Pas Champions League sonte do jetë rradha e Europa League për të caktuar finalen e sezonit aktual që do të zhvillohet në Poloni.
Më me interes pritet përballja në Londër mes Arsenal dhe Villareal, me anglezët të cilët do tentojnë të përmbysin humbjen 2-1 të pësuar një javë më parë në Spanjë. Të besuarit e Arteta-s luajnë ‘all-in’ jo vetëm se në lojë është finalja e kompeticionit, por edhe sepse kjo është mënyra e vetme për të kapur Champions League për sezonin e ardhshëm.
‘Topçinjtë’ në këtë përballje vendimtare janë pa David Luiz të dëmtuar, si dhe Ceballos, i cili është me kartona, ndërsa Villareal duhet t’ia dalë pa Capoue dhe Iborra.
Ndërkohë në kryeqytetin e Italisë Roma do tentojë sonte misionin e pamundur. Verdhekuqtë të cilët një javë më parë u skatërruan 6-2 nga Manchester United kanë për detyrë të mposhtin sonte të paktën 4-0 Manchester United në rast se kërkojnë përmbysjen.
Në prag të ndeshjes trajneri në ikje i Romës Fonseka, i cili do zëvendësohet nga Mourinho, është shprehur ‘se do jetë shumë e vështirë për të mposhtur Manchester United me katër gola’, por ka shtuar ‘se ka parë shumë gjëra të pabesueshme të ndodhin në futboll’.