Artem Dovbyk zbarkon në Romë. Sulmuesi ukrainas që u shpall edhe golashënuesi më i mirë i La Ligës sezonin e kaluar ku shkëlqeu me Gironën, do të veshë fanellën verdhekuqe me numrin 9 mbi shpinë për sezonin e ardhshëm.
Ndonëse dukej i destinuar të bashkohej me Atletico Madrid, Dovbyk u transferua në kryeqytetin italian, pasi drejtuesit e Romës lëvizën shpejt dhe bindën si sulmuesin ukrainas, ashtu edhe klubin e Gironës.
Plot 31.5 milionë euro do të arkëtojnë këta të fundit menjëherë për kartonin e sulmuesit 27-vjeçar, teksa në kontratë janë parashikuar edhe 5.5 milionë euro bonus dhe 10% të vlerës në rast rishitjeje në të ardhmen.
Fill pas marrëveshjes Dovbyk zbarkoi në kryeqytetin italian, ku pritet të firmosë një kontratë 5-vjeçare pasi të ketë kaluar me sukses testet mjekësore. Dovbyk pritet të jetë futbollisti që do të mbajë peshën e repartit të avancuar, duke qenë se anglezi Abraham nuk preferohet nga De Rossi dhe pritet të lërë kryeqytetin këtë verë.