Roli i Shkëlzen Berishës në aferën CEZ, pikëtakimi i interesave me Ilir Metën, disa fakte që nuk u hetuan nga drejtësia që rrëzoi Vetingu! A do të thellojë hetimet SPAK? 

Roli i Shkëlzen Berishës në aferën CEZ, pikëtakimi i interesave me Ilir Metën, disa fakte që nuk u hetuan nga drejtësia që rrëzoi Vetingu! A do të thellojë hetimet SPAK? 

Nuel Karaj, Shkëlzen Berisha dhe Ilir Meta

SPAK po heton aferën CEZ-DIA, ndërsa ka marrë në pyetje Ilir Metën, i cili dyshohet se është kumbari dhe përfituesi i kësaj skeme korrupsioni me kosto të provuar nga drejtësia 5 milionë euro. Afera CEZ-DIA për mbledhjen e rreme të borxheve me faturat e papaguara nga abonentët, nisi të zbatohej pas finalizimit të mega afera së shitjes së OSSH tek CEZ. Për mbylljen e dosjes së privatizimit të OSSH nga qeveria Berisha ka disa vendime prokurosh dhe gjykatash që nga viti 2017, ndërsa aktualisht çështja nëse duhet apo jo të hapet kjo dosje është në Gjykatën e Lartë. Dosja e shitjes së OSSH tek CEZ nuk ka lidhje me aferën CEZ-DIA që po hetohet nga SPAK.

Nuel Kalaj ishte sekseri mes CEZ dhe qeverisë Berisha për privatizimin e 75 % të aksioneve të OSSH nga çekët. Ky fakt është konfirmuar nga vetë Nuel Kalaj, por edhe nga gjykatësi Lazër Sallaku, sipas të cilit përfshirja e Kalajt si sekser dhe përfitimi i 6.8 milionë euro nuk përbën ndonjë element penal. Në vitin 2017, Nuel Kalaj deklaroi se “...kam punuar për të sjellë CEZ-in në Shqipëri dhe për këtë kam realizuar fitimet e mia në mënyrë të rregullt dhe të ndershme duke paguar taksat”.

Nga janari 2008 deri në qershor të vitit 2009, Nuel Kalaj ka tërhequr nga bankat në Tiranë 6.8 milionë euro dhe i ka nxjerrë jashtë vendit, pa i deklaruar paratë në kufi, pa fatura, pa dokumentacion etj. Periudha e tërheqjes së parave përkon me negociatat dhe finalizimin e marrëveshjes së qeverisë Berisha me CEZ për privatizimin e OSSH. Edhe ky fakt është pranuar nga gjykata, por edhe nga Nuel Kalaj, i cili në vitin 2017 ka pohuar se “Paratë i kam tërhequr nga banka për qëllime investimi në drejtime të tjera”.

Nga privatizimi dhe favorizimet e paligjshme që i janë bërë më vonë CEZ nga qeveria Berisha, buxhetit të shtetit i është shkarkuar mbi 400 milionë euro dëm, shifër e cila deri më sot nuk është kundërshtuar as nga të akuzuarit në dosjen CEZ. Dëmi 400 milionë euro doli pas një auditimi të Ministrisë së Energjetikës në vitin 2014, e cila bëri edhe një kallëzim penal në Prokurori në atë kohë, por që u pushuar si çështje.

Nisur nga ky fakt, merr rëndësi kryesore roli i Nuel Kalajt. Në datën 7 shator 2009, ora 1:51 Nuel Kalaj i dërgon e-mail Martin Roman, zv.drejtor i  CEZ-Group, ku i shkruan " ...duke folur sinqerisht, mua personalisht me vjen keq të shoh se, pas një pune katërvjeçare për CEZ-in, duke luftuar që, një kompani serioze dhe e suksesshme si CEZ-i, të futet në sektorin energjetik në Shqipëri, probleme të ngjashme, do të shkatërrojnë frutin e një pune të madhe, që unë dhe z. Petran, kemi bërë për muaj e muaj dhe negocime pas negocimesh, për të arritur një privatizim të suksesshëm të OSSH-së". Ky e-mail i pranuar edhe nga drejtësia, tregon dimensionin e rolit të Kalajt në procesin e privatizimit.

Në datën 11 maj 2010 në orën 9: 10, Nuel Kalaj i ka dërguar një e-mail Tomas Pleskash, zv.drejtor i CEZ-Group, ku i shkruan "paraprakisht ju kam informuar se marrëveshja me ERE-n do të jetë nënshkruar shumë shpejt, sidoqoftë, në ketë moment Qeveria e Shqipërisë po negocion për të marre hua...”. Ky e-mail tregon rolin si sekser të Nuel Kalajt edhe pas privatizimit të OSSH, pra gjatë negociatave për të favorizuar CEZ. Kalaj ndërmjetëson për të mundësuar që ERE t’i ulë çmimin e energjisë që KESH i shiste CEZ, ndërsa CEZ ua shiste shqiptarëve më shtrenjtë.

Në datën 15 maj 2010 në orën 12:05, Nuel Kalaj i ka dërguar një e-mail Jozef Hejsekut, drejtor i CEZ në Shqipërim, ku ndër të tjera i shkruan “z. Hejsek nuk e ka kuptuar se unë nuk mund të bashkëpunoj me njerëz të cilët janë tërësisht të implikuar në korrupsion dhe që japin informacione të rreme në lidhje me situatën... unë do ta çoj deri në fund atë fare kam nisur. Unë do të informoj drejtorin e përgjithshëm të CEZ-it, z. Martin Roman, kryeministrin e Shqipërisë, si dhe palët e interesuara. Mos u surprizoni z. Hejsek nëse nesër ju do të përballeni me gjykatën dhe të shpalleni person non grata në territorin e Shqipërisë. Fillimisht unë do t'ia dërgoj këtë raport z. Merxhani. Pasi z. Merxhani të jetë informuar për situatën do të komunikohet me z. Hejsek, Martin Roman dhe institucionet shqiptare. Në këtë raport janë vetëm një pjesë e vogël e situatës, sepse nëse ne do të fillojnë një investigim, ai do të tronditë si termët kompaninë".

Nuel Kalaj shfaqet nervoz dhe akuzon Jozef Hejsek si pengesë për pazaret, duke e kërcënuar.

Në datën 28 janar 2010, ora 12:40, Jozef Hejsek i dërgon një e-mail Tomas Pleskash, ku e njofton për ecurinë e negociatave për të favorizuar CEZ, ku për herë të parë del në pah Shkëlzen Berisha. Jozef Hejsek njofton Tomas Pleskash se takimi me të birin, sipas Nuelit, është shtyrë për nesër pas ardhjes së kryeministrit. Ky e-mail konfirmon dy gjëra, lidhjen mes Shkëlzen Berishës dhe Nuel Kalajt, si dhe përfshirjen e Shkëlzenit në negociata për favorizimin e CEZ nga ERE për njohjen e borxhin e keq dhe çmimin e energjisë.

"Në anekse janë përgatitur dokumentet. Ne do të përmendim gjithashtu kërkesat tona ndaj qeverisë, sa është debia që duhet paguar tani, rregullimin e çmimit etj. Do të të pres ty me Nuelin në aeroport, në sallonin VIP. Me Nuelin sapo mbarova negociatat e tjera. I shpjegova në detaje se çfarë kërkojmë. Takimi me të birin, sipas Nuelit, është shtyrë për nesër pas ardhjes së PM (Kryeministrit)”. Me datën 17 Nëntor 2011, ora 3:37 Jozef Hejsek i ka nisur Nuel Kalajt një e-mail, ku i shkruan se "Këtë mbrëmje kemi qene këshilluar se sot është dita e duhur për të dorëzuar njoftimin tone për rastin e garancisë së pjesshme të riskut, duke reflektuar vendimin e ERE-s lidhur me studimin e borxhit të keq të Deloittes".

Sipas prokurorisë dhe gjyqtarit Lazër Sallaku të gjitha këto fakte nuk provojë asnjë fakt penal dhe se procedura e privatizimit të OSSH është e rregullt. Nuk pati kurrë një hetim të thelluar mbi rolin e Shkëlzenit, nuk pati administrim të tabulateve telefonike, lëvizjet dhe aq më tepër ndjekjen e rrugës së 6.8 milionë euro që u tërhoqën nga bankat nga Nuel Kalaj.

Nga ana tjetër, kompania DIA e Kastriot Ismailajt kishte lidhur një kontratë korruptive me CEZ në shtator të vitit 2010. Kur Nuel Kalaj vijonte lëvizjet për të finalizuar pazaret për favorizimin e CEZ, vetë CEZ vijonte t’i jepte para DIA-s për punë fiktive, gjoja mbledhjes borxhesh. Nga ana tjetër, avokatët që përfaqësonin OSHEE-në në arbitrazhin ndërkombëtar në Vjenë pas vitit 2013, pretenduan se kishin prova që Ilir Meta kishtemarrë  ryshfet nga biznesmeni i akuzuar për mashtrim dhe pastrim parash, Kastriot Ismailaj, i cili paratë i merrte nga CEZ.

Po CEZ nga i merrte paratë? Ua marrte qytetarëve shqiptarë. Pasi CEZ nisi t’i jepte para DIA-s, del në pah ERE, e cila vendos të ulë çmimin e energjisë që KESH i shiste CEZ. Vendimi i marrë nga ERE në dhjetor të vitit 2010 ulte çmimin e shitjes së energjisë nga KESH tek CEZ me 27 për qind; nga 2.03 lekë në 1.48 lekë. Pra, në janar 2010, sipas e-mailit zhvilloheshin negociata, ndërsa në dhjetor 2010, ERE favorizonte CEZ, duke i ulur çmimin e energjisë me kosto të rëndë për xhepat e shqiptarëve. 

Të gjitha këto fakte nuk janë hetuar nga drejtësia shqiptare që u rrëzua nga Vetingu si e korruptuar. Mbetet për t’u parë nëse do t’i thellojë hetimet SPAK, duke përfshirë edhe përfituesit e korrupsionit të privatizimit të OSSH dhe favorizimit të CEZ.

/a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Dibrani: 25/02/2023 23:22

    O Tiku je bërë i pabesueshëm sepse Arben Ahmetaj shëtit i lirë, e ndërkohë ty Rama të paguan ????????????. Po je gazetar i pavarur shkruaj kundër korrupsionit qeveritar, atëherë do mbledhësh njerëz pas vehtes. Ama me këtë “përdorje” qe po të bën pushteti shumë shpejt do zhvlerësohesh. Të përshëndes Dibrani

    Përgjigju
  • Dibrani: 25/02/2023 23:22

    O Tiku je bërë i pabesueshëm sepse Arben Ahmetaj shëtit i lirë, e ndërkohë ty Rama të paguan ????????????. Po je gazetar i pavarur shkruaj kundër korrupsionit qeveritar, atëherë do mbledhësh njerëz pas vehtes. Ama me këtë “përdorje” qe po të bën pushteti shumë shpejt do zhvlerësohesh. Të përshëndes Dibrani

    Përgjigju
  • GazmendKuka: 25/02/2023 18:58

    Të gjithë flasin për CEZ-DIA, por aktori kryesor është i fshehur. Pse një gazetar nuk bën një takim me video-telefonatë me zotin Hysek në Çeki? Lëreni të shpjegojë gjithçka! nëse nuk mundet, do të thotë, është edhe ai në këtë tas me supë me perime!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Financial Times: Rusia ka rekrutuar mercenarë nga Jemini

Financial Times: Rusia ka rekrutuar mercenarë nga Jemini