriano Çelentano për përsosmëri artistike më 20 mars, ditën kur do të shfaqet edhe premiera shqiptare “Agon”.

Robert Budina ndërsa është duke u përgatitur për të shkuar në Festivalin e Barit, rrëfen arsyet e suksesit të filmit dhe disa nga pikat më të rëndësishme të programit të Bif&st, Bari International Film Festival 2013.

Zoti Budina, si u përzgjodhët në këtë festival të rëndësishëm siç është B@Fest në Bari të Italisë?
E veçanta e këtij festivali është që sjell surpriza shumë të mëdha dhe zgjedh emra të konfirmuar. Kjo pjesëmarrje është për mua një nder i madh, sepse filmi im i parë është në konkurrencë me regjisorë super të konfirmuar.

Megjithëse festivali i Barit  shënon vetëm edicionin e katërt, aty është një pjesëmarrës i rëndësishëm për mua ne seksionin e filmave të retrospektivës. Ditën që jepet projeksioni i filmit tim, në orën tetë e çerek, pas shfaqjes, Adriano Çelentano merr çmimin “Frederico Fellini”, çmimin e karrierës si aktori më i mirë.

Ky është  një rast i rrallë. Adriano Çelentano i tërheq shumë mediat italiane, dhe kjo nodh edhe për faktin se ai nuk para merr pjesë në festivale. Dhënia e këtij çmimi dhe homazhet për Fellini-n janë një nder që i bëhet këtij festivali.

Pra, do të ketë shumë surpriza në këtë edicion...?

Adriano Çelentano është pjesëmarrës i veçnatë dhe do të prezantohet në një film të Fellini-t “Jeta e ëmbël”. Ndërkohë ikona e kinemasë 90-vjeçari Ettore Scola do prezantohet para publikut në një bisedë për kinemanë mes dy drejtorëve të filmit, organizuar nga gazetarja Vincenzo Mollica, pasi të jetë shfaqur filmi kult "Yuppi Du", ku përveç Adrianos luan edhe Claudia Mori dhe Charlotte Rampling. Por BIF&st nuk do t’i përkushtohet vetëm kinemasë.

Një vëmendje të madhe do t'i kushtohet edhe teatrit, ku do të nderohet Margarethe von Trotta. Ky festival ka një program të pasur, ku me filmat e retrospektivës do të nderohen edhe Al Paçino, Philip S. Hoffman, etj.

Çfarë mendoni se e mundësojë kualifikimin tuaj gjatë seleksionimit për Bif&st?
Faktikisht unë aplikova, por pata dhe rastin të takoj edhe Felice Laudadio-n, drejtorin  e festivalit, një nga personazhet që flet për dokumentarin për Anijen “Vlora” para 15 vjetësh dhe aty unë kontaktova për herë të parë me të.

Kur i thashë për filmin më tha se “jam shumë i lumtur që dëgjoj për të dhe ta shoh” dhe të nesërmen kthyen përgjigje direkt, që filmi është përzgjedhur në festivalin e “Bif&st”, dhe një shtysë më tepër ishte edhe fakti që Daniele di Caro e ka parë dhe ka dhënë konsiderata të larta për filmin. Pra përzgjedhja erdhi si rezultat i një bashkëpunimi më të gjerë me drejtuesit e  këtij festivali.

Mendoni se problemet aktuale të emigracionit ka qenë një nga faktorët e parapëlqimit për filmin tuaj në këtë përzgjedhje?
Nuk e di, por kam përshtypjen se filmi im është shumë provokativ, shumë i dhunshëm dhe tema është shumë pikante. Ka shumë skena të egra dhe ka kritikë që është shumë vulgare primitive dhe ky ka qenë qëllimi im: të krijojë skena për të provokuar. Pra për të provokuar një realitet si joni ku gjërat thuhen shumë zbehtë ose nuk thuhen fare dhe bëhen vulgare.

Më ka shtyrë një fakt që kam veprua kështu. Politika nuk e lë mesazhin e artit të tejkalojë mesazhet e saj. Kjo më ka nxitur ta krijojnë këtë skenë provokative, duke përfshirë edhe situata shumë vulgare. Mendova t’i shkoj skenarit ashtu siç është realiteti jonë i dhunshëm, i fortë dhe këtë u përpoqa ta bëjë në film; duke dhënë kështu edhe individualitetin dhe origjinalitetin e vendit tim, ndahet në dy pjesë njerëzit për pëlqimin e këtij filmi.

Një pjesë e adhurojnë, sidomos amerikanët, ku ka marrë çmimin si Filmi më i mirë. Pjesa amerikane preferon në film sinqeritet, ndërsa Europa kërkon një shprehje më të komplikuar, ndërkohë që filmi im flet direkt.

Në cilin festival thatë se fituat “Filmi më i Mirë”?
Në festivalin “Filmi i përgjakur”. E quajnë kështu festivalin që zhvillohet në Arizona, sepse për të bërë një film indipedent kërkohet të “derdhësh gjak”. Këtë festival ua dedikojnë atyre kineastëve që kërkojnë të bëjnë filma nga hiçi. Ky filmi ynë shkonte shumë për shtat në filozofinë e tyre dhe kjo ka qenë, prandaj filmi i ndan më dysh dhe ka njerëz që e duan, por sidomos vendet që janë të ndjeshme ndaj temave që preken në film e kuptojnë përnjëherë dhe e pëlqejnë përnjëherë.

Sot rreth filmit, sidomos në vendet si Greqia, filmi po shfaqet prej tre ditësh, po ndiqet premierë dhe është akoma në kinematë greke duke u dhënë. Filmi ka ngjallur shumë debat, shumë provokime. Ka ngjallur urrejtje te një pjesë që nuk duna të bashkëpunojnë me shqiptarët.

Domethënë ka turbulluar ujërat. Ky ka qenë qëllimi im dhe pavarësisht se është në sipërfaqe si i egër, i dhunshëm në thelb zotëron mirësia dhe dashuria dhe dalin në plan të idetë e mbrojtjes së familjes dhe jetës.    

Fryma raciste greke, përse ka qenë pikërisht inspirimi juaj për filmin “Agon”?

Unë kam provuar racizmin në kurrizin tim në vite ‘90 në Itali, kur kam qenë ndër emigrantë e parë. Kam parë paragjykimet që kanë pasur ata, edhe pse deri diku të drejta nga gabimet që bënin bashkatdhetarët tanë. Mirëpo, edhe italianët bënin gabimin që na përgjithësonin. Asgjë nuk duhet përgjithësuar.

Ka pasur nga ata që na shfrytëzonin, por ka pasur edhe me të vërtetë shumë nga ata njerëz që na kanë ndihmuar jashtëzakonisht shumë. Ngjarjet e filmit tim nuk janë përgjithësuese. Ka pasur edhe njerëz racistë, edhe shumë të dashur. Këtë komplikacion unë e kam zhbiriluar pjesën njerëzore.

Pra, kinemaja dhe festivalet kanë një predispozitë për të trajtuar filma me frymë të fortë kritike?

Filmi është i mbarsur me mesazhe dhe ide, është i drejtpërdrejtë dhe mesazhet janë shumë të qarta. Kam dashur që popujt e këtyre vendeve të mëdha që mirëpresin emigrantët, siç janë nga Italia dhe Franca, nga Gjermania, nuk mund të bëjnë sikur ky realitet nuk ekziston, ai është atje. Ata emigrantë janë aty.

Janë pjesë e qenësishme e jetës shoqërore. Këto vende janë të detyruara t’i pranojnë, sepse herë pas here kjo prurje e madhe emigrantësh i rinon forcat e punës. Greqia nuk mund gjë tjetër përveçse të bashkëpunojë e të shkëmbejë marrëdhënie me vendin fqinj Shqipërinë. Na lidhin kulturat, martesat.

Greqia do ketë gjithmonë Shqipërinë në kufi, nuk do të ketë as Gjermaninë, as Rusinë. Dhe popujt tanë janë të destinuar të jetojnë me të mirat e të këqijat e tyre. Filmi im thotë qartë se duhet të shikojmë se çfarë na bashkon, dhe jo se çfarë na ndan, sepse jemi shumë të prirur të shohin çfarë na ndanë.

Sa më shumë të rritet “Agimi i artë” andej, aq më shumë rriten tonet nacionaliste këtej. Por këto për fat të keq i përdorin sa për fushatë politikanët. Ndërsa po të shohësh popullsinë greke, njerëzit e thjeshtë që nuk ua ndjen fare për politikën, ne kuptojmë se ata i duan shqiptarët. Jam përpjekur me filmin “Agon” që të them se neve shumë gjëra na lidhin, kemi ura të forta.

Në Ballkan popullsitë janë mikse, nëse gërmojnë në origjinat tona, zbulojmë se kemi përzierjet mes stërgjyshërve tanë. Nuk e perceptoj dot sesi në një territor kaq të vogël sa ç’është Ballkani prodhohen kaq shumë histori.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 05.03.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Aksident në autostradën Tiranë-Durrës, bllokohet qarkullimi i mjeteve! 8 km radhë nga Maminasi deri pranë mbikalimit të Kasharit

Aksident në autostradën Tiranë-Durrës, bllokohet qarkullimi i mjeteve! 8 km radhë nga Maminasi deri pranë mbikalimit të Kasharit