/ATSH-DPA/ -  Irani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të diskutojnë për një shkëmbim të  të burgosurve, tha presidenti iranian, Hasan Rohani.
"Nëse ne mund të ndihmojmë njerëzit tanë, të arrestuar në SHBA, dhe amerikanët të ndërmarrin të njëjtat hapa reciproke, atëhere ne do ta mirëpresim këtë qasje",  tha ai në një pritje të mbajtur  dje në mbrëmje për ekspertët e Lindjes së Mesme nga misioni iranian në Kombet e Bashkuara,  njofton gazeta amerikane "Washington Post".
Presidenti Rohani ishte në Nju Jork për fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që u zhvillua të shtunën.
Irani po mban tre shtetas amerikanë, përfshirë një korrespondent të "Washington Post"-it, i akuzuar për spiunazh për Shtetet e Bashkuara dhe propagandë kundër Iranit.
SHBA ka burgosur 19 iranianë lidhur me shkeljet e sanksioneve kundër Iranit lidhur me programin e tij bërthamor.
Sanksionet  do të hiqen sipas një marrëveshjeje me Iranin, në korrik të këtij viti.