Arketipi i Profesor Servet Pëllumbi na ndihmon të kuptojmë jo vetëm transformimin e Partisë Socialiste por edhe trasformimin gradual të konceptit të përfaqësimit politik në Shqipëri. Në fillimet e pluralizmit, partitë politike u ngjizën edhe me figura që vinin nga universitetet, akademia, gazetaria apo disidenca intelektuale. Ishin njerëz me formim, me botëkuptim dhe shpesh me paaftësinë praktike për t’iu përshtatur me brutalitetin e politikës së tranzicionit. Kishin mangësi si politikanë profesionistë, por zotëronin një kapital kulturor që i jepte parlamentit dinjitet dhe debatit vlera.

Sot tabloja duket e përmbysur. Parlamentarizmi shqiptar ka evoluar drejt arketipit të sejmenit politik, deputeti që nuk përfaqëson më një ide apo një profil profesional, por vetëm vullnetin e kryetarit dhe komunitetit që përfaqëson. Në vend të kompetencës është instaluar konformizmi, në vend të mendimit kritik, bindja. Deputeti ideal nuk është ai që di më shumë, por ai që kundërshton më pak. Ky transformim e ka kthyer parlamentin nga arenë përfaqësimi në një koreografi kartonësh.

Ky evolucion 34-vjeçar është edhe një laborator për të kuptuar mekanizmin shqiptar të meritokracisë së përmbysur brenda partive politike. Në teori demokracia prodhon elita në praktikën shqiptare partitë prodhojnë besnikë. Qarkullimi i elitave nuk ndodh më mbi bazën e ideve apo aftësive, por mbi aftësinë për t’u përshtatur me hierarkinë vertikale të partisë. Kjo është arsyeja pse figurat me individualitet zhduken gradualisht nga politika aktive. Sistemi i konsideron të paparashikueshme dhe për rrjedhojë të rrezikshme.

Mjafton të krahasosh debatet parlamentare të viteve ’90 me seancat e sotme. Dikur mund të identifikoje deputetë që flisnin me kompetencë për ekonominë, diplomacinë, mjekësinë apo arsimin. Sot flet kryetari; të tjerët janë dekor procedural që aktivizohen vetëm kur bie bilbili i votimit. Partia moderne shqiptare nuk kërkon më përfaqësues, por operatorë politikë.

Megjithatë, përgjegjësia nuk është vetëm e partive. Në një demokraci, oferta politike deformohet edhe nga kërkesa e elektoratit. Masa votuese duket gjithnjë e më e tërhequr nga arketipi i dytë, politikani agresiv, spektakolar, militant dhe pa kompleksin e dijes. Intelektuali në politikë shihet shpesh si i dobët, ndërsa servilizmi maskohet si pragmatizëm.

Ndoshta pikërisht këtu rikthehet figura e Servet Pëllumbit si simbol i një epoke tjetër politike, një kohë kur mund të mos ishe politikani më efikas, por duhej të kishe diçka për të thënë. Sot problemi nuk është vetëm mungesa e elitës në parlament problemi është se parlamenti nuk duket se ka më nevojë për njerëz si Servet Pëllumbi.