Raporti i fundit i IBAR-it duket se po konfirmon një realitet të ri politik ai që integrimi europian i Shqipërisë po ndikohet sot më shumë nga zhvillimet gjeopolitike sesa nga meritokracia apo ritmi real i reformave të brendshme. Lufta në Ukrainë, tensionet në lindjen e mesme dhe frika e destabilizimit në Ballkanin Perëndimor siç janë ngjarjet e fundit në Maqedoninë e Veriut, kanë rikthyer zgjerimin e BE-së si një nevojë strategjike. Siç shprehej Jean Monnet, “Europa ndërtohet përmes krizave”, dhe duket se pikërisht krizat po e shtyjnë sot Europën drejt një qasjeje më të hapur ndaj Ballkanit.

Ndryshe nga periudhat e mëparshme, procesi i integrimit nuk duket të varet vetëm nga sjellja e aktorëve politikë shqiptarë. Për fatin e qytetarëve, por edhe për fat të keq të elitave lokale të cilat shpesh kanë bërë gjithçka për ta zvarritur apo bllokuar pavarësisht propogandës në publik, pesha kryesore po zhvendoset nga performanca e brendshme te interesi strategjik i BE-së për ta mbajtur rajonin të ankoruar në Perëndim.

Kjo shpjegon edhe gatishmërinë më të madhe të Brukselit për të avancuar negociatat me vende si Mali i Zi apo Shqipëria, pavarësisht problematikave që vazhdojnë të mbeten të pranishme. Në këtë klimë po forcohet bindja se vendet tona reformohen më shumë nën presionin dhe monitorimin e institucioneve europiane sesa nga një vullnet i qëndrueshëm i brendshëm.

Politologu Frank Schimmelfennig e përkufizon këtë logjikë kur shprehet se “fuqia transformuese e Bashkimit Europian funksionon kryesisht përmes kushtëzimit”. Pra, reformat shpesh nuk burojnë nga bindja e elitave politike lokale, por nga nevoja për t’iu përshtatur kërkesave dhe interesave strategjike të BE-së. Në këtë kuptim, stabiliteti gjeopolitik duket se po merr përparësi ndaj perfeksionit institucional.

Edhe brenda Bashkimit Europian, zërat euroskeptikë duken se dëgjohen më pak se më parë. Frika nga fragmentimi dhe kërcënimet e jashtme po i shtyn vendet anëtare të gjejnë më shumë kohezion dhe të lënë mënjanë një pjesë të interesave individuale apo agjendat e partivë nacionaliste të cilat jo pak raste kanë ndikuar vendimmarrjen në vendet respektive.

Në sfondin e këtij realiteti të ri, Bashkimi Europian duket se po rikthen një logjikë që për vite me radhë ishte zbehur nga burokracia dhe skepticizmi i brendshëm, idea se Europa është para së gjithash një projekt politik. Përballë pasigurive globale, zgjerimi po perceptohet jo vetëm si investim për stabilitetin e Ballkanit, por edhe si mekanizëm mbrojtës për vetë arkitekturën politike dhe strategjike të kontinentit.

Europa sot është kthyer te texa e artikuluar nga Zbigniew Brzezinski, i cili shprehej: “Gjeopolitika është arti i menaxhimit të interesave strategjike në një botë të paqëndrueshme.” pikërisht kjo logjikë duket se po udhëheq sot qasjen e Europës ndaj Ballkanit Perëndimor.