Në Shqipëri, zakoni i rrjedhjes së informacionit, i ekspozimit selektiv të provave dhe ndërtimit të “gjyqeve popullore” përmes ekranit është shndërruar tashmë në një praktikë pothuajse të natyralizuar, e cila shpesh konsiderohet si pjesë e pandashme e kulturës mediatike.Mirëpo kur një shoqëri pretendon të jetë pjesë e familjes europiane të shtetit të së drejtës, ky normalitet bëhet simptomë e një devijimi të rrezikshëm.
Aty ku institucione të reja si SPAK, të cilat duhej të shënonin një ndarje të fortë me të shkuarën, përfundojnë të bëhen pjesë e të njëjtit ritual, krijohet një paradoks moral dhe juridik që ngre pyetje të mëdha për cilësinë e drejtësisë dhe demokracisë tonë në tërësi.
Në thelb të këtij fenomeni qëndron një mekanizëm i vjetër dhe i njohur mirë në teorinë e së drejtës, ai i gjykimit publik i paraprirë nga opinioni i fabrikuar. Që në shekullin XIX, filozofi i së drejtës, Cesare Beccaria, paralajmëronte se dënimi pa gjykim është forma më primitive e pushtetit, sepse i jep turmës atributet që i takojnë vetëm gjykatës. Shembulli më i goditur i këtij transformimi është mënyra se si dosjet penale shpesh përfundojnë në studio televizive dhe gazeta më shpejt se në sallat e gjyqit, duke krijuar një realitet paralel ku mediat ndërtojnë narrativën e fajit dhe të pafajësisë para se të flasë gjykata.
Kushtetuta e Shqipërisë është e qartë në nenet themelore ai i prezumimit të pafajësisë si një gur themeli i shtetit të së drejtës. Specifikisht neni 31 dhe 42 përcaktojnë qartësisht se askush nuk mund të konsiderohet fajtor pa një vendim të formës së prerë dhe se e drejta për gjykim të drejtë është e pacënueshme. Ndërkohë, rrjedhja e dosjeve, që në vetvete është një akt i paligjshëm, krijon një gjendje ku opinioni publik manipulohet, gjykata vihet nën presion, ndërsa individi qoftë ai i botës së krimit apo politikës humb mundësinë për të mbrojtur veten në një proces të barabartë.
Ka një ndryshim të dukshëm midis mënyrës se si trajtohen figurat e botës së krimit dhe personazhet politikë. Në rastin e të parëve, media ndjek logjikën e spektaklit, duke shfrytëzuar kureshtjen publike dhe duke riprodhuar modelimin e krimit si skenografi intrigash dhe misteri. Ndërsa kur bëhet fjalë për figurat politike, nxitimi për të shkatërruar reputacionin para gjykimit synon të prodhojë efekt politik, duke i dhënë publikut një lloj dënimi simbolik që shpesh është më i fortë se vendimi gjyqësor vetë. Sociologu gjerman Niklas Luhmann do ta quante këtë “procedurë të vërtetësisë së fabrikuar”, ku sistemi mediatik krijon realitete të reja që i paraprijnë të vërtetës juridike./Marrë nga profili i autorit në Facebook
Komente











