Çdo ditë, në ekranet televizive dhe në rrjetet sociale, duket sikur politika shqiptare është kthyer në një duel të përhershëm mes Edi Rama dhe Sali Berisha. Por ajo që bie më shumë në sy nuk është vetëm përplasja mes tyre, por fakti që ata flasin për gjithçka. Nuk ka temë që nuk kalon përmes tyre: nga ekonomia te arsimi, nga shëndetësia te gjeostrategjia, nga turizmi te çdo zhvillim i ditës. Si të ishte e pamjaftueshme që drejtojnë politikën, ata duket se ndihen të detyruar ta komentojnë atë në çdo detaj.
Kjo prani e vazhdueshme nuk lë shumë hapësirë për të tjerët. Ministrat, ekspertët apo figura të tjera politike shfaqen rrallë dhe zakonisht në periferi të debatit. Jo sepse mungojnë, por sepse zëri i tyre mbulohet nga këta të dy. Kur dy figura marrin përsipër të flasin për çdo temë, pjesa tjetër e sistemit politik kthehet në sfond. Është një skenë ku rolet ekzistojnë, por dialogu dhe monologu zhvillohet gjithmonë mes të njëjtëve protagonistë.
Kjo nuk është thjeshtë një megallomani, por një mënyrë për të mbushur çdo hapësirë derisa të mos mbetet vend për askënd tjetër. Sa më shumë që flasin për çdo gjë, aq më shumë krijohet ideja se vetëm ata kanë të drejtë të shpjegojnë realitetin. Të tjerët nuk ndalohen por thjesht bëhen të panevojshëm pasi Rama dhe Berisha flasin për gjithçka. Nuk ka nevojë t’i përjashtosh të tjerët kur mund t’i mbulosh. Në fund, duket sikur politika ekziston vetëm nëse kalon përmes tyre.
Në këtë mënyrë, krijohet gradualisht ideja te publiku i cili mësohet që çdo çështje të shpjegohet vetëm nga këta të dy. Sa më shpesh ndodh kjo, aq më e natyrshme duket dhe aq më shumë pushteti fillon të përqendrohet jo vetëm si fuqi vendimmarrëse, por edhe si monopol i fjalës. Mesa duket nuk mjafton vetëm të marrësh vendime por duhet të jesh edhe interpretuesi i vetëm i tyre.
Në fund, problemi nuk është vetëm se flasin gjithmonë të njëjtët, por se të tjerët nuk dëgjohen më. Hapësira publike duket e mbushur, por në të vërtetë është e ngushtuar. Dhe ndërsa ky model përsëritet çdo ditë, krijohet një realitet ku pluralizmi ekziston në formë, por jo në zë
Komente











