Juristi Kreshnik Spahiu, teksa ka komentuar raportin e vendeve anëtare të BE-së për Shqipërinë, i cili është dukshëm më i ashpër dhe më politik sesa drafti fillestar i Komisionit Europian, është shprehur se është një lajm i mirë që Unioni Europian ka vendosur kritere të forta për anëtarësimin e vendit tonë në BE.
Komentet Spahiu i bëri në një lidhje për emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, ku tha se ne të gjithë duam një Shqipëri eurpiane që plotëson standardet e Unionit dhe jo një Shqipëri që bëhet pjesë e BE-së vetëm për shkak të gjeopolitikës.
Teksa e cilësoi pozitive avancimin e Shqipërisë në procesin e mbylljes së kapitujve të negociatave, Spahiu shtoi se shqiptarët duan të hyjnë në BE si qytetarë me të drejta të barabarta me qytetarët e tjerë të Unionit.
“Mendoj se ky raport ka 2 anë. Ka një anë pozitive që Shqipëria vazhdon të avancojë në procesin e fazës drejt mbylljes së kapitujve. Është e rëndësishme që sërish nga ana pozitive do ketë një konsensur, një gjuhë të përbashkët të ambasadorëve të të gjitha shteteve të BE-së. Por ka edhe atë pjesën negative që Shqipëria gjithmonë shoqërohet me rekomandime dhe kritika të ashpra. Por më mirë që është kështu.
Ne të gjithë duam një Shqipëri europiane, një Shqipëri që të hyjë e kushtëzuar në Europë. Ne nuk duam një Shqipëri të varfër, një Shqipëri të korruptuar, një Shqipëri të marrë peng, një Shqipëri që i mbyll hapësirat për qytetarët e vet dhe të hyjmë në BE si qytetarë të pabarabartë, jo me dinjitet dhe të pakrahasueshëm me të drejtat europiane. Pra jo të na e bëjnë dhuratë për shkak të gjeopolitikës. Është shumë më mirë që Shqipëria të kushtëzohet dhe sistemi politik shqiptar të ketë nevojë për një monitorim.
Mendoj se ne duhet të zhvishemi pak nga krenaria jonë dhe të kuptojmë se ndryshe nga europianët nuk kemi ato tradita aq të thella, atë kulturë shtetformuese të shtetit juridik apo të barazisë së të drejtave të qytetarëve dhe lirive themelore. Të gjitha rekomandimet dhe kushtëzimet adresohen jo vetëm te korrupsioni”, tha mes të tjerash Spahiu.
Kujtojmë se Report Tv ka siguruar sot dokumentin përfundimtar të vendeve anëtare të BE për ecurinë e Shqipërisë, i dakordësuar mbi një draft që KE ua paraqiti atyre, paralelisht me raportin e vlerësimit të piketave të ndërmjetme, i njohur si IBAR.
Varianti final, i dakordësuar mes shteteve anëtare në COELA, është dukshëm më i ashpër dhe më politik sesa drafti fillestar i Komisionit Europian.
Ndryshe nga drafti i shkurtit, i cili mbetej kryesisht te vlerësimi i Shqipërisë për ecurinë e reformave dhe disa detyra të përgjithshme për t’u përmbushur, teksti final vendos theksin te kushtet konkrete dhe rezultatet e matshme që Tirana duhet të arrijë për të avancuar më tej në negociata.
Komente







